Kushtetuesja rrëzon Shoqatën e Mbrojtjes së Tregtarëve “Për taksat vendore”

493
Sigal

Gjykata
Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e bërë nga Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve
dhe të Tregut, për të shfuqizuar ligjin “Për taksat vendore” që ka hyrë në fuqi
në fillim të muajit janar. Kjo do të thotë se biznesi do të vazhdojë t’i
nënshtrohet këtij regjimi. Trupa e përbërë nga shtatë gjyqtarë ka pranuar si të
drejtë vetëm pretendimin në lidhje me hyrjen në fuqi të gabuar të ligjit (neni
18) i cili duhet të niste efektet në datë 20 shkurt dhe jo në datë 1 janar. Si
rrjedhim, biznesit do t’i kthehen detyrimet e paguara tepër vetëm për një
periudhë 45-ditore. Të gjitha pretendimet e tjera të rreshtuara në kërkesë janë
rrëzuar. Biznesi e ka konsideruar të padrejtë vendimin e Kushtetueses duke
thënë se ai ligj është antikushtetues dhe se zbatimi i tij ka rënduar gjendjen
e sipërmarrjes. Ja çfarë thuhet në njoftimin e publikuar nga kjo gjykatë:

“Gjykata
Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë në datën 01.11.2016 shqyrtoi çështjen
me palë: Kërkues: Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut dhe Dhoma e
Tregtisë dhe Industrisë. Subjekte të interesuara: Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli
i Ministrave.

Objekti:
Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të
ligjit nr. 142/2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9632, datë
30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar. Shpallja si e
papajtueshme me Kushtetutën e pikës 2 të nenit 14 të ligjit nr. 9632, datë
30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar. Pezullimi i zbatimit
të ligjit deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata
Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e
ngritura nga kërkuesja si dhe prapësimet e paraqitura nga subjektet e
interesuara, në mbështetje të nenit 131/a dhe 134/h të Kushtetutës, si dhe të
ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës
Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, vendosi: Pranimin pjesërisht të
kërkesës, duke shfuqizuar vetëm nenin 18 të ligjit nr. 142/2015 “Për disa
shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e
taksave vendore”, të ndryshuar; refuzimin e kërkesës për nenin 27 të ligjit
(ndryshuar me nenin 14) dhe rrëzimin e kërkesës për pjesët e tjera.