Lamtumirë Gjeneral Parllaku!

1208
Sigal

Ndahet nga jeta Gjenerali i tre epokave Rrahman Parllaku. Sot nga ora 12.00-14.00 homazhe në Muzeun Historik

Sot, në nderim të tij do të mbahen homazhet në Muzeun Historik Kombëtar, nga ora 12 .00 – 14.00, të organizuara nga Protokolli Zyrtar i Shtetit

Lamtumirë, gjenerali fitimtar i tri epokave, Rrahman Parllaku!

Halil Rama

 

Gjenerali i tri epokave, Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, ndërroi jetë dje pasdite, duke lënë pas një trashëgimi të rrallë për atdheun dhe kombin shqiptar.

Lajmi i hidhur për ikjen e papritur për në botën e përtejme të gjeneralit mbishekullor ka tronditur mbarë opinionin publik mbarëshqiptar. Kjo edhe për faktin se vetëm para pesë muajsh ai festoi 100-vjetorin e lindjes në një ceremoni shtetërore, ku u shfaq plot vitalitet dhe me mendje e trup të shëndoshë, si memoria historike e kombit.

Ai lindi, u rrit dhe mbeti patriot. Lufta Antifashiste, mbrojtja e vendit gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, “lufta e bërrylave”, ftohtësia e qelive të burgut ku kaloi rreth 17 vjet, Lufta e Kosovës më 1999-n, krijimtaria publicistike dhe aktiviteti intensiv në mbështetje të proceseve demokratike e të shtetit ligjor, e forcuan karakterin e tij.

Jeta e këtij gjenerali, që është memoria historike e kombit nis në Novosej të Kukësit, kur më 17 prill 1919 lindi një djalë që u quajt Rrahman Latif Parllaku. Me ato që bëri gjatë jetës, me zgjuarsinë dhe guximin e tij, duket sikur trashëgoi cilësitë e Ali Matës, një paraardhës shumë i pashëm nga ai fis, të cilin turqit e kërkonin me llagapin “Parllak”, që në turqisht do të thotë “i ndritshëm”.

Pas shkollës fillore që e kreu në Shishtavec, Rrahman Parllaku detyrohet ta lërë fshatin dhe të fillojë punë me babanë dhe vëllanë në profesionin e pastiçierit në Cakran të Mallakastrës, e më pas në Selenicë të Vlorës, ku u njoh me mjerimin dhe shtypjen e egër që u bëhej punëtorëve të minierës së bitumit.

Pushtimi i vendit nga Italia fashiste dhe shpirti patriotik i vlonjatëve, që e kishin ende të freskët epopenë e lavdishme të 1920-s, si dhe plagët e gjakosura të Kosovës martire, të shkëputur nga trupi i Shqipërisë mëmë, kalitën te djaloshi lumjan ndjenjën e revoltës dhe dëshirën për liri.

Ëmbëltorja “Selim Parllaku” ose ëmbëltorja “Kosova” u bë qendër e organizimit të rezistencës antifashiste në Vlorë dhe “Krajli”, siç e kishte pseudonimin Rrahmani, punonte në lokal, pa dyshuar askush se merrej me veprimtari guerile.

Që nga marsi 1942 e deri në dhjetor 1943, “Krajli” ishte një nga udhëheqësit e njësiteve guerile të qytetit të Vlorës. Më pas ai doli në mal, sepse kontributi i tij kërkohej në ballë të betejave për çlirim, ku u ngarkua me detyra të rëndësishme, të cilat i kreu me sukses.

Nis kështu rrugëtimi i gjatë i tij nëpër male e pyje, nga njëra zonë në tjetrën, nga Shqipëria e Jugut në Shqipërinë e Mesme e atë të Veriut, madje deri tutje për çlirimin e trojeve të vëllezërve kosovarë. Nga njëra betejë në tjetrën, në luftë e përpjekje të vazhdueshme përballë një armiku të egër, por edhe kushteve tepër të vështira të terrenit e të motit të ashpër, ai u kalit si një luftëtar e drejtues i zoti.

Pas çlirimit të vendit nga pushtuesit e huaj, në sajë të punës së palodhur dhe aftësive të tij, gjeneral Parllaku arriti të bëhet një nga drejtuesit e lartë të ushtrisë sonë.

Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë ai u ndesh me skenarët pro-jugosllavë për bashkimin e shtetit dhe të ushtrisë shqiptare me Jugosllavinë dhe luftoi për shkatërrimin e tyre.

Me të njëjtën vendosmëri, ai luftoi edhe pas daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, kur ushtarakët dhe udhëheqja sovjetike u përpoqën t’ia rrëmbenin Shqipërisë nëndetëset nga Baza e Pashalimanit… Por Pashalimani dhe Gjiri i Vlorës ishin kafshata që nuk kapërdiheshin aq lehtë, sepse mbroheshin nga djem nënash të drejtuar me mençuri e guxim nga ushtarakë të zotë, mes të cilëve ishte edhe gjeneral Parllaku.

Gjenerali Rrahman Parllaku ishte ndër të paktët partizanë që jetoi dhe dëshmoi për opinionin publik histori të tri kohëve, të partizanit e luftëtarit antifashist, heroit e komandantit ushtarak dhe atë të persekutimit komunist.

