“Kurum” sfidon shtetin shqiptar, punon natën hajduçe

615
Megjithëse ka shpallur prej një muaji e gjysëm falimentimin, duke detyruar ndoshta formalisht edhe strukturat e shtetit të bëjnë sikur të “kyçin portat e uzinës”, duket se “Kurum” vazhdon me shumë guxim dhe kurajo (natyrisht duke patur mbështetje qeveritare) të sfidojë shtetin shqiptar. Në asnjë vend tjetër europian apo edhe afrikan, kjo kompani nuk do të kishte shansin të rindizte furrat e saj të shkrirjes së çelikut, në rast se Ministria e Financave, ajo e Mjedisit dhe strukturat e tjera Tatimore do t’i kishin vendosur “falimentin”. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Ndodh të rinisësh punën hajduçe edhe kur Tatim-Taksat të kanë vendosur shiritin e kuq të mbylljes së aktivitetit. Ndodh edhe kur Ministria e Mjedisit të ka vendosur gjobën maksimale dhe të ka paralajmeruar nja 20 herë, për të mos nisur nga puna, ndodh edhe kur me dhjetra banka shqiptare dhe të huaja të kanë paditur në organet e hetimit për borxhet që kapin miliona euro. 

“Kurum” punon sikur s’ka ndodhur asgjë
Por pavarsisht këtyre gjërave, “Kurum” së fundi ka rinisur punën, duke ndezur furrat e saj vrastare që çlirojnë gazra dhe helme pikërisht natën, dhe jo ditën. Banorët e Bradasheshit të alarmuar i deklaruan “Telegraf” se “Kurum ka nisur të rindezë furrat duke përdorur prokate kineze të cilat i marrin nga porti i Durrësit, na mbyti helmi kuq, nuk vendosin në punë as filtrat mbrojtës, pasi gjithçka nis nga ora 21.00 deri në orët e para të mëngjesit dhe pastaj gjithçka fiket dhe duket sikur nuk punohet”. Banorët deklaruan se “kemi mbi 2 javë që banesat tona po mbulohen nga helmet e ‘Kurum’, gazrat dhe pluhuri kuq, që nuk po hapim dot as dyert dhe dritaret natën”. Sfida faktikisht është me shtetin shqiptar, me ligjet e këtij vendi, me injorimin që një kompani e zhytur në borxhe dhe gjoba të papaguara i bën institucioneve të shtetit. Interesimit të “Telegraf” pranë Agjensisë Mjedisit në Elbasan kjo e fundit ju përgjigj se “nuk e dimë situatën, kemi disa sinjalizime por do ti verifikojmë”. Gjithçka duket se është jashtë kontrollit, duket sikur ky shtet dhe institucionet e tij ligjore janë asfiksuar nga paaftësia dhe korrupsioni. Në një kohë që kjo kompani e huaj ka deklaruar falimentimin, ka deklaruar se ka borxhe të pashlyera dhe gjoba të papaguara, ndërkohë që disa banka në Shqipëri kërkojnë penalitete ndaj saj, papritur ajo guxon dhe rindez furrat e saj të shkrirjes, madje nuk ndalet edhe në shitjet e prodhimit të mbetur në magazine,apo dhe të prokateve kineze. 
Heshtje e organeve përgjegjëse
Ndërkohë nga ana tjetër, kemi një Agjensi Mjedisi inekzistente, një degë Tatim-Taksash që nuk e di se çfarë ndodh me bizneset e saj të mëdha që janë debitore në banka dhe gjoba të papaguara në dikasteret qeveritare, një polici e cila edhe pse njoftohet me dhjetra herë tek 129 dhe tek “komisariati xhital” nga banorët dhe komshinjtë e kompanisë, bën sikur nuk shikon dhe dëgjon. Një shtet i kapur nga aferat dhe ofertat korruptive, dhe një zonë me mbi 20 mijë banorë e cila po mbytet nga helmet e furrave të çelikut prej vitesh. Prej afro 1 viti në zonën e ish-kombinatit Metalurgjik në Elbasan, nuk kryhen analiza dhe matje të ndotjes, ç’ka ka sjellë një situatë të rënduar mjedisore, njerëzore, shëndetsore, bujqësore dhe blegtorale. Gëzimi banorëve kur morën lajmin se “Kurum mbylli aktivitetin” nuk ka zgjatur shumë, pasi gjithçka duket sikur ka nisur nga e para, por kësaj rradhe hajduçe, dhe jo në rrugë ligjore. Në institucionet e shtetit në Elbasan ka zyrtarë që shprehen se “Kurum ka mbrojtje nga lart, nuk kemi forcë ta ndalim”, ç’ka të bën të besosh se sfida me shtetin shqiptar është e fituar si gjithë këto vite, edhe kësaj here nga kjo kompani, e cila vazhdon të sillet vrazhdë dhe me arbitratitet, si ndaj banorëve, mjedisit, apo ndonjë zyrtari që tenton dhe guxon të “gërricet” për pak dinjitet institucional, por edhe ndaj ligjeve tona kushtetuese. 
Sigal