“Kurum”, në gjyq për 751 milionë lekë energji elektrike të pa paguar

997
Kompania turke “Kurum – Elbasan” e cila në Shqipëri njihet vetëm si “oxhaku” që vjell gazra helmues kancerogjen që vrasin “pa zë” 370 mijë banorë të qarkut të Elbasanit, në fakt është një “rezidencë” abuzimesh skandaloze e cila prej 23 vitesh është skeduar nga organet ligj-zbatuese të shtetit shqiptar, si kompania e huaj konçensionare që ka në “CV” numrin më të madh të skandaleve ekonomike, financiare, ligjore, mjedisore, doganore, kriminale, tatimore, koncesionare, detyrimesh fiskale, sigurimesh shoqërore e shëndetësore, privatizimesh, për kushte skandaloze pune e trajtim skllavëror punonjësish, bilance vjetore të dyzuara, fatura tatimore false, si përfituese financiare e pronësore nga ekonomia shqiptare, për akt-eskpertime kontabël fiktive, import-eksporte kontrabandë, procese gjyqësore për abuzime në raport me ligjet e shtetit shqiptar dhe me subjekte private që krijon partneritet, si dhe më kryesorja për blerje të shtetit në këmbim të vazhdimit të abuzimeve, pa u prekur nga zbatimi i ligjit dhe nga drejtësia. Fakti është ky: në këto 23 vite “Kurum” ka bërë e po vazhdon të abuzoj lirshëm në Shqipëri, duke tërhequr prej “kapistalli” edhe shtetin e “shkrirë” në “furrat” e aferave të tij, aq sa edhe pse kapet si “tutore” e krimit ekonomik në shumë raste, gjithçka që ka emrin “Kurum” “çuditërisht” del e zhduket shpejt… si tymnajë!
“Kurum” kontrabandë hekuri turk në Kosovë, me markën “Hekur-Kurumi Elbasan”
Gazeta “Telegraf”, në vijim të skedimit, zbardhjes dhe denoncimit të dosjes “Kurum, bloza e abuzimit”, po publikon sot 1, nga 120 skandalet e rënda që kanë “markën” e kompanisë “Kurum”. Është një skandal-krim ekonomik-financiar i organizuar nga kompania “Kurum”, zbuluar prej një kontrolli rutinë në kufirin e territorit të shtetit të Kosovës, por që është mbajtur i fshehtë e madje është zhdukur nga dosjet hetimore të shtetit e të drejtësisë shqiptare. Bëhet fjalë, për një rast krimi kontrabande hekuri të organizuar në mënyrë mafioze, nga kompania “Kurum”. Sipas dokumentit zyrtar shkresor të Doganës së Republikës së Kosovës, që tashmë e disponon gazeta “Telegraf”, rezulton se në datën 8 tetor 2012, në kufirin Kosovar, në pikën Doganore Vermikë është bllokuar sasi prej 320 tonë hekur prodhim turk, por që futej nga kufiri shqiptar për në Kosovë, si hekur i prodhuar në Shqipëri dhe i shitur prej kompanisë “Kurum-Elbasan”. Sipas procesverbalit të Akt-Kontrollit të doganës kosovare Vermikë, rezulton se sasia e hekurit ka kaluar pa asnjë pengesë kufirin dhe doganat shqiptare, gjoja “me letra të rregullta”, me stampën mbi hekur “Kurum-Elbasan” dhe me letra shitje me logon, firmën e vulën “Kurum”, me blerës e transportues firmën “Euro-Abi SHPK-VITI”, me Nr. Biznesi 70038769. Sipas Akt-kontrollit e vendimit të Doganës së Kosovës me Kod 05.2.1/730AI.H. dhe me Nr. 04.2.3.1/624, datë 08. 10. 2012, firma blerëse ka temtuar të çoj në territorin kosovar hekur, me letra false, pa treguar origjinën reale të mallit. Përballë doganës së Kosovës e për me tepër në ankimin për heqjen e gjobës dhe zhbllokimin e mallit, firma blerëse e transportuese e hekurit kontrabandë “Euro-Abi SHPK-VITI”, ka deklaruar se “hekurin e ka blerë pranë firmës “Kurum-Elbasan” në Shqipëri”. Edhe në letrat që shoqëronin hekurin prodhim turk, shkruhej sikur hekuri ishte prodhim “Kurum-Elbasan”, madje edhe faturat e shit-blerjes shoqëruese të hekurit kishin logon, vulën dhe firmën e kompanisë “Kurum-Elbasan”. Skandali thellohet më tej, kur firma “Euro-Abi SHPK-VITI”, deklaron me shkrim në ankimin dhe sqarimin e saj se ka 10 vite që “punon” me firmën “Kurum-Elbasan”, duke blerë prej saj hekur me shumicë dhe se nuk është ndalur asnjëherë në kufi e dogana për t’i verifikuar “letrat”. Kjo lloj tregtie, sipas ligjit Kosovar e atij shqiptar të import-eksportit të produkteve, është bërë me qëllim që të mos paguhet detyrimi i taksës doganore kosovare prej 10% e vlerës së mallit dhe “Kurum”, nëpërmjet faturave false të shitjes false të një malli që nuk e ka prodhuar vetë të përfitoj rimbursime fiskale fiktive. Dogana e Kosovës nuk pranoi të bënte pazar me firmën “Euro-Abi SHPK-VITI”, duke lënë në fuqi vendimin e bllokimit dhe të gjobës, mbasi hekuri që shoqërohej me letrat e firmës “Kurum-Elbasan” ishte hekur prodhim turk me prodhues subjektin turk “Diler Demir Çelik” dhe nuk ishte prodhim shqiptar. Kjo histori kontrabande, kishte 10 vite që realizohej e sipas informacioneve të gazetës “Telegraf”, vazhdon të zhvillohet ende pa asnjë bllokim, madje edhe me mbrojtjen e shtetit shqiptar. Kujtojmë rastin e datës 9 tetor 2013, kur në magazinat e firmës “Kurum” u kap 4000 ton hekur kontrabandë, pa letra e pa certifikatë prodhimi, apo shitje-blerje, por që dosja u mbyll nga shteti, duke shkarkuar me “ceremoni” atë që e zbuloi (Shefin e Anti-Kontrabandës të Doganës Shqiptare, Denion Meidani), ndërsa nga drejtësia, dosja hetimore u mbyll me cilësimin: “Nuk ka subjekt dhe autor krimi”, ndërkohë që “Kurum” “me ca letra miqësore” të marra në zyrat e “bosëve” të shtetit shqiptar, nuk pagoi as gjobën 1.4 milionë euro që iu vendos nga dogana dhe as u penalizua nga drejtësia për krim-përftimin e 450 mijë eurove rimbursim TVSH, prej këtij malli ilegal që iu gjet në magazina!
