Kush përfiton nga të paraburgosurit dhe të dënuarit?

543
Ministria e Drejtësisë ka përgatitur një projektligj të ri, i cili parashikon disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8328, “Për të drejtat dhe trajtimin e personave të dënuar me burgim dhe të paraburgosurve”. Në thelb të këtyre ndryshimeve të propozuara janë forcimi i masave të sigurisë në burgje. Konkretisht, një nga pikat e ndryshuara në këtë ligj ka të bëjë me përforcimin e sigurisë në burgjet e sigurisë së lartë përmes një regjimi të posaçëm, që vendoset për sigurinë e institucioneve, kryesisht në parandalimin e lidhjeve të mëtejshme me botën e krimit për personat që vuajnë dënimin në burgjet e sigurisë së lartë për vepra penale në veçanti të rrezikshme, duke ndihmuar kështu dhe në shkëputjen përfundimtare të tyre nga krimi. Një propozim i tillë bëhet jo vetëm për arsye të sigurisë së brendshme të institucionit, por edhe të sigurisë së jashtme. Në të tilla raste, me kërkesën edhe të Ministrit të Brendshëm, Ministri i Drejtësisë mund të vendosë pezullimin në institucion ose në një pjesë të tij te aplikimit të rregullave normale të trajtimit të të burgosurve, në përputhje me nevojat e rendit dhe të sigurisë, duke parashikuar kështu një mekanizëm të ri të bashkëpunimit, si përgjigje në luftën kundër kriminalitetit, siç mund të jenë veprat penale që lidhen me akte terroriste apo me organizata kriminale. Projektligji parashikon vendosjen në mënyrë taksative të atyre që vuajnë dënimin e tyre në një burg të sigurisë së lartë, pa qenë nevoja qe të shprehet gjykata posaçërisht për këtë fakt, çka ka lënë vend për abuzime në praktikën e deritanishme.
Ja neni 6/1 që ndryshon
1. Për të dënuarit që vuajnë dënimin në burgun e sigurisë së lartë, në raste të jashtëzakonshme revolte ose në situata emergjence, ministri i Drejtësisë, mund të pezullojë në institucion ose në një pjesë të tij aplikimin e rregullave normale të trajtimit të të burgosurve. Pezullimi duhet të jetë i motivuar nga nevoja për të rivendosur rendin dhe sigurinë si dhe ka të përcaktuar kohëzgjatjen e domosdoshme për të arritur qëllimin.
2. Kur vërtetohen arsye serioze që lidhen me rendin dhe sigurinë publike, edhe me kërkesën e ministrit të Punëve të Brendshme, ministri i Drejtësisë mund të vendosë pezullimin në institucion ose në një pjesë të tij aplikimin e rregullave normale të trajtimit të të burgosurve, në përputhje me nevojat e rendit dhe të sigurisë. Pezullimi përfshin kufizimet e nevojshme për të ruajtur rendin dhe sigurinë në institucion si dhe për të parandaluar lidhjet me jashtë të të dënuarve me elementë kriminalë nga jashtë apo me persona me precedentë penalë. Në të tilla raste, masa mund të zgjasë deri në një vit dhe mund të zgjatet në mënyrë të njëjtë për një periudhë prej një viti, kur ka dyshime të bazuara se vazhdojnë përpjekjet për të mbajtur lidhjet me elementë kriminalë nga jashtë. 
3. Të dënuarit që i nënshtrohen këtij regjimi të posaçëm qëndrojnë brenda institucionit në qeli të posaçme, të ndarë nga pjesa tjetër e të dënuarve dhe ndaj tyre zbatohen masat e mëposhtme:
a). Masa të sigurisë së lartë të brendshme dhe të jashtme, kryesisht në lidhje me nevoja për të parandaluar kontaktet me të dënuarit e tjerë, lidhjet me elementë kriminalë nga jashtë apo me persona me precedentë penalë.
b). Lejimin e një takimi në muaj, në interval kohor të përcaktuar, në ambiente që nuk lejojnë kalimin apo dhënien e sendeve gjatë takimit. 
c). Lejimin e takimeve vetëm me familjarë, me përjashtim të rrethanave të jashtëzakonshme, kur njoftimi është bërë më parë dhe me miratimin e drejtorit të institucionit. 
d). Lejimin e një bisede mujore telefonike me familjarët apo bashkëjetuesin, me kohëzgjatje maksimale dhjetë minuta, e cila mund të regjistrohet. 
e). Kufizim në sendet që mund të marrë nga jashtë, sipas përcaktimeve në rregulloren e brendshme të institucionit.
f). Kontroll i korrespondencës, përveç asaj me subjektet e përcaktuar në nenin 43 të këtij ligji.
g). Kufizimi i kohës së shpenzuar jashtë, e cila nuk mund të kryhet në grupe prej më shumë se katër personash, nën mbikëqyrje të posaçme, për të siguruar pamundësinë absolute të komunikimit midis të burgosurve.
4. Rregullimet e mësipërme për takimet nuk zbatohen për avokatin e të dënuarit, takimet me të cilin mund të bëhen deri në tre herë në javë.
5. Ndaj Urdhrit të ministrit të Drejtësisë për pezullimin e regjimit normal të trajtimit të të dënuarit, mund të bëhet ankim në gjykatën e rrethit gjyqësor ku ndodhet institucioni, brenda 10 ditëve. Ankimi nuk pezullon zbatimin e regjimit të posaçëm.
