Kush është i interesuar për arrestimin e drejtuesve të Postës?

75

Posta Shqiptare është vënë nën hetim, pas auditimit që ka ushtruar Kontrolli i Lartë i Shtetit në këtë institucion. Auditimi është shtrirë që nga koha kur Drejtor i Postës Shqiptare ka qenë Arqile Gorea, Ardit Çela dhe drejtori i sapo emëruar Majlind Lazimi, ku janë vërejtur shkeljet të konsiderueshme. Ndërsa thuhet se janë nën hetim të 3 drejtuesit e postës, nuk dihet se cili nga të tre do të bëhet pre e lojës politike. Arqile Gorea, i cili është një kandidat i mundshëm për Kryetar Bashkie në Durrës? Ardit Çela, asi nën mëngë i LSI-së për ndonjë post ministror para zgjedhjeve lokale, kur të bëhen ndryshimet e mundshme në qeveri? Apo drejtori aktual, Majlind Lazimi, i cili, edhe pse i sapoemëruar flitet se ka bërë disa transaksione prokurimesh, ndërsa rezulton të jetë njeri i afërt i një drejtuesi të lartë të LSI-së? Pra, kush (dhe për kë) është i interesuar të shohë pas hekurave një nga drejtorët e Postës Shqiptare? Ndërkohë që, bëhet me dije se brenda 20 Nëntorit do të publikohet e gjithë veprimtaria e Postës. Sipas KLSH-së, Posta ka shkelje dhe abuzime me përmasa të jashtëzakonshme, pasi është shkaktuar dëm i pallogaritshëm nga drejtuesit e saj. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar veprimtarinë e Postës Shqiptare dhe nga ky auditim i tërthortë pritet të zbulohen abuzuesit në drejtimin e Postës.