“Kurum”, treg mafioz të importit të skrap-hekurit me serbët…

1606
(Vijon nga numri kaluar)
Mjafton të lexoni këtë pjesë të dytë të proces-verbalit të mbledhjes së Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, të zhvilluar në datën 8 qershor 2010 dhe do të bindeni plotësisht, për faktin që shteti shqiptar njeh, lejon dhe pranon skandal-krimet ekonomike, financiare, mjedisore, cilësinë e dobët dhe pasigurinë e prodhimit të hekurit dhe çeliqeve, importet e skrapit ilegal e kancerogjen, trafiqet me skrapin dhe hekurin me bazë Serbinë e me synim Brazilin, pagesat qesharake të 960 “skllevërve” shqiptarë që punojnë tek “Kurum”, të cilët për të njëjtën punë e madje më të rëndë si metalurgë në “Kurum”, paguhen dhe sigurohen 3 herë më pak se 40 punonjësit turq. Madje, në këtë mbledhje, deputetët shqiptarë të ish-mazhorancës, deklarojnë edhe “njohjet më të hershme private” me bosët e “Kurum”. Madje “Kurum”, deklaron se importon lirshëm skrap nga Serbia që përpara datës 8 qershor 2010, ndërkohë importi i mbetjeve të skrapit, sipas VKM Nr. 1078, datë 29. 12. 2010 “Për autorizimin e “KURUM INTERNATIONAL, SHA” për importin re mbetjeve metalike të hekurit dhe çelikut për qëllime riciklimi” i lejohej vetëm pas kësaj date, ose më saktë, në ditën e botimit në “Fletore Zyrtare”, që është data 9 janar 2011 (këtë skandal të importit të skrapit nga Serbia, që po vazhdon akoma edhe sot në korrik 2015 në kundërshtim me ligjet shqiptare, do të publikojmë me fakte të tjera shkresore zyrtare). Sot po publikojmë pjesën e dytë të mbledhjes së Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese e cila është mbyllur pa asnjë vendim, pa asnjë masë ndaj “Kurum” për abuzimet që ka bërë, duke lejuar këtë kompani, të shkel ligjet, të bëj kontrabandë skrapi e hekuri, të prodhojë hekur jashtë standardeve të sigurisë së ndërtimit të objekteve,, të helmojë qarkun e Elbasanit, të derdh skorjet në lumin Shkumbin, të paguaj punonjësit si skllevër e të siguroj ata me paga minimale me bordero false. Përse nuk ndëshkohet? Sa është evazioni fiksal prej TVSH, prej gjobave të energjisë dhe detyrimeve të Ujësjellësit të papaguara? Sa është përfitimi antiligjor prej faturave fiktive të blerjes së skrapit nga grumbulluesit shqiptar? Sa është norma e përfitimit prej kontrabandës së skrapit dhe hekurit? Sa është abuzimi me sigurimet shoqërore false të punonjësve që i siguron me referencë pagën minimale shqiptare, duke përdorur dy bordero? Sa dosje krimi ekonomik-financiar ka “Kurum” në Shqipëri, Turqi, Mali i Zi, Bullgari, Serbi, Rusi, Itali, Maqedoni e në 13 shtete të tjerë? Kush përfiton prej mos ndëshkimit të “Kurum”? Kush e mbron? Ja fakti pa koment, se si përkëdhelet “Kurum” dhe se si “Kurum” e përdor shtetin shqiptar, si “punëtor pastrimi dhe bodigrad” të abuzimeve që vazhdon
Sigal

Pjesa mbyllëse nga mbledhja e datës 8 qershor 2010 e Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, ku është thirrur në raport “Kurum” 
Jemin Gjana: Zoti Dibra, e ka fjalën.

Gëzim Dibra: Pyetja është: Përmirësimi i çeliqeve që përdoren për ndërtim, ose ndryshimi i strukturës së tyre, konsiston në përdorimin e teknologjive të reja apo në përmirësimin e elementeve përbërës të çelikut? Sa është influenca e këtij përmirësimi në koston e prodhimit? 
