Laguna e Patokut

3769
Gjatë bregut shqiptar të Adriatikut, Kompleksi Ligatinor i Patokut përfaqëson një nga bukuritë natyrore më interesante te këtij bregu. I ndodhur ndërmjet Lumit Mat në Veri dhe Lumit Ishem në Jug, ky kompleks përfshin një llojshmëri të lartë habitatesh: laguna e brendshme dhe e jashtme (480 ha), pylli (200ha), tokat bujqësore (450ha) dhe blegtorale (150ha). Kjo është ajo çfarë ka mbetur nga një zonë e mëparshme prej 4200 ha që ka kaluar një proces interesant zhvillimi, për shkak te faktorëve natyrore dhe aktiviteteve njerëzore.
E krijuar gjatë periudhës se Holocenit, kjo zonë karakterizohej nga një dinamizëm i lartë gjeomorfologjik. Zhvillimi i tij ka kaluar 4 faza, të cilat korrespondojnë me formimin e 4 lagunave, të ndara nga kordonë litorale. Laguna e katërt është Laguna aktuale e Patokut. Një lagunë e pestë (laguna e jashtme aktuale) është në një proces formimi aktiv, e influencuar edhe nga një zhvillim i shpejte i kordonit litoral në pjesën perëndimore. E gjithë zona është e rrafshët dhe karakterizohet nga një proces intensiv tektonik dhe ujëra të shumtë nëntokësore. Procesi natyror i zhvillimit të lagunës i detyrohet 3 faktorëve kryesore: rrëgjimit te Lumit Ishem, rrëgjimit te Lumit Mat dhe rrëgjimit talasografik. Deri në vitet 50 te shekullit XX kane dominuar zhvillimet spontane dhe në të gjithë zonën kane mbizotëruar elementet natyrore të habitateve. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, aktivitetet njerëzore kanë luajtur një rol te rëndësishëm në ndryshimet e këtij ekosistemi nëpërmjet drenazhimeve, ndërtimit te digave, shpyllëzimeve etj. Laguna e Patokut, që përbën edhe atraksionin më të madh natyror të komunës ndahet nga deti nga një rrip rëre, i cili po zhvillohet me shpejtësi kohët e fundit. Në tre vende të ndryshme të saj ndodhen kanale që lejojnë komunikimin e lagunës me limanin. Pjesa e sipërme ka një komunikim, ndërsa e poshtmja dy. Më në perëndim është laguna e jashtme, e cila është në proçes zhvillimi. Në basenin përreth lagunës ka edhe këneta, të cilat ekzistojnë për shkak se toka është nën nivelin e detit dhe sistemi kullues – bonifikues nuk funksionon në rregull. 
Karakteristikat fiziko-gjeografike
Karakteristikat fiziko-gjeografike të kësaj zone janë faktor kryesor për potencialet e zhvillimit të saj dhe e bëjnë atë mjaft tërheqëse në shume aspekte. Dimri relativisht i butë dhe vera e freskët, 2479 orë me diell në vit, temperatura mesatare vjetore 15,5 °C dhe sasia mesatare vjetore e reshjeve 1463 mm, tregojnë një potencial të lartë klimatik, që ushtron një ndikim të madh në zhvillimin intensiv të ekosistemit.
Këto karakteristika dhe shumëllojshmëria e habitateve janë të lidhur ngushtë me biodiversitetin e lartë të Kompleksit Ligatinor të Patokut. Shumëllojshmëria e bimësisë është një nga karakteristikat më spikatëse te këtij kompleksi. Nga bimët detare, në pjesën perëndimore, më të zakonshmet janë livadhet nënujore të Fucus virsoides dhe Posidonia oceanica. Bimësia ujore e lagunës karakterizohen nga sasi e madhe e mikroalgave, sepse ka rritje te shpeshte te trofise si rrjedhoje e rritjes se azotit dhe fosforit. Një nga treguesit e kësaj gjendjeje është edhe sasia e lartë e diatomeve.
Makroalgat e lagunës i përkasin algave të gjelbra (Chlorophyta) dhe algave të murrme (Pheophyta). Livadhet e fanerogameve mbulojnë rreth 40 % te fundit te lagunës. Ato përbëhen nga Zostera noltii, por në ujëra të cekët dhe të qetë gjendet gjithashtu Ruppia spiralis. Kjo fitocenoze ka një rol shumë të rëndësishëm në lagunë.
