Kush ishte Valbona Berisha, nëna e Alvinit që dërgoj të birin drejt vdekjes në kampet e ISIS

1250
Sigal

Prej disa javësh historia e Alvin Berishës ka prekur opinionin publik, duke sensibilizuar shqiptarë dhe italianë me rastin e tij.

11 vjeçari ka ikur bashkë me të ëmën në Siri, dhe tashmë ka mbetur në një kamp pasi ajo humbi jetën.

Por kush është Valbona Berisha, e reja që mori të birin dhe shkoi t’i shërbente ISIS, për të humbur më pas jetën?

Valbona Berisha, nga Durrësi, iku nga Italia për në Siri në dhjetor 2014. Ajo jetonte në Via Milano në Barzago, me bashkëshortin e saj Afrimin dhe tre fëmijët e tyre.

Kur vendosi që të largohej nga shtëpia, pa i thënë asgjë burrit, Valbona mori vetëm Alvinin dhe u nis për t’i shërbyer Shtetit Islamik të ISIS, ku dyshohet se ka humbur edhe jetën.

Kamerat e aeroportit kanë kapur momente të 37-vjeçares , teksa pret linjën e saj për t’u nisur për në Turqi. Për t’u larguar më pas drejt Sirisë. Falë sinjalit GPS të telefonit është identifikuar vendodhja e parë në Al Babi, një nga zonat më të nxehta në atë kohë të luftës në Siri.

Në Siri, Valbona Berisha ka ndryshuar emër dhe është quajtur Yushra, është martuar me një xhihadist shqiptar me të cilin pati dhe një djalë tjetër.

Lajmet e fundit mbi Valbona Berishën i jep biznesmeni kosovar Bedir Elezi, ish-luftëtar i luftës në Kosovë e sot i impenjuar për të kthyer në shtëpi të gjithë fëmijët e gratë e ish-xhihadistëve nga Ballkani.

Sipas rrëfimeve të tij, të vërtetuara dhe nga gazetari italian Luigi Pelazza, Valbona Berisha humbi jetën së bashku me bashkëshortin xhihadist e djalin e tyre gjatë një shpërthimi, teksa po udhëtonin me makinë. Në këtë shpërthim mbeti i plagosur rëndë dhe Alvini, dëmtim që e bënte që të çalonte me një këmbë.

Alvin Berisha është 11-vjeçari shqiptar që ka mbetur peng në kampet e Sirisë. Para 5 vitesh nëna e Alvinit, rrëmbeu djalin dhe shkoi drejt Sirisë për t’u bashkuar me ISIS. Afrim Berisha, babai i tij ka pesë vite që e kërkon dhe nëpërmjet emisionit “Le Iene”, e gjeti të birin në Siri.

Por Alvini ka mbetur sërish në kampet e ISIS, pasi qeveria shqiptare, konkretisht ambasadori Gent Gazheli, nuk është angazhuar për kthimin e të voglit në Itali pranë të atit dhe dy motrave.