Kush është bosi shqiptar, “truri” i trafikut të kokainës në Ballkan? Heton edhe DEA Amerikane

105
Policia greke ka zbardhur skemën si funksiononte organizata e kokainës e përbërë nga shqiptarë dhe grekë, katër ditë pasi u arrestuan 5 anëtarë të saj. Zyrtarisht njoftohet se mes të arrestuarve, 4 janë shqiptarë të moshës 34-56 vjeç dhe një biznesmen grek 61-vjeçar i njohur në zonën e Trikallas në Greqi.
Ndërsa mediat greke shkruanin se “truri” i organizatës së kokainës në Ballkan është një 53-vjeçar shqiptar, polica greke shton se në këtë operacion të madh anti-drogë është përfshirë dhe DEA amerikane e vendosur në Athinë.
Ndonëse nuk është bërë ende i ditur emri, thuhet se biznesmeni shqiptar është ndër njerëzit më të pasur në Shqipëri dhe i përfshirë në fushën e transportit të gazit natyror.
Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan plot 21 kg kokainë nga autoritetet greke dhe shuma të mëdha parash të dyshuara se janë përfituar nga aktiviteti kriminal. Kokaina vinte nga Kolumbia nga organizata “Cali”, e paketuar me logo të PlayBoy dhe ishte cilësi e pastër.
Gjysma e sasisë së kokainës ju gjet biznesmenit grek, kurse gjysma tjetër një 35-vjeçari shqiptar tashmë të arrestuar. Ky i fundit e kishte fshehur drogën poshtë sedijes së shoferit dhe të pasagjerit në një vend të modifikuar posaçërisht.
Nga aktiviteti i trafikut të kokainës, kjo organizatë kriminale ka qarkulluar të paktën 800 mijë Euro. Shtypi grek shkruan se hetimet e DEA-s nuk kanë përfunduar akoma.
Agjencia amerikane e zbulimit të trafikut të drogës ka dyshime të forta se biznesmeni shqiptari që drejtonte këtë rrjet droge, ka lidhje të forta në Shqipëri dhe hetimet mund të nxjerrin në dritë të tjera informacione të vlefshme. Gjatë këtyre ditëve mediat greke kanë raportuar se biznesmeni grek është pronar i një kompanie nafte në Shqipëri. Ai është Thanasis Karatzounis, kurse identiteti i biznesmenit shqiptar që drejtonte trafikun e kokainës nuk është bërë i ditur.