Labëria kuvendon për një Shqipëri Europiane

553
Sigal

Dje në datën 12 nëntor 2014, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar SHOQATA “LABËRIA”, organizoi sezon shkencor me rastin e 70-vjetorit

E vēmendshme si gjithmonë ndaj ngjarjeve kulmore të Labërisë në veçanti por edhe të vendit e Kombit në përgjithësi, Shoqata “Labëria” organizoi dje në Tiranë sesionin shkencor me temë “Labëria në 70 vjetorin e çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazi-fashist”. Shoqata kulturore atdhetare “Labëria”, në bashkëpunim me muzeun historik kombëtar , këtë aktivitet plot entuziazëm, e zhvilloi në orën 11:00, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar.

Respekt i veçantë

Në këtë takim kaq mbresëlënës të mbushur me sallën plot, ku ishin rreth 500 vetë, u diskutua dhe u mbajtën kumtesa nga Profesorë, historianë, akademikë etj… Në këtë sesion u tregua qartë se Lufta Nacional-Çlirimtare mbetet një luftë unikale, një luftë legjendare, një luftë, ku Shqipëria u rreshtua përkrah fituesve, përkrah vendeve që e luftuan nazi-fashizmin. Në këtë luftë ku morën pjesë rreth 70 mijë luftëtarë, Shqipëria ishte ndër vendet e pakta Ballkanike që  u çlirua me forcat e veta, madje ndihmoi edhe në çlirimin e Jugosllavisë. Në këtë luftë të pashoqe, ranë 28 mijë dëshmorë, 28 mijë yje të qiellit të pashoq shqiptar. Ranë ata që dëshironin një Shqipëri të lirë, një Shqipëri demokratike, një Shqipëri që të lulëzojë dhe të jetë e denjë dhe krenare kudo në botë. Në këtë luftë morën pjesë 6 mijë gra, ndoshta shifra më unike në botë. Kjo është Shqipëria, kjo është gruaja shqiptare, kjo është e vërteta e luftës nacional-çlirimtare. Në fjalën e tij të hapjes Prof. Ago Nezha përcolli qartë mesazhin e kësaj lufte, Prof. Paskal Milo portretizoi se “pa këtë luftë do ishim copëtuar”, Prof. Pëllumb Xhufi e cilësoi “luftë unikale”, “Gjykimi mbi luftën ANÇ, pas 70 vjetëve mbetet tejet vlerësuese” veçoi  Prof. Dr. Xhelal Gjeçovi, “Marrëdhëniet e aleatëve të mëdhenj me LNÇL e kanë vlerësuar shume këtë luftë” nënvizoi Prof. Dr. Hamit Kaba.

Labëria Europiane

E tillë ka qenë dhe do të mbetet kjo trevë  e sertë, por vitale e kombit tonë. Në këtë truall të ashpër, por plot dinjitet, kanë dalë burra dhe gra, që kanë treguar vizion, prosperitet, inteligjencë, dëshirë për bashkëjetesë paqësore me fqinjët, ide dhe mendim përparimtar në çdo periudhë historike. Ismail Qemali, Çerçiz Topulli, Selam Musai dhe të gjithë dëshmorët e luftës nacional çlirimtare, kanë treguar se rruga e Shqipërisë është drejt Europës, është drejt përparimit perëndimor. Këtë dëshirë labët e kanë treguar në përpjekjet e tyre për liri, për arsimim dhe për bashkim. Asnjëherë kjo trevë dhe ky komb nuk ka ndërmarrë sulme ndaj fqinjëve, asnjëherë nuk ka qenë me synime pushtuese, përkundrazi ka përcjellë mesazhe bashkëjetese, mirëkuptimi, vëllazërimi. Labëria ka qenë dhe do mbetet një trevë që ka parë me shekuj drejt Evropës, e ka thënë fjalën e saj me dinjitet, me kulturë dhe pse jo dhe me pushkë. Djemtë e saj kanë qenë dhe mbeten idedhënës për ndërtimin e një shteti demokratik, të emancipuar me të gjitha normat dhe rregullat e një shteti të mirëorganizuar Europian. Jo më kot të gjitha pikat historike të çlirimit, pavarësisë, bashkimit dhe tolerancës janë lidhur me këtë trevë të sertë në pamje port ë madhe në zemër. Labëria ka qenë kurdoherë europiane dhe ka përkrahur perëndimin evropian. Gjithë historia e emigrimit të kësaj treve është lidhur me Italinë, Francën, Anglinë, çka ka treguar dëshirën e saj të jetë përkrah qytetërimit më të civilizuar europian.

