Kuvendi një minutë heshtje për viktimat e tërmetit

178

Kuvendi e ka nisur seancën e sotme me një minutë heshtje për viktimat e tërmetit të rëndë që goditi vendin më 26 nëntor.

Më tej kreu i parlamentit Gramoz Ruçi ka bërë një refleksion për situatën dhe punën e Kuvendit.

Ai falënderoi të gjithë qytetarët që u solidarizuan me situatën, opozitën parlamentare dhe atë jo parlamentare si dhe qeverinë për impenjimin.

Një mesazh i fortë i kreut të Kuvendit kishte të bënte me ligjet që miraton që kanë të bëjnë me tokën dhe natyrën. Ruçi tha se nuk duhet kurrsesi të miratohen ligje që i kundërvihen ligjeve të natyrës. Kreu i Kuvendit i shtriu dorën për bashkëpunim opozitës joparlamentare.

“Ne ligjvënësit duhet ta lexojmë mirë e thellë sjelljen e qytetarëve tanë dhe bashkëkombësve tanë. Do inkurajoja kolegët deputetë që këto ditë dhe jo vetëm u gjendën dhe do të gjenden pranë qytetarëve. Do vlerësoja impenjimin e qeverisë për masat emergjente.

Do falënderoja të gjitha palët politike, përfshirë dhe opozitën parlamentare dhe jo parlamentare që dhanë shenja mirëkuptimi.

Të gjithë shqiptarët presin që relaksimi i betejave politike të pasohet nga një bashkëpunim politik.

Ju bëj thirrje të gjitha palëve që si një lutje për shpirtin e viktimave, të ndiejmë apelin për ata që humbën jetën, të lënduarit dhe ata që humbën shtëpitë dhe të bashkëpunojë për të lehtësuar dhimbjen e tyre.

Gjatë viteve të fundit por edhe 2-3 dekadave kemi bërë shumë reforma. Por 26 nëntori duhet të na zgjojë dhe duhet të na kujtojë se diçka nuk e kemi bërë mirë dhe si duhet.
I ndaj ligjet që kemi bërë në dy grupe, ligje për shoqërinë dhe ligje për marrëdhënien me natyrën.

Në këtë grup të dytë sigurisht që situata na nxori se ka diçka që nuk shkon. Ndaj mendoj se legjislacioni për tokën dhe çështje që lidhen me natyrën dhe kapriçot e saj nuk është thjesht e papërsosur. Kemi mjaft probleme.

Ne të nderuar kolegë mund të merremi vesh shumë mirë me njeri-tjetrin por a mbështetën të gjitha ligjet tona në mirëkuptim me natyrën. Natyra mund të jetë shumë e pabesë por kjo rritet me injorancën.

Kërkoj që ligjet që miratojmë nuk mund dhe nuk duhet t’i kundërvihen ligjësive të natyrës”, deklaroi Ruçi.