Kush do të fitojë në Mirditë, të diplomuarit e universiteteve apo të “diplomuarit” politikë

78
Erdhi janari 2016. Ky janar i shumëpritur e me plot shpresë e ankth, që do ngelet në mendjen e qytetarëve të Mirditës, si më i veçanti edhe pse është muaj më i ftohtë i vitit, do shquhet si janari më i pamëshirshëm në këto 25 vjet. Pasi mendohet të largojë të paaftët, të korruptuarit, të paarsimuarit dhe punonjësit servilë e të mpleksur, me vese të pamoralshme, që janë të njohur nga ata që i sollën dhe i mbajtën për më shumë se dy dekada në ato karrige ku ndodhen sot. Në këtë riorganizim, që mendohet të jetë gjithëpërfshirës, deri te mosha e tretë, e cila kërkon një shërbim cilësor ndaj tyre që asnjëherë nuk e shijuan që pas 1990, ndaj atyre të quajturve “shërbëtorë të popullit” dhe kjo mund të ndodh vetëm në saj të një monitorimi, që do të mbaj nën kontroll të gjithë veprimtarinë e riorganizimit administrativ të Mirditës. Sot, punonjësit aktual që përbëjnë administratën vendore shtetërore në Mirditë, njihen me emrin administratë partie, pasi në shumë prej tyre jo vetëm që kanë dekada në atë pozicion pune, por, sepse më shumë në të ka përbërje nga anëtarë e simpatizantë partish, që mbahen nga të dy palët kur vinë në pushtet me kushtin, për të ndërruar teserat e partisë. Sot administrata aktuale e çdo niveli e kategorie, që gjendet në Mirditë, i ngjajnë për nga niveli dhe më keq se ato të administrative të viteve 50-60, ku në atë kohë merreshin kuadro partie me arsim 7-vjeçar, por të përzgjedhur nga karakteri dhe me ndërgjegje të pastër. Atëherë ishte koha e tillë e fukarallëkut për specialistët, ndërsa sot edhe pse dihet se njerëz të veçantë janë të pandërgjegjshëm e me vese të pamoralshme, përkrahen nga drejtues të veçantë, ndërkohë që sot kërkohen të rinj e të reja të shkolluar e të aftë, jashtë bindjeve partiake e të profilizuar për t’ju dhënë shërbim cilësor qytetarëve pa dallim partiak, të cilët lihen në hije, por dhe se ka të tillë me bollëk. Qytetarët e Mirditës, shumë prej tyre, pa frikë mbi 90% e të prononcuarve për median, si asnjë here tjetër, kanë këmbëngulur në kërkesat e tyre që të rinjtë e të rejat mirditorë, ku do që të jenë të bëhen pjesë e reformave që me aftësitë e tyre profesionale, të konkurrojnë dhe të bëhen pjesë e saj, e të shkulin nga rrënjë administratat e plakura me kohë, të perënduar. Ka kohë që Kryeministri i vendit, me ardhjen e Partisë Socialiste në pushtet është lodhur së kërkuari që administratat të përtërihen dhe të kompletohen me specialistë nëpërmjet konkurrimit, por deri më tani ka rënë në vesh të shurdhër, pasi vartësve të tij nuk jua ka ënda. Tani kryeministri u largua nga fjalët boshe e pa bereqet, me vendimin e qeverisë të ditëve të fundit datë 28.12.2015 që i detyron punëdhënësit të marrin në provim të gjithë administratat shtetërore, në ato pozicione pune që janë aktualisht çka do të bëjnë të mundur të gjithë administratat e Mirditës të dalin jashtë loje. Në të tre vitet e pushtetit të Partisë Socialiste jo vetëm që nuk ka lëvizur asgjë, por dhe atje ku ka pasur ndonjë vend vakant, janë emëruar të paaftët ose me lidhje nepotike. Tani ka ardhur koha që të bëhen ndryshime totale, pasi specialistë të fushave ka plot Mirdita. Kryetari i Bashkisë së Mirditës, këtu duhet të përqendrohet me një kujdes tepër të veçantë për të larguar nga administrate aktuale, që për 25 vjet nuk dinë të shkulen nga karrigia e pushtetit, që vetëm rrogën marrin prej tij, madje në Bashkinë e Rrëshenit e Mirditës, sot ka nëpunës të dy punësuar me kohë të plotë, në të njëjtin orar pune, që janë të privilegjuarit e strukturave të partisë në Rreth. Kjo është e domosdoshme dhe mjaft emergjente, që të bëhet një reformë radikale jo vetëm në administratat aktuale por një riorganizim total në të gjitha fushat e jetës për të çrrënjosur çdo të keqe që sot është prezentë dhe ka dominuar e është përjetuar nga qytetarët e Mirditës. E që të bëhet kjo, duhet një vullnet e këmbëngulje që nuk i mungojnë kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Mirditës, që me anë të një organike standarde, të ardhur nga lart, me kritere të përcaktuara e pa ndërhyrje të ndokujt, të mbushet organika e njësive në Mirditë me njerëz të aftë, të zotë e të shkolluar dhe me vullnet për të qenë shërbëtor të qytetarëve. Kjo mund të arrihet nëpërmjet një komisioni specialistësh me eksperiencë e përvojë pune, me profile e kapacitete nga të gjitha fushat dhe jashtë bindjeve partiake, që të shërbejë ku nëpërmjet konkurrimit, të bëjnë përzgjedhjen e më të mirëve, kjo do të eliminonte dyshimet për lidhje nepotike e korruptive dhe më e rëndësishmja është që të mos lejoj ndërhyrjen e organeve drejtuese të partive. Edhe pse veprimet e deritanishme të kryetarit duken si të pastudiuara mire e të nxituara në përzgjedhjen e administratorëve të Mirditës, por vullneti, mosha e re dhe vendosmëria e tij janë shpresëdhënëse për korrigjime, në këtë fillim të këtij riorganizimi të pushtetit lokal që merr një rëndësi të madhe, pasi bëhet për të parën herë në këto 25 vite.
Gjergj MANDREJA