Zeki Kaya, President i kompanisë “Kurum”: Investimi është tërësisht i ri, çdo gjë është e re nga a-ja te z-ja, duke përfshirë edhe fortifikimet e kolonave dhe të strukturës së godinës. Teknologjia është e re. Kemi teknologji Siemens, teknologji SPS italiane, teknologji ABB, për pjesën elektrike dhe kemi praktikisht segmentin elektromekanik nga prodhues të çertifikuar në nivel botëror dhe të akredituar të Organizatës për Prodhimin e Çelikut dhe Metalurgjisë. Çdo gjë është e re, përfshi mjediset për punëtorët. 
Jemin Gjana: Zoti Shalsi, urdhëroni!
Eduard Shalësi: Për të kuptuar madhësinë e kompanisë, sa është totali i investimeve që keni bërë gjatë kësaj periudhe në Shqipëri? Sa është numri i të punësuarve? Sa janë punëtorë shqiptarë dhe sa janë punëtorë të huaj? Ju thatë se keni 40 për qind të tregut rajonal, po tregu shqiptar sa për qind është? Sa për qind e prodhimit është e destinuar për Shqipërinë, dhe sa për qind për jashtë Shqipërisë? Çfarë lehtësimesh do të donit ju nga shteti? 
Blendi Klosi: – Doja të dija, 40 për qind e tregut që ju keni, duke qenë se është prodhim vendi, është për kapacitet prodhimi, është për mungesë kapaciteti prodhimi nga Kurumi, apo është më i lirë hekuri që vjen nga importi? Meqë është prodhim vendi, duhet të ishte shumë më i lirë. Është punë biznesi apo është kapacitet prodhimi?
Zeki Kaya, President i kompanisë “Kurum”: Falemnderit! Në lidhje me volumin e investimit do të doja të ilustroja situatën në Elbasan. Nuk është fjala për një fabrikë të integruar. Ne kemi disa fabrika në një infrastrukturë të gjerë. Kemi një njësi për ndarjen e gazrave, për prodhimin e gurit gëlqeror, për njësinë e çelikut, kemi infrastrukturën elektrike, 3 uzina petëzimi, një fabrikë për prodhimin e rrjetave metalike. Në Elbasan janë investuar 120 milionë euro, duke përjashtuar rreth 16 milionë euro të investuara së fundi. Vetëm investimi mjedisor, deri tani në Elbasan i ka kaluar 12 milionë euro. Në Elbasan punojnë 40 punëtorë të huaj, të cilët janë ekspertë të metalurgjisë dhe në nivel menaxheria, ndërsa shqiptarë janë 960. Me këtë infrastrukturë që kemi në Elbasan, mund të prodhojmë 800 mijë ton çelik në vit. Ky është kapaciteti ekzistues. Prodhojmë çelik për ndërtime, profile, tel, oksigjen mjekësor dhe disa nënprodukte të tjera si grila etj. Në vitin 2008, në momentin më të mirë të tregut, Shqipëria konsumoi përafërsisht 300 mijë tonë. Kjo do të thotë, se kapaciteti i Elbasanit është 3 herë më e lartë se aftësia absorbuese e tregut vendas, sepse Elbasani u projektua që në fillim që të ishte prodhues rajonal i çelikut dhe jo thjesht për nevojat e vendit. Sot, pothuajse çdo ditë, vjen një tren nga Novi Sadi dhe Serbia për në Elbasan që sjell skrap nga Serbia dhe çon produkt final në tregjet serbe. Kemi ndërtuar kampusin më të madh në Novi Sad, prej 50 hektar, ku grumbullojmë skrapin, depozitojmë dhe tregtojmë produktin tonë final. Ne tashmë dërgojmë produkt final nga Serbia në Hungari dhe disa dërgesa më të vogla drejt Republikës Çeke. Ne mendojmë se të gjitha tregjet e Europës Juglindore duhet të importojnë nga Elbasani. Në vitin 2008 kishim gati 50% e tregut të brendshëm. Në vitin 2009, 56%. Aktualisht jemi në 60% të tregut të brendshëm, që është gjysma e sasisë së konsumuar në vitin 2008. Për shkak të krizës botërore, i gjithë sektori i ndërtimit pati një ndalesë dhe ne u kthyem drejt eksportit. Tani, po eksportojmë shumë në Kosovë, ku kemi 5 shpërndarës. Gjithashtu, po eksportojmë edhe në Maqedoni me kamionë. Kemi eksportuar edhe drejt Italisë. Përfitoj nga rasti të përmend një problem që është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Marrëveshjet e tregtisë së lirë po punojnë vetëm në një drejtim. Vendet që nënshkruan marrëveshjen e tregtisë së lirë me Shqipërinë po na pengojnë të hyjmë në tregjet e tyre. Jo për shkaqe teknike dhe politike, por në mënyrë të padukshme, me stërzgjatje të panevojshme dhe kërkesa artificiale, ne nuk mund të eksportojmë drejt disa tregjeve. 4 vjetët e fundit jemi përpjekur të eksportojmë drejt Spanjës. Përtej kërkesave që janë në MSA, në marrëveshjen e tregtisë dhe marrëveshjet e tjera me BE të cilat janë të listuara dhe janë përmbushur prej nesh, kemi marrë një listë tjetër me kërkesa nga institucionet e tyre në Spanjë. E njëjta situatë është efektive edhe për Italinë dhe Greqinë. Ata thjesht, mbrojnë prodhuesit e tyre. Në fakt, kjo është e natyrshme. Ne e kuptojmë këtë dhe po kërkojmë që edhe këtu të aplikohet e njëjta gjë. Pse të mos mbrojmë edhe këtu produktet e vendit? 
