Kush është izrealiti që u kap me valixhen e përgjimit në Rinas. Roli i tij në skandalin e ‘Panama Papers’

523
Ka ngjallur shumë bujë dhe pikëpyetje ndalimi i shtetasit izraelit në Rinas, i cili po largohej nga Shqipëria me një valixhe-aparaturë të sofistikuar e cila sipas të dhënave të deri tanishme shërben për zbulimin e përgjuesve ambientalë.

Burime nga prokuroria thonë se Yoram Frig, ka pranuar se valixhja që ngjalli dyshime te policia e Rinasit ishte një pajisje kompjuterike, e cila zbulon çipat e përgjimit në ambiente të ndryshme. Gjithashtu ai pa asnjë kompleks ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se kishte disa javë në Shqipëri dhe se kishte ardhur vetëm për punë, pa ndonjë qëllim të keq. Frig duket se ka bashkëpunuar me prokurorinë duke treguar se kush ishte porositësi “i punës” që ai ka kryer në Shqipëri; pra kontrollin e ambienteve të banimit, zyrave dhe makinave të një personazhi të rëndësishëm të biznesit dhe politikës, i cili dyshon se ka qenë nën përgjim.

Por kush është izraeliti, që shkaktoi kaq shumë zhurmë në Tiranë me valixhen e tij misterioze? 
Yoram Frig rezulton që nuk është një personazh dokudo. Mësohet se ai është anëtar i disa organizatave të detektivëve dhe gazetarëve investigativë në të gjithë botën. Emri i tij gjendet në listën e gjatë të gazetarëve investigative nga e gjithë bota, që zbuluan skandalin e “Panama Papers”, për shumë “of shore” që mendohet se pastronin para. Burime të policisë, thanë se ai ka jetuar edhe në disa vende të ndryshme të botës. Edhe në Shqipëri mendohet që ai, të ketë ardhur për ndonjë investigim që ka të bëjë me pastrim shumash të mëdha parash. Ende nuk dihet e vërteta, por me aq informacion sa ka rrjedhur nga grupi I hetimit, Frig edhe vetë e ka pranuar se “ka ardhur për punë”.

Yoram Frig, 50 vjeç, rezulton pronar i dy kompanive investigimi me qendër në Qipro dhe në Izrael.
Por çfarë është “Panama Papers”, në skandalin e të cilës 50-vjeçari izraelit ka qenë protagonist për investigimin e kryer? Ajo është një kompani ligjore me qendër në Panama, shërbimet e të cilës përfshijnë inkorporimin e kompanive në juridiksione të huaja, si për shembull Ishujt Virxhin Britanikë. Gjithashtu administron kompani në këto parajsa fiskale kundrejt një pagese të përvitshme. Shërbime të tjera përfshijnë menaxhimin e pasurisë. Kompania është panameze por operon në mbarë botën. Ajo ka degë përreth botës, ku nëndegë që operojnë ndaras janë në kërkim të klientëve të rinj dhe kanë të drejta ekskluzive të përdorin markën e saj. “Panama Papers” operon në parajsa fiskale, duke përfshirë Zvicrën, Qipron dhe Ishujt Virxhin britanikë, si dhe në vende në varësi të Kurorës britanike, si Guernsej, Xhersi dhe Ishulli i Men. Ende nuk kanë dalë të gjitha dokumentat e zbuluara nga investigimi I rrjetit mbarëbotëror të gazetarëve që u morën me skandalin e “Panama Papers”.
Sigal