Kush e pengon shpërndarjen e certifikatave të pronësisë në Ksamil

1385
Dikur thënia “Fshatar pa tokë” përdorej si zhargon humori për të vënë në dukje varfërinë dhe skamjen e një personi, por sot, ajo ka kuptim të plotë dhe të papajtueshëm me sistemin kapitalist që jetojmë e sidomos, me tokën bujqësore, procesi i ndarjes së së cilës është shoqëruar me ndodhi nga më të padëgjuarat, deri në viktima, për mos të përmendur abuzimet, falsifikimet dhe shpërdorimet e komisjonerëve të ndarjes së tokës dhe drejtuesve të pushtetit lokal. Një odise e tillë e gjatë përjetohet qysh nga viti 2005 në qytezën e Ksamilit, tanimë e shkrirë në njësinë bashkiake të Sarandës. Pikërisht për këtë zvarritje, në fundjavën që lamë pas, u mblodh një përfaqësi e ish-punonjsve të ish N.B.-Ksamilit e përbërë nga Adif Demiri, Novrus Lame, Përparim Janxhi, Jorgo Kaçi dhe Behar Dauti, nën asistencën juridike të avokat Gjergj Imeraj. Ata pas shumë diskutimesh dhe debatesh, i janë drejtuar me një kërkesë instancave të shumta shtetërore dhe ligjvënse e ligjzbatuese, si kryebashkiakes së Sarandës Floriana Koka, Këshillit të bashkisë Sarandë, njësisë administrative Ksamil, ministrisë së bujqësisë-zhvillimit rural dhe administrimit të ujrave, ministrisë së shtetit për çështjet vendore, drejtorisë së administrimit dhe mbrojtjes së tokave pranë bashkisë Sarandë, prefekti Vlorë, deputetit të zonës Koço Kokëdhima. 

Në këtë kërkesë, mbështetur dhe referuar ligjit 7501, datë 19/07/1991 “Për tokat bujqësore”, ligjit 8053, datë 21/12/1995 “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore” – i ndryshuar (në territoret e ish NB-ve, vendimi Nr. 452 datë 17/10/1992 të K.M. “Për ristrukturimin e N.B.-ve”-të ndryshuar, të V.K.M.230 datë 22/07/1991 “Për krijimin e komisioneve të tokave”, V.K.M. Nr. 60 datë 21/02/1994, V.K.M Nr.116 datë21/03/1994, V.K.M. Nr.185 datë 04/05/1994 dhe V.K.M Nr. 373 datë 31/05/2005, ligji 171/2013. Pikërisht mbi këtë bazë ligjore, banorët e Ksamilit, ish-antarë të ish N.B-së së Ksamilit, janë pajisur me tokë bujqësore nga komisioni i posaçëm i këtij procesi, njohur me vendim të Këshillit të Qarkut Vlorë Nr. 22 datë 07/06/2005, bazuar në V.K.M Nr. 60 datë 21/12/1994, udhëzimit të ministrisë së bujqësisë Nr. 1 datë 18/05/2005 “Për ndarjen e tokës bujqësore në përdorim në komunën Ksamil”, ka vendosur të miratojë komisionin e ndarjes së tokës të komunës Ksamil, sipas propozimit të dërguar nga këshilli i kësajë komune, me vendim Nr. 32, datë 03/05/2005, firmosur nga 11 anëtarë të tij. Duhet nëvizuar, se në këtë vendim, në pikën 2 është vendosur edhe toka me sipërfaqe 230 Ha dhe është vendosur në zërin kadastral “ullishte” ZAMT-ja Sarandë. Pika tre e vendimit të komisjonit të ndarjes së tokës ka listën e plotë të anëtarve përfitues nga ligji të tokës bujqësore, dhe pika katër e këtij vendimi është vendosja e specialistve të ZAMT-Sarandë, pranë komisionit të ndarjes së tokës Ksamil. Gjithashtu qytetarët e Ksamilit shënojnë në këtë kërkesë drejtuar institucioneve shtetërore, se komisioni i tokës për Ksamilin është mbledhur më datën 18/06/2005, ku ka zbatuar detyrat e ngarkuara nga V.K.M.-ja përkatse në zbatim të Ligjit të tokës dhe të ligjit për kalim pa shpërblim. 

Të gjitha këto të njohura me vendime dhe urdhëra të këshillit dhe kryetarit të qarkut Vlorë dhe Komisioni i ndarjes së tokës, ka filluar punën sipas kërkesave ligjore dhe janë mbushur formularët e plotësuar dokumentacioni i nevojshëm për secilin përfitues nga ligji për ndarjen e tokës bujqësore në ish N.B-të. Dhe këto lista e dokumente ju nënshtruan edhe verifikimit ligjor të tyre, nga komisione të instancave vertikale. Më pas ka pasur tentativa të tjera, të cilat janë të arkivuara në ish-komunën Ksamil, por me qëllim është penguar ndarja e tokës ish-anëtarve të N.B-Ksamilit, me qëllim që të përfitojnë miqtë e ish-pushtetarve në formën e njohjes, kthimin dhe kompensimin e pronës, -nënvizojnë banorët e Ksamilit, në kërkesë-letrën që u drejtojnë instancave shtetërore fundjavën e dytë të janarit 2016. Nën “rebelimin” e ligjshëm të tyre, ata i mëshojnë kërkesës dhe argumentit, se pavarsisht pengesave, ne banorët e Ksamilit, bazuar në kushtetutën e Shqipërisë në ligjet dhe aktet në zbatim të tyre, u kërkojmë institucioneve shtetërore të lartpërmenduar dhe të ngarkuara nga ligji, në zgjidhjen e kësaj të drejte themelore dhe të pacënueshme, pasi nuk mund të diskriminohemi më as me ligj e as pa ligj, pasi toka na takon jo vetëm se buron nga ligji dhe Kushtetuta, por edhe nga Zoti, sepse nuk mund të përjashtohemi nga reforma më themelore mbas vitit 1990, ajo e përcaktuar nga ligji 7501. Gjithashtu përfaqësia e puntorve të ish-N.B Ksamilit kërkon nga këto instanca shtetërore dhe veçanarisht nga deputeti Kokëdhima, që pas verifikimit të kësajë procedure, të përdorin autoritetin që ju jep ligji për përfundimin e procedurave, duke mundësuar që edhe ne, ish-puntorët e ish N.B-së së Ksamilit të pajisemi me dokumentacionin përkatës të pronësisë dhe marrëdhënieve me tokën bujqësore në Ksamil, e drejtë që e kemi të fituar me kushtetutë dhe me ligj. Kjo dosje voluminoze e pronësisë dhe ndarjes së tokës dhe dokumentacioni i plotë i saj, ndodhet pranë ZMAT Sarandë dhe Qarkut të Vlorës, por banorët presin e presin me vite, ndërkohë që marrin vetëm premtime nga pushtetarë të disa ngjyrave.

                                                                                                                                                                                                                         Agron MEMA
Sigal