“Lajthit” Drejtori Ujësjellësit të Tepelenës, i kërkon qeverisë të spostoj… lumin!

532
Ujësjellësi i Tepelenës, nuk është futur këto ditë në qendër të vëmendjes, vetëm për dëmtimet që i kanë shkaktuar rrjetit të tij dallgët e lumit dhe shkarjet e dherave ku kalon linja e tubacionit, por është bërë objekt humori edhe për një (siç thotë Labëria) “shkarje” të drejtorit të këtij ujësjellësi Arben Kaçorri, i cili me propozimin e tij për “rilindjen” e ujësjellësit të Tepelenës, patjetër që do të mbetet i vetmi rast “Guines” në historinë e vjetër, të sotme e të ardhme të drejtorëve të Shqipërisë! Fabula e humorit të radhës, që na vjen nga një tjetër zyrtar i pushtetit të “Rilindjes në Tepelenë, i ka kaluar përmasat e zakonshme publicitare. Është fjala për deklaratën publike që ka bërë drejtori Arben Kaçorri i (mos)Ujësjellësit të rrethit të Tepelenës. Çfarë ka ndodhur? Tre ditë më parë, një dallgë e lumit Bënçë dëmtoi tubin që furnizon me ujë një lagje banimi me 50 familje në zonën “Corodol”, në periferi të qytetit të Tepelenës. Pas këputjes së tubit të ujit, drejtori Arben Kaçorri veshi jelekun e hidraulikut dhe shkoi në “vendin e krimit” që kishte bërë… lumi Bënçë! Pasi rrotulloi sytë me vigjilencë, në përpjekje për të “zbuluar ndonjë akt sabotimi”, hodhi 2-3 gurë zalli në rrjedhën e lumit si dikur në kohën e fëmijërisë, shkelmoi me ulërima tubin e këputur dhe njoftoi kamerat televizive për prononcimin e radhës! Doli publikisht në medie, duke bërë 1 akuzë kundër tubit të këputur të ujësjellësit dhe 1 propozim-kërkesë drejtuar qeverisë, për zgjidhjen e “hallit të madh” që e ka zënë me rrjetin e tubacionit! 

Ai, akuzoi si shkak të mbetjes pa ujë, rrjetin e amortizuar të ujësjellësit që nuk e përballoi dot dallgën e lumit, për të cilin drejtor Kaçorri u “betua” se “lumi anti-reformë” që “thau” për ujë 50 familje, do të thahej shumë shpejt. Si mësues fizike dhe informatike, bëri disa përllogaritje të forcës tërheqëse e ngritëse të ujit, të kundërveprimit të forcave me kahje të kundërta e të njëjta, të presionit brenda në tub, të efektit goditës të dheut, gurëve e dallgëve mbi tubin e ujit, por nuk “finalizoi” asgjë. Ajo për të cilën ishte i bindur, ishte fakti që tubin nuk e kishin këputur peshqit se ata janë zhdukur nga dinamiti! Edhe inxhinieri specialist që ka në vartësi në zyrë, nuk i dha ndonjë ide se si mund ta thante lumin që i morri ujësjellësin. Këshillin Mbikëqyrës nuk e pyeti fare, mbasi e di që anëtarët e këtij këshilli jo vetëm nuk kanë “haber” nga punët e ujësjellësit, por as nuk pijnë ujë prej tij, mbasi e dinë që është “baltë e aromë”! U telefonoi disa kolegëve drejtorë të Ujësjellësve në bashkitë ku ka lumenj e përrenj, por ata i thanë se nuk dinin të thanin as djersët që u rridhnin gjatë kërcimit nëpër disko e “dreka pune” e jo të jepnin mendje, për të tharë lumin e Bënçës në Tepelenë! Pasi u konsultua me bosët e një firme ndërtimi, ata ia mbyllën telefonin me tërsëllimë, duke i kujtuar “pabesinë” që drejtor Arbeni u kishte bërë 1 javë para Vitit të Ri 2015, kur në datën 22.12.2014 i shpalli fitues tenderi dhe me Vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik Nr. 22/2015, me Nr. 5 prot. të datës 06. 01. 2015, ua anuloi tenderin me vlerë të kualifikuar 610 milionë, 094 mijë e 574 lekë (pa 20% TVSH), fond i shpallur fitues si tender antiligjor, me fitues të kualifikuar më procedura abuzive për fitimin e tenderit për ndërtimin e linjës së Ujësjellësit Tepelenë-Memaliaj! I mbetur në hall, drejtor Kaçorri vendosi të bënte një deklaratë në media. Ai iu drejtua qeverisë me këtë kërkesë, tipik komike: Që ujësjellësin të mos e marrë më lumi, kërkojmë të spostohet lumi! Ec e kuptoje këtë mendje, që nëse psh., do të ndodhte të shpërthente një përrua nga mali, do kërkonte të spostohej… mali! Ose, siç bëjnë humor tepelenasit, nëse bllokohet tubi i ujit brenda Kalasë së Ali Pashës, sipas tij duhet të spostohet… Kalaja! Ajo ç’ka është emergjente nuk është spostimi i lumit, por spostimi nga (ç)drejtimi i punëve, i drejtorit militant partie që kërkon spostimin e lumit, natyrisht spostim që nuk duhet bërë vetëm për propozimin komik, por edhe për disa “letra të turbullta” që do t’i publikojmë në vijim…
Zeqo Buzi
Sigal