Jemin Gjana: Urdhëroni, zoti Çota! 
Rrahim Çota: Aktiviteti i kompanisë “Kurum” është i fokusuar vetëm në shfrytëzimin e skrapit shqiptar apo edhe rajonal? Si ka mundësi që kompanitë e huaja blejnë skrapin shqiptar me çmim më të lartë? Metalurgjiku është vendosur aty për arsye të zonës minerare të Librazhdit dhe të Pogradecit. A mendoni se do të aktivizohet përpunimi i mineraleve të kromit dhe hekur-nikelit në këtë vend apo do të shfrytëzohet vetëm skrap? 
Zeki Kaya, President i kompanisë “Kurum”: Kjo është një pyetje profesionale dhe shumë e rëndësishme. Elbasani me prodhimin e sotëm prej 500 mijë tonë, mund të mbulojë nevojat e tij për skrap vetëm 10% nga tregu i brendshëm, pjesa tjetër duhet të vijë nga jashtë. Ka dy arsye: E para, Shqipëria nuk po prodhon më skrap. Përdorimi i skrapit, madje edhe rezultati i nxjerrjes së skrapit nga makinat, ka ardhur gjithmonë në rënie. Kështu që, shumica e makinave të reja kanë gjithnjë e më pak çelik. Kështu që ne, po importojmë skrap nga dy destinacione: Nga Europa Qendrore me tren përmes Serbisë, nga Kosova me kamionë dhe sigurisht nga tregjet mesdhetare dhe të Detit të Zi me anije. Ne kemi dy probleme kryesore. Problemi i parë është vjedhja që na u bëhet trenave. Nga kufiri i Malit të Zi, deri në Elbasan, trenat tanë ndalen disa herë dhe 50-60 tonë skrap zakonisht vidhen nga trenat. E njëjta gjë na ndodh me ngarkesat nga porti i Durrësit deri në Elbasan. Ne nuk duam t’i bëjmë publike këto gjëra, por komisioni juaj mundet të na japë një zgjidhje për këtë problem. Transportuesi në këtë rast në Shqipëri është Hekurudha Shqiptare. Nëqoftëse, do të ishte një transportues ndërkombëtar, ai do të duhet të mbante përgjegjësi. Hekurudha shqiptare në këtë mes, nuk mban dot asnjë përgjegjësi. I kemi kërkuar Hekurudhës Shqiptare, që të na japë leje të futim trenin tonë privat, por kjo kërkesë ende nuk është pranuar. Ia lë vullnetit të mirë të këtij komisioni mundësinë e zgjidhjes së këtij problemi. Problemi i dytë, zoti kryetar (Jemin Gjana), lidhet praktikisht me blerjet ndërkombëtare. Porti i Durrësit është një Port i mirë për pasagjerët, është një port i mirë për jahte, si dhe për udhëtimet e kënaqësisë, por nuk është një port për anijet me zhytje të thellë. Ne duam të sjellim skrap nga Brazili, por s’kemi ku të sjellim anijet. Bëmë një eksperiment. Sollëm një anije 22 mijë ton. Anija fillimisht u detyrua të shkonte në Tivar, të shkarkonte atje një pjesë të ngarkesës, dhe pastaj mund të hynte në Durrës, ç’ka e zgjat udhëtimin dhe e bën të shtrenjtë. Për zhvillimin e industrive në këtë vend, jo vetëm për çelikun e kam fjalën, edhe ajo e ferrokromit, të gjithë llojet e mineraleve që përmendi këtu zoti komisioner edhe për të gjithë industritë e tjera të ndërlidhura, si ajo e çimentos për shembull, ne kemi nevojë për një port me zhytje të thellë. Faleminderit!