 Historia e Labërisë

Një histori sa legjendare po aq e pabesueshme. Një histori luftërash për pavarësi, emancipim, dituri, mirëkuptim. Një histori e mbushur me guxim, mençuri, patriotizëm dhe besë. Hostorikisht Labëria është vetorganizuar për aksione të guximshme të çështjes Kombëtare. Më 23 korrik të vitit 1908 xhonturqit shpallën “Hyrjetin”- (Kushtetutën) që premtoi liri kombëtare nënë perandorinë e saj. Ashtu si edhe të tjerë, shqiptarët e interesuar jo për portofole perandorake, po për interesa madhore kombëtare, duke ju mbetur besnik “Lidhjes së Prizrenit”, “7 Marsit të Korçës” etj, i besuan por dhe nuk fjetën gjumë përpara kësaj deklarate. Uji fle, hasmi s’fle. Ndoshta “Hyrjeti” ishte ngjarje që kalendari historik donte që shqiptarët ti vinte në gjumë. Por jo Labërinë. Në këtë kohë mençuria labe dhe ajka vlonjate ndërmori më 11 tetor 1908 aktin e themelimit të “Klubit LABËRIA” që shënoi edhe njëherë devizën e kësaj treve: Të jemi vigjilentë, të luftojmë për lirinë, të kërkojmë sovranitet.  Është detyrimi ynë si pasardhës të tyre, të kujtojmë, të evidentojmë dhe të nderojmë, po dhe të kryejmë mirë detyrimin tonë historik, në vazhdim të veprës së tyre, në shërbim të atdheut, kombit!

Mesazhi i një sezoni shkencor

Kushdo që ishte pjesëmarrës në këtë takim lexoi qartë mesazhin e këtij sezoni shkencor që përkon me 70-vjetorin e çlirimit të Atdheut. Ky takim përcolli qartë mesazhin e tij. Mesazh i mirëfilltë me karakter emancipues, bashkëpunues, qytetërues. Atë mesazh që ka vite që bota e qytetëruar e përmend në çdo  aktivitet me rastin e 5 majit. Jo më luftëra shfarosëse. Jo më dhimbje, shkatërrime, përpjekje sfilitëse. Është koha e bashkim vëllazërimit, e qytetarisë për një botë pa luftëra dhe pa gjak.  Është koha e vlerësimit të fituesve të luftës së dytë botërore dhe e nxjerrjes së mësimeve nga kjo luftë. Shqipëria nga kjo luftë doli fitimtare, faqebardhë, vetëmohuese, krenare mes fitimtarëve.

Albert Z. ZHOLI

****

Një aktivitet thellësisht patriotik

Sejmen Gjokoli

Ky sesion u organizua në bashkëpunim edhe me Muzeun Historik Kombëtar veç të tjerash edhe si një tregues se veprimtaria e shoqatës “Labëria” është thellësisht atdhetare e patriotike por edhe në respekt të plot të historisë dhe vlerave të popullit shqiptar.
Interesim i jashtëzakonshëm, pjesëmarrje tej kapacitetit dhe mundësive që ofrojnë ambientet e Muzeut Kombëtar…
Një takim mjaft dinjitoz,me pjesëmarrje të gjerë të elitës së Labërisë, kësaj krahine emër e lavdi madhe por edhe personalitete të tilla si prof. Rexhep Qose, ish- Presidenti Alfred Moisiu, prof. Servet Pëllumbi, prof. Sabit Brokaj etj..
Sesionin e hapi kryetari i shoqatës kombëtare “Labëria”, prof. Ago Nezha.
Pastaj kumtuan temat e tyre të përgatitura me mjaft tharm shkencor, prof. Paskal Milo, prof. Xhelal Gjeçovi, prof. Pëllumb Xhufi, prof. Hamit Kaba, zv.drejtori i Muzeut Kombëtar Dorian Koçi.
Ky sesion tregoi edhe një herë seriozitetin dhe përgjegjësinë që Labëria ka në vlerësim të ngjarjeve dhe historisë madhore e vendimtare në fatet e Shqipërisë e Kombit. Në fjalën e tij të hapjes Prof. Ago Nezha përcolli rolin e trevës së Labërisë në këtë luftë, ku sipas tij luajti rol vendimtar. Jo vetëm në këtë futë, por në të gjitha luftërat patriotike, Labëria ka qenë e para që është gjendur në balël të tyre, për një Shqipëri të pavarur. Në përfundim të fjalës së tij, z. Nezha e vuri theksin në rolin që duhet të luajnë këto kumtesa dhe te ky sesion shkencor, tek të rinjtë për të njohur më shumë luftën dhe rolin e trevës së Labërisë në këtë luftë.

Box 2

PROGRAMI

  1. Fjala e hapjes: Prof. Dr. Ago NEZHA
  2. “Lufta Nacional-Çlirimtare-ngjarje historike e patjetërsueshme”: Prof. Dr. Paskal Milo
  3. “Gjykimi mbi luftën ANÇ, pas 70 vjetëve”: Prof. Dr. Xhelal Gjeçovi
  4.  “Nacionalizmi në Shqipëri gjatë luftës Antifashiste”: Prof. Dr. Pëllumb Xhufi
  5. “Shqipëria në aleancën e madhe antifashiste”: z. Melsi Labi
  6. “Marrëdhëniet e aleatëve të mëdhenj me LNÇL: Prof. Dr. Hamit Kaba
  7. “Britanikët dhe misionet e tyre në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore”, z. Dorian Koçi