———————————————–
Më 25 qershor 2015, firmës “Kurum” do t’i hiqej licenca, por nuk iu hoq! Kush e mbron?
Kompania “Kurum”, në datën 23 prill 2015, i ka kërkuar Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit, që afati për plotësimin e 3 detyrimeve mjedisore të veprimtarisë së saj në shkrirjen e skrapit dhe prodhimin e hekurit, gëlqeres dhe përpunimit të produkteve të naftës në Cërrik, të mos jetë data 20 maj 2015, por data 25 qershor 2015, duke paraqitur një plan-menaxhimi të mbetjeve, sipas të cilit ato do të depozitohen nga “Kurum”, në zonën e Spitallës, konkretisht në Porto Romano, sipas të cilës “Kurum” ka mashtruar se do të ndërtojë një impiant të mbledhjes dhe pastrimit të mbetjeve, madje për të “hedhur lumin”, edhe pa ndërtuar impiantin, ka paraqitur në Ministrinë e Mjedisit edhe një kontratë, me një kompani të tretë e cila do të bëjë transferimin e mbetjeve nga “Kurum”, në Porto-Romano. Siç duket me urdhër nga bosët e shtetit që “ngrohen” në furrat e Kurum, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ia ka pranuar kërkesën e firmës “Kurum”, duke i lënë si kusht, se nëse detyrimet nuk plotësoheshin deri në 25 qershor 2015, kompanisë “Kurum” do t’i hiqej licenca. Prej afatit 25 qershor 2015, të kërkuar nga “Kurum” dhe të miratuar nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, kanë kaluar 8 ditë. Sipas investigimit të bërë prej gazetës “Telegraf”, rezulton se kompania “Kurum” nuk ka plotësuar asnjë detyrë të lënë. Përkundrazi, ajo ka shqyer “drynin” e vendosur nga Inspektorati i Mjedisit, ka përdhosur ligjet e shtetit, ka hedhur në kosh vendimin për heqjen e licencës dhe po vazhdon e punon me këtë marifet: Ditën furnizohet me skrap nën hundën e shtetit e të Policisë së Shfrytëzimit të Mjeteve të Transportit që ka urdhrin për bllokimin e aktivitetit të firmës “Kurum”. Ndërsa natën, përpunon skrap dhe ndez furrat, duke prodhuar hekur e duke helmuar banorët! As licenca nuk i është hequr sipas vendimit zyrtar të datës 25 qershor 2015, as puna nuk i është bllokuar, as gjoba 10 milionë lekë nuk është paguar, as drejtësia nuk vepron, as shteti nuk i thotë gjysmë fjale!!! As Inspektorati i Mjedisit, pas 25 qershorit 2015, nuk ka guxuar të nis procedurat e të kërkoj heqjen e licencës sipas ligjit dhe detyrimit! Kush e mbron “oxhakun” helmues e kancerogjen dhe “përbindëshin” e korrupsionit dhe shkeljes së ligjeve shqiptare, me emrin “Kurum”?!
———————
Ja Akt-Padia gjyqësore e KESH ndaj “Kurum”, për borxhin 751 milionë lekë energji elektrike të pa paguar
Kompania turke e çelikut KURUM, e cila vepron në zonën e Metalurgjikut të Elbasanit ka një borxh të madh ndaj KESH, për sa i takon faturave të pa paguara prej saj të energjisë elektrike. Mësohet se ky detyrim është në vlerën 751 milionë lekë.
Për këtë arsye KESH e ka paditur kompaninë turke, që vepron prej shumë vitesh në vendin tonë dhe ka kërkuar sekuestron e saj.
Ja të dhënat e Akt-Padisë
Gjykata e Shkallës së Parë
Nr. i Çështjes: 3851
Data e regjistrimit: 22.05.2015
Paditësi: Korporata Elektro-Energjitike Shqiptare, KESH
I paditur: (Kurum International Sh.a)
Lloji i Çështjes: Urdhër Ekzekutimi
Baza Ligjore: Neni 510-526
Objekti padisë: Lëshimin e urdhrit të Ekzekutimit për titujt ekzekutivë: Fatura të enërgjisë elektrike, me këtë numër serie: E1451584/Shkurt 2005, në ngarkim të subjektit “KURUM”, borxh detyrim blerje produkti (energji elektrike) me vlerë 75 milonë, 122 mijë e 510 lekë.
Statusi i dosjes: Në gjykim
Gjyqtari: Manjola Bejleri
——————————————- 
Faksimile e vendimit të Doganës në Kosovë 
Sigal