Bimësia higro dhe hidrofile mbulon një zonë të konsiderueshme të pjesëve periferike të lagunës. Ato dominohen nga 3 shoqërime kryesore të kallamishtes (Phragmites), shavarit (Thypha) dhe shqirrës (Scirpus).
Bimësia halofile është me e prajshme në pjesën veriore dhe jugore të lagunës. Kjo bimësi i përket disa shoqërimeve, nga të cilat me të rëndësishme janë ato me Arthrocnemum dhe Juncus.
Bimësia e dunave gjendet kryesisht në pjesën perëndimore, me një numër të lartë llojesh. Shkurret në brigjet e lagunës dominohen nga marina (Tamarix), konopica (Vitex) dhe manaferra (Rubus).
Sipërfaqja pyjore më e rëndësishme i përket pyllit të Fushë-Kuqes, në pjesën lindore të lagunës. Aktualisht ka mbetur vetëm gjysma e sipërfaqjes se pyllit dikur të famshëm, ku mbizotërojnë verri (Alnus glutinosa), frashëri (Fraxinus angustifolia) dhe më pak vidhi (Ulmus campestre), rrenja (Quercus robur), plepi i bardhë (Populus alba), pisha e butë (Pinus pinea) dhe pisha e egër (Pinus halepensis). Sipërfaqe të vogla me plep dhe akacie janë pyllëzuar artificialisht prej disa dhjetëra vitesh.
Fauna 
Fauna invertebrore e Kompleksit Ligatinor te Patokut dhe pellgut ujëmbledhes te tij, duke përfshire ujërat e ëmbla, kanalet, kënetat, estuaret dhe bregun rreth lagunës, karakterizohet nga një shumëllojshmëri e grupeve dhe llojeve, nga molusqet (midhjet dhe kermijte) deri tek gaforret dhe insektet.
Iktiofauna përben një nga vlerat me të çmuara te lagunës, me shumë lloje peshqish me interes ekonomik, siç janë qefujt(Mugil cephalus, Liza ramada, Liza saliens), ngjala (Anguilla anguilla), barbuni (Mullus barbatus), gjuheza (Solea vulgaris),koca (Sparus auratus), levreku (Dicentrarcus labrax) etj.
Amfibet dhe zvarraniket (Herpetofauna) gjenden me shumë në pyje, këneta dhe kanalet rreth lagunës. Është interesant të theksohet sasia e madhe e breshkave te ujit (Caretta caretta) në brigjet e detit afër lagunës dhe prania e breshkave të gjelbra (Chelonia mydas).
Pozicioni i favorshëm dhe shumëllojshmëria e habitateve rreth lagunës kanë krijuar kushte të përshtatshme për ornitofaunen. Inventarizimi i shpendëve ka regjistruar numër të lartë llojesh, që i përkasin shpendëve të ujit, shkurretave, pyjeve, kullotave, dunave dhe tokave bujqësore. Në Kompleksin Ligatinor te Patokut është regjistruar numër i madh llojesh të shpendëve të kërcënuar në shkallë botërore si Pelecanus crispus, Phalacrocorax pygmaeus, Ciconia ciconia, Platalea leucorodia dhe Numenius tenuirostris.
Mamalofauna e Kompleksit te Patokut karakterizohet nga një numër i vogël llojesh dhe një degradim i strukturës se komunitetit. Kjo është me tepër e lidhur me tharjen e kënetave dhe shpyllëzimin e zonës. Mishngrënësit me te zakonshëm janë çakalli (Canis aureus), dhelpra (Vulpes vulpes), lundërza (Lutra lutra), baldosa (Meles meles), nuselala (Mustela nivalis) dhe qelbësi (Mustela putorius).
Në aspektin administrativ, Kompleksi Ligatinor i Patokut i përket Komunës se Fushe–Kuqes me 5 fshatrat: Adriatik, Patok, Gorre, Gurrëz dhe Fushe-Kuqe. Ajo ka një popullsi prej 7600 banore me një densitet prej 206 banore/km². Karakteristikat e saj natyrore ndihmojnë zhvillimin tradicional te zonës nëpërmjet bujqësisë, peshkimit dhe turizmit.
