Kush e ka njohur Fejzi Malin?

894
Enver CAKAJ
Kishte dy vendbanime, por një ideal. As ai, as shokët e tij nuk jetojnë, por kanë lënë pas vlerat e tyre. Ndokush ka mbetur në historitë e betejave, ndokush la pjesë e gjak nëpër male, një pjesë lanë rininë e jetën maleve, Fejziu na ka lënë kujtimet e tij të shkruara. Në amanetet e tij nuk tregoi për ditarin e tij, por djali, Qenam Mali, i pati ruajtur e shuante mallin me to. Por një ditë dikush na solli në vëmendje, se ai njeri me emrin Fejzi Mali, kishte lënë një ditar. I kërkuam andej nga s’ishin dhe një ditë Qenami na solli një fletushkë, ku ai shkruante për një dëshmor. Të tjerat nuk i tregoi. Përse i duheshin? Brenda tyre ishte e gjithë jeta e tij dhe shokëve të Luftës e të punës. Qenamit i dukej sikur i mungonte babai, nëse do t’i dorëzonte diku. Por ato shënime kishin vlera të atilla, që s’duhej të rrinin të mbyllura. Isai u gëzua që po i rritej djali e t’i delte krah në ato ditë me punë përshesh. Ku të vinte më parë, me bagëti, në arë apo pazareve për të gjetur bukë? Komandën e vendit e kishte marrë fashizmi dhe s’donte të dinte se jetonte një Mete me halle në Veleshnje. Por atëherë kur Fejziu hodhi shtat dhe i doli krah të atit, fashizmi e mori nën armë për të kryer shërbimin ushtarak. Mbeti Isai sërish i vetëm në hall. Ato karkurina toka i kishte në Nishicë, po dhe pazarin e kishte larg. Fejziu iku në Zerqan të Peshkopisë me Tefik Lapanin. Ishte prill i vitit 1941, kur fshati kishte punët më të rënda. Fejziut atje i rrinte mendja, po kazermat ishin rrethuar dhe s’kishte asnjë mundësi të ikte. Por ai duroi deri në tetor. Atë ditë kuvendoi me Beshir Rizanë nga Leskoviku dhe Hetem Gurin nga Turbehova dhe nëpër natë u arratisën nga ushtria. Po ku do të vinin? Fashizmi i kishte zënë të gjitha shtigjet. Në 28-dhjetor e kapin dhe tok me shokët e rikthejnë në ushtri. Kishte nisur lufta italo-greke. Fejzinë e thërret Hasan Qafa që të shpinin në Berat një pliko tok me Hysen Lushkën nga Prishta dhe Halim Abazin nga Çepani. Rrugës u bashkuan edhe me nja dy shokë të tjerë. Kur arritën në Bogovë, Fejziu u thotë shokëve, se ne po i shërbejmë fashizmit kështu, po ta grisim këtë plikon dhe të dezertojmë sërish. Po kjo nuk ishte aq e lehtë, se pasojat do të binin mbi familjet, që i internonin dhe u digjnin shtëpitë. Plikon ia dorëzuan një fashisti, i cili u tha që atë natë të flinin në Hanin e Skraparit me shpenzimet e tyre. Në mëngjes do të vinin të pajiseshin me rroba fashisti. Fejziu u propozoi që të iknin natën e të mos ktheheshin më në kazerma, po ata nuk pranuan, veç,Sadik Dervishit nga Therepeli. Fejziu e ka përshkruar kështu atë udhëtim të vështirë: “U ngritëm në orën 1.30 e natës. U thamë shokëve le të visheshin, po mos i bëni asnjë shërbim fashizmit. Tek Ura e Goricës ishin dy palë roje. Pritëm aty sa erdhi një fshatar beratas me një mushkë të ngarkuar me bereqet. Aty na ndaluan. U lutëm se kemi lënë kafshët në Drobonik për të marrë bereqet dhe kaluam. Na zuri nata te Rrapet e Hatajt në Vajak. Opingat m’u këputën dhe mbetën në baltën e Malinatit. Ikëm nëpër pyllt, rrugë e pa rrugë, se kishte shumë lëvizje të karvanëve. Arritëm në fund të Zgërbonjës, ku qëndruam nëpër shkurre sa u err. As bukë, as ujë, as zjarr. Po njeriu qenka i fortë! Atje kisha hallon, po nuk vinim dot, se fashizmi i kontrollonte të gjithë miqtë tanë. Hallua e kishte shtëpinë në krye të fshatit, në lagjen Spahiu. Kur u err fare, u ngjitëm rrugë pa rrugë. Ajo na i hapi derën kur u bind se isha unë. Ishte kohë e frikshme. O burra na sill bukë, se i kemi harruar emrin, i thashë. I treguam si e kishim hallin,po ajo na tha, të mos kishim merak,se u ndihmoj unë. Nuk e dinim a i kishim gjallë fëmijët në fshat.”
