Kush i gjykon fajtorët në Shqipëri?

271
Enver CAKAJ
Nuk po them ndonjë çudi të madhe, se jemi në Shqipërinë e çudirave. Kemi vite që e kemi bërë tabelë qitjeje sistemin e drejtësisë. Me të drejtë apo pa të drejtë, le ta gjykojë vetting-u, që pritet të vërë në “satër” ata që i dhanë imazh të keq këtij sistemi. Përse na ndodhi kështu? Në të vërtetë që kur u krijua pluralizmi edhe drejtësia e humbi profesionalizmin dhe u nda në kampe. Jeni të lutur të shikoni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kur voton. Votat ndahen në mes. E njëjta gjë ndodh edhe në Gjykatën e Lartë dhe në atë Kushtetuese. Dhe të më kuptoni, nuk ndahen për interpretime profesionale, po për bindje partiake. Që këtu pushon së qeni profesionist çdo jurist. Këtu merr të tatëpjetën dhe drejtësia jonë. Të gjitha partitë e pranojnë ndryshimin në drejtësi, po kur vjen puna për ta zbatuar, disa hiqen mënjanë, sepse janë të privuar nga pastërtia juridike. Ka gati një vit që e gjithë politika po merret me Sajmir Tahirin, kur drejtësia që e ka akuzuar nuk po e thërret një herë. Çdokush ka të drejtë të pyesë, kush do ta gjykojë Sajmir Tahirin, politika apo drejtësia? E njëjta gjë po ndodh edhe me Habilajt dhe të gjithë ata që arrestohen. Këtë gjykim e ka marrë përsipër ta gjykojë drejtësia italiane, atëherë ne çfarë kemi që rrahim ujë në havan? U ekstradua një shqiptar për llogari të drejtësisë italiane, ne nisëm zhurmimin. Si mendoni ju, më mirë do ta gjykojë drejtësia italiane apo drejtësia jonë, që e kemi bërë shportë e të pabesueshme? Unë nuk e di se çfarë i mbetet drejtësisë sonë të gjykojë, kur vendimet i kanë dhënë subjektet politike dhe media e shkruar dhe vizive. U arrestuan disa drejtorë e punonjës për rrugët. Të parët folën partiakët, duke i vlerësuar si arrestime politike. Këtë iso e mban edhe media. Tani ne pyesim: Kush ka të drejtë ta japë këtë vlerësim? Këta njerëz nuk janë gjykuar ende dhe nuk ka asnjë vendim të formës së prerë. Mirëpo vendimi partiak është marrë. Nga ana tjetër bëhen emisione pa fund nëpër televizione, që të ngjajnë me gjyqe të vërtetë. Këto lloj emisionesh e nxjerrin drejtësinë jashtë funksionit. Nëse është prishur sistemi i drejtësisë, këtë e ka prishur politika. A u kujtohet kur drejtësia dha arrest për punonjësit e gardës në vrasjet e 21 janarit dhe ish- Kryeministri Sali Berisha dha urdhër që të mos zbatohej? Drejtësi të pavarur deshi të instalonte Ina Rama, po politika e fundosi atë dhe drejtësinë. Prokuroria ka vendosur të thërresë për sqarime apo dhe për përgjegjësitë e tyre për punonjësit e rrugëve, disa ministra, por ata na dalin të irituar duke deklaruar se po i dënojnë politikisht, kur ende s’janë thirrur e marrë të pandehur. Ky është një presion që i bëhet drejtësisë. Të jesh i pastër në ndërgjegje e detyrat që ke kryer s’ka pse zhurmon. Nëse ke dekumente të rregullta, që tregojnë se ke vepruar sipas ligjit, shko e paraqiti në drejtësi. Ato nuk i duhen popullit. Të mos flasësh në publik kur të akuzojnë apo të thërresin për sqarime, nuk do të thotë se je fajtor. Në je apo jo fajtor e vendos vendimi i fundit i gjykatës. Nëse flasim për drejtësi të pavarur, as Kuvendi i Shipërisë, as institucionet e tjera shtetërore e partiake s’kanë punë të diskutojnë me orë të tëra për të. Ne flasim për shtet ligjor, por rrallë i drejtohemi ligjit. Në Kuvend u diskutua dhe aprovua emërimi i Prokurores së Përgjithshme të përkohshme. Edhe tani vazhdojnë akuzat ndaj emërimit të saj, se është shkelur Kushtetuta. Ne kemi një gjykatë kushtetuese, që është caktuar për të zgjidhur konfliktet, mirëpo askush nuk shkon që kjo të zgjidhet ligjërisht, por bllokohet Kuvendi pa asnjë shkak. Ende nuk po krijojmë një kulturë juridike tek institucionet dhe individët për t’i zgjidhur problemet gjyqësisht. Vriten njerëz fare kot për konflikte bajate dhe e kanë më lehtë të bëjnë vetgjyqësi, se t’iu drejtohen organeve kompetente. Shëmbullin negativ po e jep vetë Kuvendi, që bën ligje për t’i zbatuar, por i ngatërron vetë. Grinden me njëri-tjetrin deputetët, kur shumë mirë mund t’i zgjidhin ato gjyqësisht. Kur dëgjon debate të tilla në Kuvend, nga subjektet politike dhe medja, të duket sikur gjykimi ka marrë fund. E keqja është se dhe gjyqet shtyhen e zgjaten sa hallexhiu harron, pse ka bërë një denoncim. Por më e keqja është se disa juristë e kanë harruar profesionin dhe janë kthyer në avokatë të partive. Le ta lëmë drejtësinë të bëjë punën e vet, po dhe ajo të mos harrojë që ka një përgjegjësi derisa e zgjedh Kuvendi dhe e financon qeveria.