Rregullat e reja
Projektligji vendos rregulla të reja mbi respektimin e të drejtave dhe trajtimin e të burgosurve, duke përcaktuar si qëllim parësor edukimin e tyre. Ky ligj bën kategorizimin e burgjeve, në burgje të sigurisë së lartë, të sigurisë së zakonshme dhe të sigurisë së ulët në institucione të veçanta. Por nisur nga nevoja për krijimin e kushteve të duhura për zbatimin me rigorozitet të të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga kuadri ligjor ekzistues duke siguruar që të gjitha organet e zbatimit të ligjit të ofrojnë një trajtim njerëzor të personave me liri të kufizuar dhe shndërrimin e dënimit penal në një mundësi riedukimi, propozohet ky projektligj, nisur dhe nga nevoja për zhvillimin e një strategjie të përshtatshme për sistemin e burgjeve dhe kushtet sociale në Shqipëri, hartimin e programeve të specializuara për të rritur punësimin e të burgosurve për çdo burg duke patur parasysh kushtet e çdo institucioni.
Efektet e këtij projektligji
Përmes këtij projektligji, ky funksion realizohet nëpërmjet parashikimit të një regjimi të posaçëm për të dënuarit që vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, kur vërtetohen arsye serioze që lidhen me rendin dhe sigurinë publike. Në të tilla raste, edhe me kërkesën e Ministrit të Punëve të Brendshme, Ministri i Drejtësisë mund të vendosë pezullimin në institucion ose në një pjesë të tij aplikimin e rregullave normale të trajtimit të të burgosurve, në përputhje me nevojat e rendit dhe të sigurisë. Pezullimi përfshin kufizimet e nevojshme për të ruajtur rendin dhe sigurinë në institucion si dhe për të parandaluar lidhjet me jashtë të të dënuarve për këto vepra penale. Në të tilla raste, masa mund të zgjasë deri në një vit dhe mund të zgjatet në mënyrë të njëjtë për një periudhë të mëtejshme një vjeçare, kur ka dyshime të bazuara se vazhdojnë përpjekjet për të mbajtur lidhjet me elementë kriminalë nga jashtë.
Nga ana tjetër, projektligji parashikon një trajtim që synon rehabilitimin social për riintegrimin e të dënuarve në jetën familjare, sociale dhe ekonomike, përmes përfshirjes në legjislacionin shqiptar të burgjeve me regjim të hapur. Kështu, kalimi i të dënuarve që përmbushin kriteret ligjore në këto institucione, do të shërbejë si një fazë parapërgatitore për çastin e lirimit të tyre. Përgatitja për riintegrim në burgjet me regjim të hapur lehtëson më pas jetën në liri.
Ky ndryshim propozohet pasi Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale zbatojnë programe të rehabilitimit social, që synojnë modifikimin e sjelljeve kriminale dhe aftësimin me shprehi sociale. Shoqëria civile gjithnjë e më shumë rekomandon që sistemi i burgjeve të hartojë programe konkrete të përgatitjes për riintegrim, që në paraburgim, duke krijuar marrëdhënie institucionale edhe me aktorë të tjerë të përfshirë në këtë proces. Kalimi më pas në regjim të hapur, mundëson riintegrimin plotësisht të të dënuarve dhe rehabilitimin e tyre.

Burgjet e regjimit të hapur
Burgjet e regjimit të hapur janë të domosdoshme për të arritur një bashkëjetesë normale, duke rritur përgjegjshmërinë e të dënuarve, për të cilët vlerësohet se dënimi që kanë përmbushur deri në çastin e kalimit të tyre në burgjet me regjim të hapur, ka përmbushur qëllimin edukues të tij. Qëllimi i regjimit të hapur është nxitja e aftësisë së intergimit social pozitiv të të dënuarve, duke i mbështetur ata dhe duke favorizuar kështu përfshirjen e tyre progresive në komunitet. Ky regjim nxit përgjegjshmërinë, integrimin, forcon lidhjet familjare dhe shoqërore të të dënuarit, sigurisht me bashkëpunimin dhe koordinimin me institucionet që do të ndihmojnë integrimin e tij. 
Ministria e Drejtësisë përmes këtij projektligji, kërkon të hapë rrugën për krijimin e institucioneve të ekaekutimit të dënimeve penale me regjim të hapur. Pas këtij hapi, masa konkrete do të ndërmerren përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke rritur bashkëpunimin me OJF që kanë në fokus rehabilitimin e të dënuarve si dhe me Shërbimin Kombëtar të Punës. Burgjet me regjim të hapur, në praktikën ndërkombëtare, janë cilësuar si burgje me rezultate të larta sa i përket rehabilitimit të të dënuarit dhe përmbushjes së funksionit të dënimit. Vende si Anglia, Gjermania, Holanda, Spanja, Zvicra, Luksemburgu, Polonia, etj., kanë aplikuar tashmë këtë regjim për një kategori të dënuarish, regjim ky që është vlerësuar tepër pozitiv në drejtim të të drejtave dhe lirive të personave të dënuar.
Përfitime të tjera
– Masa të sigurisë së lartë të brendshme dhe të jashtme.
– Lejimin e një takimi në muaj. 
– Lejimin e takimeve vetëm me familjarë. 
– Lejimin e një bisede mujore telefonike me familjarët apo bashkëjetuesin.
– Kufizim në sendet që mund të marrë nga jashtë.
– Kontroll i korrespondencës, përveç asaj të përcaktuar në nenin 43 të këtij ligji.
– Kufizimi i kohës së shpenzuar jashtë.
Sigal