Kush është Aldo Ymeraj, hackeri 25 vjeçar që ngriti në këmbë autoritetet amerikane

1180
Aldo Ymeraj u arrestua nga policia për llogari të autoriteteve amerikane, si anëtar i një rrjeti hakerash që kanë mundur të vjedhin plot 530 milionë Dollarë nga llogari të ndryshme bankare.
25-vjeçari nga Fieri është mes 36 të personave të akuzuar, 13 prej të cilëve u arrestuan në Shtetet e Bashkuara, Australi, Britani, Itali, Serbi e Kosovë, në operacionin e koduar me emrin “Infraud”. Dy janë hakerat nga Kosova, të identifikuar si Besart Hoxha 25 vjeç dhe Liridon Musliu 26 vjeç.
Aldo Ymeraj, që jeton në një apartament në katin e gjashtë të pallatit në lagjen “Konferenca e Pezës” në Fier, është ndaluar nga policia shqiptare edhe në vitin 2013. Pesë vjet më parë ai u akuzua për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën kibernetike, së bashku me dy miq të tij, Enea Xhani dhe Arif Hiqmet Kasa, pjesëtarë të “Albanian Hackers Group”.
Ymeraj, që ka studiuar pikturë në shkollën artistike ‘Jakov Xoxa’, e kishte bazën në Fier, aty ku policia po ushtron kontrolle në përpjekje për të gjetur sa më shumë prova. Me prindër të divorcuar, djali i pronarit të një shtypshkronje, ai punonte herë pas herë në biznesin e të atit. Grupi “Infraud”, në të cilin bënte pjesë, ishte krijuar në vitin 2010 nga Svyatoslav Bondarenko, një 34-vjeçar ukrainas i zhdukur tashmë.
Hakerat përdornin një forum në internet për të blerë dhe shitur karta krediti dhe llogari bankare të vjedhura, numra të sigurimeve shoqërore dhe informacione të tjera personale. Ata u injektonin viktimave virusë në kompjuter e celularë dhe u merrnin të dhënat. Forumi numëron 11 mijë anëtarë në të gjithë botën.
Sipas hetuesve amerikanë, kjo organizatë kishte grabitur në total të dhëna nga 4.3 milionë llogari bankare. Me valën e fundit të arrestimeve ra në pranga në Bangkok edhe kreu i grupit, 31-vjeçari rus Sergey Medvedev, drejtuesi i vetëm i organizatës që prej vitit 2015, pas zhdukjes së Bondarenkos.
Xhon Kronan, ndihmësi në detyrë i Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, tha se operacioni ishte një prej më të mëdhenjve të ndërmarrë ndonjëherë nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Sigal