Pas 30 vjetësh shërbimi të përkushtuar si ushtarak, ky gjeneral i famshëm i Luftës Nacionalçlirimtare dhe i ushtrisë shqiptare, do të shpërblehej nga regjimi i E. Hoxhës me 25 vjet burg, si pjesëtar i së ashtuquajturit “Grupi Puçist i Ushtrisë”, së bashku me Beqir Ballukun, Petrit Dumen e Hito Çakon, që u dënuan me pushkatim. Por gjenerali nuk u ligështua nga balta e pistë, me të cilën deshën ta damkosnin si tradhtar. Ai arriti të mbijetojë në ato kushte ku kaloi 17 vjet të jetës së tij.

Dhe pas daljes nga burgu më 1991, nuk u pajtua me amnistinë e Ramiz Alisë, por ndoqi procedurat gjyqësore për të fituar pafajësinë. Në rekursin e bërë nga Parllaku, Gjykata e Kasacionit vendosi, më 20 korrik të vitit 1994, prishjen e vendimit të 5 nëntorit të vitit 1975 të Gjykatës Ushtarake, që e cilësoi atë fajtor dhe pushimin e akuzave të mësipërme.

Gjeneral Parllaku, që nga vitit 1998, drejtoi me përkushtim Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të LANÇ-it, duke e bërë atë, deri anëtare të denjë të Federatave Botërore e Evropiane të Veteranëve.

Ai ia doli mbi të gjitha furtunat e jetës, doli fitimtar nga Lufta Antifashiste, doli gjallë nga burgu komunist, doli fitimtar në luftën për pavarësinë e Kosovës dhe si gjenerali më i vjetër, por me mendje të re që mbështeti anëtarësimin e Shqipërisë dhe të ushtrisë shqiptare në NATO.

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës e nderoi atë në një pritje zyrtare në Presidencë, ndërsa Bashkia e Tiranës nderoi gjeneral Rrahman Parllakun me titullin “Simbol i qytetit të Tiranës”, një nga figurat emblematike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që sfidoi edhe regjimin e diktaturës komuniste. Titulli iu dorëzua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e vlerësoi gjeneral Parllakun si simbol i gjallë i kujtesës patriotike, qytetare dhe historike.

I tillë do të mbetet ai në kujtesën e bashkëluftëtarëve, shokëve e miqve të shumtë.

Sot, në nderim të tij do të mbahen homazhet në Muzeun Historik Kombëtar, nga ora 12 .00 – 14.00, të organizuara nga Protokolli Zyrtar i Shtetit

Lamtumirë, o gjenerali fitimtar i tri epokave!

 

Ndahet nga jeta ish-gjenerali Rrahman Parllaku

Gazeta “Telegraf” dhe botuesi i saj, Agim Çiraku, shprehin ngushëllimet më të ndjera për ndarjen nga jeta të gjeneral Rrahman Parllakut, familjarëve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe OBVL të lanç. Rrahman Parllaku, figura madhore e luftëtarit, një prej udhëheqësve ushtarakë, atdhetar dhe publicist, me të cilin gazeta jonë bashkëpunoi në shërbim të Atdheut, demokracisë dhe integrimit të

Shqipërisë në NATO.

Është ndarë nga jeta ish-gjenerali Rrahman Parllaku në moshën 100-vjeçare. Ish-gjenerali Rrahman Parllaku Lindi në fshatin Novosej të Lumës.  Më  6 janar 1943 u caktua komandant i njësiteve guerile të qytetit të Vlorës deri më 28 nëntor 1943. Gjatë Operacionit armik të Dimrit 1943-1944, emërohet zëvendës komisar i Brigadës së 8-të.  Në vitin 1947 i jepet grada kolonel. Në dhjetor të vitit 1947, Parllaku u caktua në detyrën e drejtorit Politik të Ushtrisë, detyrë të cilën e kreu deri në prill të vitit 1948, kur u dërgua të studionte jashtë shtetit.  Nga viti 1961 deri në vitin 1967 kreu detyrën e komandantit të Forcave Ushtarako-Detare dhe më pas komisar i këtyre forcave dhe iu dha grada gjeneral-leitnant. Në vitet 1969-1970 do të shërbente si komisar i Forcave Ushtarako-Ajrore dhe një vit më vonë u emërua zëvendësministër për Përgatitjen Luftarake të Ushtrisë. Për merita të veçanta i është dhënë titulli “Hero i Popullit” dhe është dekoruar me 9 urdhra e tri medalje të luftës dhe 3 urdhra të shërbimit ushtarak. Parllaku, ka qenë zgjedhur deputet i Kukësit në Kuvendin Popullor për 7 legjislatura rresht, që nga viti 1945 deri në vitin 1973. Gjeneral Parllaku ka qenë kandidat i KQ të PKSH që nga tetori i vitit 1944 deri në Kongresin e Parë. Në kongresin e Katërt rizgjidhet përsëri kandidat i KQ të PPSH dhe në Kongreset e Pestë e të Gjashtë anëtar i këtij Komiteti. Parllaku u arrestua dhe dënua për pjesëmarrje në të ashtuquajturin “puç ushtarak”, nën akuzën e “krimit dhe tradhtisë ndaj atdheut, sabotimit dhe agjitacionit dhe propagandës me rrezikshmëri të lartë”, u dënua me 25 vjet heqje lirie, nga të cilat 16 vjet e tri muaj i vuajti në burg, nga dhjetori i vitit 1974 deri më 17 mars të vitit 1991.