Eduard Shalësi: – Po shikoj pak me vërejtje shifrat, masën e investimeve, atë që pritet, impaktin. Në vitin 2008 prodhimi ka qenë 300 mijë ton në vit, aq sa ishte kërkesa e tregut për konsum, por ka pasur rënie gjatë vitit 2009 dhe vitit 2010. Ju kishit 50% të tregut në atë kohë dhe prodhonit 150 mijë ton në vit për Shqipërinë. Pyetja e parë është: Sa është konsumi në Shqipëri? Pyetja e dytë: Sa për qind mbulon kompania juaj në Shqipëri? Pyetja e tretë: Sa për qind e prodhimit tuaj ka për destinacion tregun vendas dhe sa për qind ka tregun jashtë? Dhe mora një përgjigje: që konsumi në Shqipëri është 300 mijë ton në vit. Dhe ju kishit 50% të tregut, pra prodhimi ishte 150 mijë ton në vit, kurse sot fabrika juaj prodhon 500 mijë ton në vit, ose 300 mijë ton më pak se kapaciteti i vet. 
(Debat në sallë.)

Eduard Shalësi: Dakord. Sa është prodhimi sot?

Sa për qind mbulon tregun vendas dhe sa për qind destinohet për tregun jashtë?
(Diskutim në sallë pa mikrofon.)

Eduard Shalësi: Që ta bëj të qartë, gjithë këto shifra për të cilat pyeta, volumi i punës, dhe të tjera, i bëra për të bërë një analizë me veten time, midis mjedisit tërheqës të Shqipërisë për investimet e huaja dhe sjelljes së investitorëve të huaj. Dhe për të kuptuar që në këtë krizë globale në vitin 2010, sa për qind e një prodhimi vendas shkon për tregjet e huaja dhe sa mbetet në Shqipëri. 

Jemin Gjana: Kolegë të nderuar, më lejoni që edhe në emrin tuaj të vlerësoj këtë paraqitje në komision të të gjithë agjendës së investimeve, përpjekjeve dhe problemeve të hasura nga kompania. Çmoj se dy çështjet e ngritura këtu, mbeten në vëmendjen tonë për t’i konsultuar edhe me strukturat e ekzekutivit. Njëra ka të bëjë me zbatimin korrekt të marrëveshjes së tregtisë së lirë. Natyrisht që nuk është problem i panjohur për ne, nuk mund të them se Shqipëria mund të bëjë hapa mbrapsht në legjislacionin e saj, sepse edhe të tjerët nuk është se pengojnë me legjislacion zbatimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë, por në pikëpamjen time, Europa e vjetër, në kuptimin e anëtarësisë, tashmë edhe shtetet që i janë bashkëngjitur, vazhdojnë të përpunojnë përditë standardet dhe t’i rrisin ato. Në fakt, kjo është një mënyrë indirekte për të vënë barriera për tregtinë e lirë, sepse ai të thotë se tregun e ke të hapur dhe kjo nuk ndodh vetëm me produktet industriale, por ndodh edhe me produktet ushqimore. Nuk i ndodh vetëm Shqipërisë, por iu ndodh edhe disa vendeve të tjera që i janë BE-së në dekadat e fundit. Standardet janë bërë si një mekanizëm me të cilin bëhet bllokimi i fenomenit të Osmozës. Ata mund të sjellin mall, kurse ne vështirësohemi gjithnjë e më shumë në punën tonë. Megjithatë, unë besoj se kjo duhet të mbetet çështje debati ndërparlamentar, sa herë që komisionet tona janë në kontakt me përfaqësuesit e Parlamentit Europian dhe të instancave vendimmarrëse të Brukselit. Natyrisht që detyra e Qeverisë, e Ministrisë së Integrimit, e Ministrisë së Ekonomisë dhe të ministrive të tjera, në të gjitha debatet dhe diskutimet që bëjnë, është që të ruajnë gjithmonë në konsideratë se, po nuk plotësuam standardet që ata kërkojnë, atëherë do të kemi gjithmonë vështirësi dhe probleme. Çështja e nivelit të rendit dhe sigurisë, është ajo e dëmeve që shkaktohen nga vënia dorë në mjetet e transportit dhe në produkt. Unë do të përpiqem ta relatoj këtë çështje në të dyja linjat, atë të Ministrisë së Brendshme dhe të Transportit që mbulon problemet e hekurudhave. Duke ju falënderuar për shkallën e investimeve, të punësimit, përpjekjet për të mbuluar gjithnjë e më shumë tregun vendas, por edhe tregjet rajonale në kushtet e konkurrencës së lirë. Zoti president dhe përfaqësues i kompanisë “Kurum” Zeki Kaya, të jeni të bindur, se ne jemi të interesuar dhe kërkues edhe për çështjet që unë theksova që në fillim. Investitorët e huaj në Shqipëri, nuk vijnë vetëm për interesat e shqiptarëve. 