Komuna e Fushë–Kuqes ka potencial të lartë energjetik dhe temperaturë të përshtatshme për shumë bimë bujqësore. Një avantazh tjetër është sasia e madhe e ujërave të ëmbla. Bujqësia ka një fond gjenetik të pasur. Bujqësia tradicionale bazohet kryesisht tek drithërat, patatet, fasule, shalqi, vreshta etj. Ekziston gjithashtu një traditë e vjetër në mbarështimin e bagëtive, veçanërisht të deleve dhe kuajve.
Peshkimi është një tjetër përparësi për zhvillimin e zonës. Bregdeti, laguna dhe 2 lumenjtë krijojnë kushte të përshtatshme natyrore për zhvillimin e peshkimit me interes të madh ekonomik. Kompleksi i Patokut karakterizohet nga një shumëllojshmëri e peshqve. Pozicioni gjeografik i kësaj zone lehtëson komunikimin me tregjet e shitjes, gjë që përben një tjetër faktor për perspektivën e mirë të zhvillimit të peshkimit.
Turizmi ekologjik 
Turizmi ekologjik është një nga potencialet më të rëndësishme për zhvillimin e zonës. Karakteristikat e saj natyrore me llojshmërinë e larte të habitateve (det, lagunë, pyll, lumenj, tokë bujqësore), biodiversitetin e pasur me shumë grupe te florës dhe faunës, ekzistencën e bujqësisë dhe peshkimit tradicional janë faktorë kryesore për zhvillimin e eko-turizmit. Pozicioni i kësaj zone pranë Tiranës dhe rrugëve nacionale e lehtëson ardhjen e turisteve, nëse do të përmirësohej infrastruktura e kësaj zone në një të ardhme të afërt. Nëqoftëse burimet natyrore do të administrohen në mënyrën e duhur dhe metodat tradicionale për rritjen e gjendjes ekonomike do te vazhdojnë te aplikohen, kjo zone do te ketë një perspektive të mirë zhvillimi, të bazuar në zhvillimin e qëndrueshëm. Laguna e Patokut dhe zona përreth zenë një sipërfaqe prej rreth 400 ha, e cila është ndarë në dy pjesë nga një digë mbi të cilën është ndëtuar një rrugë. Pjesa veriore, e quajtur “Patok i Vjetër”, i ngjan më shumë një gjiri gati të mbyllur nga një rrip rëre. Pjesa jugore lidhet artificalisht me detin. Të dy pjesët përbejnë terrene ideale për vozitje dhe sporte ujore. Këto mjete që mund të vihen në efiçencë nga sektori privat mund të shërbejnë si atraksione të rëndësishme turistike dhe krijojnë një bazë të rendësishme për zhvillimin e aktiviteteteve ujore dhe rekreacionin sportiv. Edhe shëtitjet me kanoe përgjatë bregut dhe grykëderdhjes së Lumit Mat përbejnë ekperienca mbresëlënëse për amatorët e peshkimit dhe eksplorimit të natyrës, florës dhe faunës detare. Për të apasionuarit pas natyrës dhe eksplorimit të mjediseve të virgjëra natyrore, lundrimi përgjatë grykëderdhjes së Lumit Mat ofron një sfidë të vërtetë. Kjo pasi bimësia e pasur ligationore në të dy anët e lumit, dhe rrjedhja e tij relativisht e qetë gjatë periudhës së verës përbëjnë një aventurë të këndshme për eksploratorët dhe lundruesit e varkave me rrema, ose me kanoe. Përveç kësaj, prania e bollshme e llojeve të ndryshme të peshqve, sidomos e qefullit, ofron zbavitje dhe mundësi të mëdha argëtuese për të apasionuarit pas peshkimit me grep dhe peshkatarëve sportivë.
Peshkimi 
Peshkimi mbetet një sektor perspektiv i zhvillimit ekonomik të zonës, por jo kryesor e i barazvlefshëm me bujqësinë. Janë rritur mundësitë për të përsosur teknikën e zënies së peshkut e gjithashtu edhe mundësitë e komunikimit me tregjet. Problem kryesor është ruajtja e ekosistemeve ujore dhe shfrytëzimi racional i rezervave peshkore. Ndër peshqit që peshkohen më shumë janë qejfulli, levreku dhe ngjala. Peshku i kapur tregtohet kryesisht në Tiranë, Laç dhe Fushë Kuqe.
Sigal