“La Repubblica”: Midis arkeologjisë e bunkerëve, hijeshia dhe kontraditat e Shqipërisë

516
Numri i turistëve italianë për të kaluar pushimet në tokën e shqiponjave, një krahasim që e përdorin shpesh mediat e huaja, ka ardhur gjithnjë në rritje.
Disa nga sekretet e kësaj bukurie me numrin gjithnjë e në rritje të turistëve italianë që e vizitojnë, i ka përcjellë sot në faqet e saj e përditshmja e njohur italiane “La Repubblica” në reportazhin e titulluar “Midis arkeologjisë e bunkerëve, hijeshia e kontraditat e Shqipërisë.”
Prej janarit të 2017 e deri më korrik rreth 56 % më shumë turistë italianë kanë vizituar vendin tonë në krahasim me një vit më parë.
“Afërsia, deti që pasqyron atë të Puglias e kosto e ulët e jetesës janë arsyet që ka shtyrë 182 mijë italianë të kalojnë sivjet pushimet në vendin e shqiponjave”, shkruan “La Repubblica”.
“Vite më parë për këdo që udhëtonte në gadishullin Ballkanik, i duhej të xhironte përqark Shqipërisë për të vazhduar udhëtimin e tij. Sot në këtë vend që ka lënë pas 46 vite regjimi që e izoluan nga pjesa e tjetër e botës, zbulojmë një destinacion turistik.”
“Vendpushimet e jugut, ku ndër të parat është Saranda, janë më të preferuarat në sezonin turistik. Ashtu siç përfshihen në udhëtimet turistike dhe zonat arkeologjike të Butrintit, Gjirokastrës e Beratit, të cilat ruajnë e rrëfejnë të kaluarën”.
“Veriu, shkruan “La Repubblica”, është më pak i eksploruar, megjithëse ofron skenar natyralë habitëse që të largojnë nga hovi i madh i modernizimit që po i ndryshon pamjen Shqipërisë.”
Udhëtimi i medias italiane në Shqipëri ndalet në Shkodër, ku Muzeu Historik i qytetit ka qenë dikur burg i regjimit.
“Janë ruajtur disa nga qelitë e dhomat e torturave. Në qytet ishin 23 vende të tilla për 24 mijë banorë.”
Në Shkodër gjendet një pjesë tjetër e historisë, Muzeu Marubi i fotografit italian nga Piacenza, Pietro Marubi që u largua nga Italia i përshirë në vrasjen e Duca di Parma Carlo III di Borbone.Pasi mbërriti në Shkodër ai ngriti studion e tij fotografike.
Por Shkodra është dhe “porta e hyrjes në dy vende magjepse; Thethi e Koman.”
Në Theth, pika referimi janë Kisha me kompleksin e vogël të varrezave, shkolla në ngjyrë blu e jeshile, e Kulla e ngujimit. Udhëtimi vazhdon në Surin e Kaltër dhe në Ujvarën e Grunasit.
“Të ndalosh një natë në këtë vend është e detyrueshme, shkruan “La Repubblica”, “Mjaft banorë kanë shndërruar banesat e tyre në hotele të vogla, janë sistemuar thjesht e me një dritë elektrike shumë të dobët, sa për të lexuar duhet të presësh dritën e ditës. Ndërsa për më të stërviturit fizikisht, udhëtimi mund të vazhdojë drejt Valbonës duke ecur nëpër male në një rrugë të populluar nga arinj. shqiponja e ujqër.”
Reportazhi i medias italiane vazhdon në Koman mbërritja në të cilin “është piktoreske”. “Pamja të mbush sytë: ujë, dy anije, hoteli e në të djathtë, drejt së pafundmes shtrihet muri mbajtës i digës. Jeshil ngjyra e lumit, jeshil peisazhi përreth. Gjire e ishuj përkëdhelen nga dielli e era. Prej këtu kufiri me Kosovën ëshë një orë rrugë e mund të jetë një rast për një tjetër udhëtim.”
Sigal