Hallua u tha të dilnin nga shtëpia dhe të fshiheshin në shkurret mbi fshat. Kur t’u bënte shenjë ajo,të niseshin. Po ku do të vinin. Hallua nisi dy djemtë e saj natën për te Hamza Çela në Jaupas, që t’i pranonte atje e t’i rregullonte. Natën ikën natën erdhën djemtë. Hallua u bëri shenjën dhe të dy ilegalët u nisën nëpër rrugica për në Jaupas. Hamzai nuk i priti në shtëpi, po i shpuri në pyll tek një kaçube lisi. U dha kodin e komunikimit. Kur të trokiste tri herë mbi një gur atëherë do të dilnin të merrnin bukën ilegalët. Kishin kaluar nja dhjetë ditë. Fejziun e këputi malli e meraku për fëmijët. I thotë Hamzait, që të shkonte një natë sa t’i shikonte. Hamzai e lejoi,po me kusht që t’i sillte një armë atij. Iku nëpër natë, po nuk vajti në shtëpi, mori takim me Zylyftar Veleshnjen. Ai i tha, se familja është nën kontroll të fashistëve, po shko me terezi dhe largohu shpejt. Atje mori vesh, se fashistët e kishin kërcënuar familjen me internim dhe djegien e shtëpisë. Gruan e gjeti dhe e la të sëmurë. Po Metja i tha të ikte pa merak, se edhe të gjithë të shuhemi, nuk tregojmë se ku je. Zylyftari e porositi që të qëndronte në Jaupas deri në fund të shkurtit pastaj të vinte te mulliri i tij në Sharovë. Ç’ishte ky kusur kështu? Të kesh shtëpinë tënde dhe të jetosh pyjeve! Iku Fejziu nëpër shkurre me dy pushkë në krah. Ja shpuri pushkën Hamzait, po ai e pyeti, se sa kushtonte. E ç’t’i kërkonte lekë Fejziu kur ai po i mbante me bukë prej dy muajsh. Ishte e çuditshme, se Hamzai nuk e hoqi nga supi pushkën as kur u çlirua Shqipëria. Kudo që shkonte ngjishte gjerdanin me fishekë në brez, dekoratat në gjoks dhe pushkën në krah e mbajti derisa vdiq. Në fillim të janarit ai u nda nga Hamzai dhe iku në Sharovë. As Zylyftari nuk e mbajti në mulli, po e ngjiti tek një pyll dhe e porositi, që tok me Teki Kadiun të rrinte në mbrojtje të një takimi që do të bënte në Zelënckë me Muhamet Lazen, Tajar Grepckën, Myrsel Koprënckën dhe Haxhi Çelën. Pas mbarimit të takimit e thirri Fejzinë dhe i tha të kalonte në zonën e Tomoricës, sepse të tilla kushte ishin krijuar. Fejziu shkruan këto në kujtimet e tij për këtë periudhë: “Në 17 korrik 1942 shkova në Grëmsh, ku më strehoi Nevruz Çeta. Por,me që kishim miqësi dhe ai survejohej, u detyrova të strehohesha tek Avni Muço nga Gjogovica.
Atje u krijua një çetë me tre fshatrat, Grëmsh, Kuç e Gjogovicë dhe unë u aktivizova me ata. Sipas planit që u hartua, u shpërndamë nëpër fshatra për të mobilizuar popullin. Unë me Bajram Alimadhin dhe Syrja Bejkon u caktuam të shkonim në Gustënckë, Leshnje dhe zonën e Potomit. Atë natë fjetëm në shtëpinë e Sinan Yllit, që ishte si një garnizon ushtarak në mbështetje të luftës. Kur vajtëm në Gjorgjovë na njoftuan të ktheheshim në Koritë, se ditën e dytë do të goditej fashizmi e të çlirohej i pari qytet në Shqipëri. Unë isha me Xhafer Çetën, Muço Gjorgjovën, Isuf Disko, Sako Çeta, Halim Gjogovica. Por nuk mund të rri pa treguar rrethimin që na kishte bërë në Grëmsh, Xhaf Bali kur ishim në Tomoricë. Syrja Bejkon e kapën rob, kurse unë shpëtova se u tregova pseudonimin Hamit Mali në vend të emrit. Kur po e nisnin për në Berat Syrjanë, doli çeta në Orizaj dhe e shpëtoi. U ktheva në Nishicë, ku takova komandantin e çetës, Zylyftar Veleshnja. Në janar të vitit 1943 krijuam këshillat popullore të fshatrave Veleshnje dhe Nishicë. Në Veleshnje u zgjodh Nexhip Bregu kryetar, kurse në Nshicë Rakip Musabelliu. Pas luftës në Tendën e Qypit më shpunë në Komandën e Vendit me komandant Riza Valën e komisar Neki Koritën.” 

Shqipëria u çlirua dhe Fejziu iku në Nishicë, ku kishte pronat, se shtëpinë ia kishin djegur. Me ndihmën e shtetit mundi ta ngrejë shtëpinë dhe të furnizohej nga shteti me drithë. Si i siguroi fëmijët u kthye sërish në Çorovodë, ku kryente detyrën e furrxhiut, zanat që e kishte mësuar që në vitin 1943 kur ishte çirak te familja e Riza Kananit në Cerovë. Me që kishte bërë nja dy klasë shkollë që në vitin 1927-1928, e ngarkojnë me detyra zyrtare në sigurimet shoqërore, shëndetësi e financë. Në Veleshnje ai mbante mbiemrin Pilavi, kurse në Nishicë e ktheu në Mali. Fejziu ka qenë nga partizanët e parë të fshatit. Në qytet nuk kishte banesa fillimisht, prandaj u vendos me familje në Çerenisht. Nuk jeton më Fejziu, po derisa ne po merremi me të, do të thotë se ai është ende betejave të Luftës.
Sigal