Fillimisht kanë ardhur për krahë më të lirë pune, gjë e cila nuk duhet të ngelet përjetësisht kështu, sepse ne, bëjmë pjesë në tregje të integruara dhe qytetarët shqiptarë, sot përballen me kosto më të larta jetese, ç’ka do të thotë, se duhet të trajtohen më mirë, duhet të paguhen më mirë, duhet të kenë mbulim social më të mirë dhe trajtim më të mirë. Shteti shqiptar ka bërë favore ndaj biznesit, sepse është përpjekur të ulë barrën e ngarkesave fiskale ndaj tij. Një çështje mjaft e rëndësishme është problemi i standardeve për ruajtjen e ambientit. Unë kam bindjen, se një pjesë e madhe e kompanive të huaja e synojnë Shqipërinë për klimën e investimeve që është krijuar, por ndonjëherë edhe për hapësirat dhe për lehtësirat që gjejnë, duke mos zbatuar kriteret që lidhen me mjedisin. Mjedisi sot është një çështje e kushtueshme, për të cilin bëhen debate shumë të mëdha. Shqipëria ende nuk ka kapacitetet e duhura, logjistikën e duhur, ekspertizën e duhur, laboratorët e duhur dhe kërkesën e duhur për të mbrojtur ambientin. Për çështjet e trajtimit të punonjësve dhe ato të ambientit, ne nuk do të rreshtim kurrë së kërkuari mirëkuptim. Nevojat për të përmirësuar janë shumë të mëdha. Në sektorin privat, ne u detyruam të vendosnim tavane ose dysheme pagash, sepse njerëzit vazhdojmë të paguhen me standarde të papranueshme. Unë ju garantoj ju që të dyja shqetësimet tuaja në lidhje me problemet e tregjeve, për t’i harmonizuar në pikëpamje të konkurrencës dhe të tregjeve të lira, do t’i përcjellim edhe në institucionet e tjera ekzekutive të vendit, të cilat merren me këtë çështje.
Urdhëroni, zoti (deputet) Turku!

