Kurum, shteti brenda shtetit dhe i pandëshkuar nga asnjë institucion

754
Dje në mesditë një gjë e jashtëzakonshme ka ndodhur në Elbasan. Shiu që ka nisur rreth orës 12.50 dhe ka zgjatur për afro 20 minuta, e ka ngjyrosur qytetin me të kuqe. Rrugët, trotuaret, makinat, dyqanet, pemët dhe gjithçka tjetër janë ngjyrosur me të kuqe. Interesimit të “Telegraf” lidhur me problemin, një burim nga ARM ju përgjigj se “e dimë, e njohim, mund të jetë edhe KURUM-i shkaktari, do hetojmë, do punojmë, do ndëshkojmë cilindo që rezulton se e ka bërë”. Përgjigje më antizyrtare, antinjerëzore, antiligjore dhe antimjedisore, nuk ka se si të jepet nga njerëz inkompetentë, të paaftë dhe të blerë. Elbasani faktikisht ka vite që vuan nga ndotja e madhe dhe e rrezikshme e KURUM, por dhe uzina e Ferro-Cromit, të cilat mbajnë hapur furrat e shkrirjes dhe nuk vendosin filtrat e tyre as ditën dhe as natën. Shkurt nuk kanë frikë nga ligjet e këtij vendi. Dje Elbasani ngjante me qytetet kineze, të cilat kanë ndotje alarmante dhe që shpesh rrugët dhe banesat e tyre mbulohen me të kuqe nga nxjerrja në atmosferë e kimikateve, helmeve dhe llojeve të tjera të smogut, që dëmton seriozisht jetën e njerëzve dhe gjallesave të tjera. Elbasani ka përjetuar realitetin e frikshëm të cilin e përjetojnë çdo ditë qytetet qindra milionëshe në Kinë, dhe kjo për fajin e një grushti inspektorësh të paaftë të Agjensisë Mjedisit, të cilët kanë rënë prej kohësh në kurthin e presioneve dhe aferave korruptive. Si guxon dhe krijon një ndotje të tillë, një kompani e huaj, në një qytet me mbi 250 mijë banorë, duke mos marrë asnjë gjobë, asnjë ndëshkim ligjor, asnjë penalitet, madje duke u favorizuar edhe nga dikasteret qeverisëse?! 
Pamjet tronditëse në qytet
Qytetarët e Elbasanit, poseduesit e makinave, zyrtarët dhe drejtuesit e institucioneve të shtetit, kanë qenë dëshmitarë të një pamje tronditëse dhe kanë shprehur indinjatën e tyre lidhur me situatën e rënduar mjedisore e cila po dëmton jetën, bimët dhe kafshët e gjalla. Përgjatë bulevardit “Aqif Pasha” dhe akseve të tjera rrugore në çdo lagje, përgjatë aksit rrugor Elbasan-Metalurgji-Bradashesh, makinat ngjanin me gjallesa të kuqe, të mbuluara të gjitha me shtresën e dheut të kuq. Një skandal që duhet të kryqëzojë mbrapa hekurave çdo zyrtar të shtetit, apo dhe inspektor mjedisi në Elbasan, për të zhdëmtuar moralisht dhe materialisht qytetarët dhe gjithçka tjetër në gjithë këto vite. Në çdo qytet tjetër të Europës, një kompani e tillë, e papërgjegjshme do të ishte gjobitur, larguar, penalizuar, dhe dënuar ashpër sipas të gjitha ligjeve të çdo vendi demokratik. 
Heshtja e Ministrisë së Mjedisit
Si mundet një kompani e tillë që pretendon se e ka një emër në fushën e prodhimit të çeliqeve, të krijojë ndotje alarmante në një qytet të banueshëm, dhe të mos pësojë asnjë penalitet, si mundet të mos instalojë sistemin e filtrave kur e ka detyrim ligjor? Përgjigja natyrisht mbetet e thjeshtë, ka blerë çdo zyrtar dhe çdo “rrebel” që tenton të frenojë dhe publikojë ndotjen , që tenton të publikojë shifrat alarmante të saj, duke krijuar artificialisht një situatë normaliteti, që vret çdo ditë qytetin dhe njerëzit e tij. Ministria e Mjedisit, deri sot nuk është ulur asnjëherë seriozisht për të monitoruar ndotjen në Elbasan, për të ndaluar dorën vrastare të një prodhuesi çeliku, që mbledh mbeturina dhe hekurishte dhe e ka kthyer territorin e ish- Metalurgjikut në vend-grumbullimin e rrezikshëm, nga ku shkrin dhe ndot me smogun e pistë gjithë zonën. Ministria e Mjedisit duhet të ndalet urgjentisht në situatën e krijuar në Elbasan, duhet t’i thotë ndal këtij përbindëshi, që ka ndotur dhe po ngjyros me të kuqe qytetin e luleve, qytetin e ballakumeve, qytetin e njerëzve bujarë dhe të mençur, që duan të jetojnë të qetë me fëmijët dhe jo të ngrysen dhe të gdhihen me frikën se gjithçka hanë, gjithçka thithin, gjithçka prekin, është ndotur nga helmet dhe pluhuri i kuq i KURUM. 

Sigal

Alma JONUZI