Kush do të marrë pjesë në konferencën e donatoreve për Shqipërinë më 17 shkurt

139

Bashkimi Europian do të organizojë konferencën e donatorëve ndërkombëtarë më 17 shkurt në Bruksel për të mbështetur përpjekjet e rindërtimit në Shqipëri pas tërmetit të 26 nëntorit që goditi vendin.

Në këtë konferencë do të marrin pjesë vendet anëtare të BE-së, partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues nga vendet e tjera, si dhe nga organizatat ndërkombëtare dhe institucionet financiare ndërkombëtare, përfshirë KB dhe Bankën Botërore.

Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian u aktivizua me kërkesë të qeverisë shqiptare pas tërmetit dhe si rezultat, ekipet e kërkimit dhe shpëtimit u vendosën menjëherë në Shqipëri.

Ndihma në natyrë dhe inxhinierët strukturorë u mobilizuan përmes mekanizmit, si dhe në mënyrë bilaterale nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe partnerët nga rajoni. Ekipi i Mbrojtjes Civile të BE ishte në Shqipëri nga 27 Nëntor deri në 20 Dhjetor dhe koordinoi përgjigjen ndërkombëtare.

Komisioni njoftoi një grant fillestar prej 15 milionë eurosh për rindërtimin e ndërtesave publike me përparësi në takimin e tij të parë në dhjetor. Një vlerësim i nevojave pas katastrofës (PDNA) është filluar në mes të dhjetorit 2019 nga BE, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore dhe do të përfundojë përpara Konferencës. PDNA është e nevojshme për organizimin e konferencës së donatorëve pasi do të shërbejë si bazë për përpjekjet e rindërtimit dhe rehabilitimit.