Lapardha, projekt për kanalizimin e ujërave të zeza

543
Sigal

Ditën e sotme, Kryetari i Bashkisë, Petrit Sinaj, shoqëruar nga një pjesë e stafit të vet, inspektoi punimet që po kryhen për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza në fshatin Lapardha, Njësia Administrative Otllak. Vlera e këtij investimi, financuar nga fondet e Bashkisë, shkon deri në 313 milionë lekë.  Faza e parë e punimeve ka nisur në fund të qershorit në fshatin Lapardha 2, ku aktualisht po punohet në lagjen e Jahollarëve. Sipas preventivit të hartuar, realizmi i këtij projekti përfshin kryerjen e një volume të madh punimesh, të cilat pritet të përfundojnë brenda katër muajve. Është hera e parë që ndërhyhet në këtë zonë për ndërtimin dhe sisitemimin e rrjetit të kanalizimit të ujërave të zeza.

Në komunikimin e tij për mediat, Kryebashkiaku Sinaj u shpreh se ndërtimi i rrjetit të KUZ – së për fshatin e Lapardhasë jo vetëm që zgjidh një problem të mbartur prej vitesh, por u hap rrugën edhe projekteve të tjera për këtë fshat. “Ky është një investim i munguar për fshatin Lapardha, besoj që nga koha e themelimit të tij. Është hera e parë që Bashkia e Beratit ndërhyn me një investim të tillë. Me realizimin e këtij projekti përfitojnë 1500 banorë të dy lagjeve më të mëdha të Lapardhasë, duke zgjidhur përfundimisht këtë çështje për banorët e këtij komuniteti. Kjo ishte faza e parë, ndërsa në fazën e dytë do të mendojmë për rrugët dhe ndriçimin në segmentet kryesore të këtij fshati.”

Adriatik Mema