Ardian Turku: Mua më takon më shumë se të tjerët të flas këtu, sepse jam vetë nga Elbasani dhe kam punuar për shumë vite në pushtetin lokal. Njohja me kompaninë “Kurum” dhe me personalisht me presidentin e saj Zeki Kaya është shumë më e hershme se ajo e kolegëve të tjerë të komisionit parlamentar. Është një nga kompanitë e para investitore në Shqipëri dhe në Elbasan. Ajo ka vënë në përdorim ish-Kombinatin Metalurgjik, i cili ishte në gjendje të mjerueshme dhe në kolaps të plotë. Është rritur në investime dhe ka zgjeruar gamën e prodhimeve dhe sot numëron disa fabrika. Natyrisht që edhe ne si politikanë, kemi qenë pro në mbështetje të zhvillimit tonë ekonomik, i cili vjen si nga investitorët vendas, ashtu edhe nga të huajt. Në këtë kuptim, ne e kemi parë me sy shumë pozitiv shoqërinë “Kurum”. Elbasani ka pasur përfitimet e veta dhe unë llogaris, që përpara 2-3 vjetëve, numri i punëtorëve luhatej nga 500-700, ndërsa tani, me rritjen dhe zgjerimin e shoqërisë, me investimet e reja dhe rritjen e numrit të produkteve, jo vetëm të prodhimit të hekurit, numërohen 960 punëtorë, së bashku me 40 punëtorë të huaj. E përgëzoj kompaninë për këtë gjë dhe për marrëdhëniet e mira me Qeverinë shqiptare, por nuk mund të them se gjithçka ka shkuar si “në vaj”. Elbasani ka qenë një nga qytetet më të ndotura. Pikërisht nga Kombinati Metalurgjik është ndotur në mënyrë të tmerrshme më parë, pasojat e së cilës do të vazhdojnë edhe për shumë vite të tjera. Kam qenë në dijeni të investimeve që ka bërë “Kurum” për ndalimin apo pakësimin e ndotjes, megjithatë ka pasur dhe vazhdon të ketë pakënaqësi. Kjo e fundit nuk vjen nga krahasimi në vlerë absolute për ndotjen, krahasuar me kohët e mëparshme, sepse përmirësimet janë shumë të ndjeshme, por nga fakti se kërkesat e qytetarëve vijnë në raport me ndërgjegjësimin e tyre dhe në krahasim me vendet e BE-së, drejt të cilave duam të integrohemi. Nëse krahasohemi me ritmet me të cilat duhet të kishim ecur, përmirësimet duhet të kishin qenë më të mira. Unë po përcjell një vërejtje: fabrika ka bërë shumë investime, por akoma lë për të dëshiruar. Nëse do të hynim tek termat teknikë, ju mund të na i shpjegoni më mirë, por, duke parë se çfarë del sipër në oxhak, them se përsëri ka shumë probleme. Pasditeve kur kthehem në Elbasan, pasi banoj dhe pothuajse kthehem përditë atje, rreth orës 19:30-20:30 shoh se ka shumë ndotje. Se çfarë ndodh atje brenda zoti president i kompanisë “Kurum”, ju e dini më mirë, unë shoh se çfarë del sipër në oxhak. Nuk e di, ndoshta janë arsyet tuaja teknike që ndikojnë, ndoshta nuk funksionon mirë kapsula kapëse, apo thithëse etj. Megjithatë, këto gjëra ekzistojnë, shihen me sy dhe nuk kanë nevojë të komentohen. Unë do t’ju lutesha shumë, në emër të popullsisë së Elbasanit, që ashtu siç keni punuar dhe e keni përmirësuar deri tani, të vazhdoni të punoni me të njëjtin seriozitet, sepse probleme kemi plot dhe se qytetarët e Elbasanit dhe fëmijët e mi, janë rritur duke thithur pluhurat e Kombinatit Metalurgjik. Kërkesat e qytetarëve rriten vazhdimisht dhe po njësoj duhet të rriten edhe investimet tuaja për përmirësimin e ndotjes së ambientit. Kam edhe një problem tjetër. Në kompaninë tuaj ka vende pune me paga të mira. Politikat e pagesave brendapërbrenda kompanisë janë politikat tuaja, megjithatë, me sa di unë, ka vende pune ku një specialist turk dhe një specialist shqiptar, për të njëjtën punë, nuk paguhen në mënyrë të barabartë. Pra, nuk dua të bëj politikat tuaja të pagesave, por këtu hyn një element që duhet përmendur, që quhet diskriminim. Si këtu në Shqipëri, si në Turqi apo në ndonjë vend tjetër, në qoftë se flasim për sondazhe dhe vende demokratike, për të njëjtën punë dhe nivel pagat duhet të jenë të njëjta. Unë po e them si vërejtje këtu, por ju duhet ta merrni seriozisht në konsideratë elementin e diskriminimit. Kjo ka të bëjë edhe me ligjin shqiptar. Unë do të jem mbështetës i kërkesave që keni ju, të cilat kanë të bëjnë me vështirësitë që has biznesi juaj, si çdo biznes tjetër në Shqipëri. Pavarësisht të tjerave, për të gjitha përmirësimet e dukshme që keni bërë unë do të jem i gatshëm, nga pozicioni i ligjbërësit dhe vendimmarrësit në bërjen e ligjeve, së bashku me kolegët e tjerë, për t’ju mbështetur me aq sa është e mundur.

Jemin Gjana: Ju faleminderit për pjesëmarrjen (Mbledhja mbyllet).