“Kurum” i ka borxh shtetit 2.9 miliardë lekë energji, ERE e licencon edhe me 5 vite për t’i shitur energji shtetit

604
Përparim HALILI 
Ky skandal provon faktin, që kjo firmë i ka lidhur “fijet korruptive” në “çengelët” e shtetarëve të lartë shqiptarë
– Borxhet totale të kësaj kompanie ndaj shtetit shqiptar në formë gjobash mjedisore, kontrabande, trafiku skrapi, detyrimesh doganore për import-eksporte prodhimi e lëndësh të para, detyrime taksash vendore e qendrore, vlera privatizimesh të 4 HEC-ve “Bistrica 1 e 2” dhe “Ulzë e Shkopet”, detyrime TVSH-je, detyrime sigurimesh shoqërore të punonjësve etj., kalojnë vlerën 39 milionë euro
Kanceri korruptiv i administratës së lartë shtetërore, po lejohet të zhvillohet me përmasa të mëdha, duke u lënë jashtë kontrollit të shtetit, prej vetë shtetarëve. Nën maskën e “institucionit të pavarur”, por që paguhet nga taksat e shqiptarëve dhe buxheti i shtetit, Enti Rregullator i Energjisë (ERE), kjo “çerdhe” e akuzuar shpesh për abuzime e pazare të pista me rritjen e çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe bizneset, në datën 7 Qershor 2017, ka miratuar një vendim që e ka publikuar 10 ditë më parë ose 4 ditë pas zgjedhjeve parlamentare, një vendim skandaloz, duke favorizon skandal-krimet ekonomike-financiare të kompanisë “KURUM”, kompanisë që në “letra zyrtare” figuron e falimentuar si prodhuese hekuri, ndërsa është aktive në aktivitetin si prodhuese energjie elektrike. Konkretisht, në “Fletoren zyrtare” Nr. 138, datë 29 Qershor 2017, Enti Rregullator i Energjisë (ERE), ka shpallur vendimin për licencim shitjeje energjie elektrike prej firmës turke “Kurum”. Gjersa kjo firmë ka në pronësi e aktivitet prodhimi 4 HEC-e, të cilët dihet se si janë shitur e se si janë blerë prej firmës turke, “Kurum” ka të drejtë të kërkojë leje për tregtim energjie elektrike dhe Enti Rregullator i Energjisë (ERE), ka të drejtën t’ia miratojë këtë kërkesë, nëse firma plotëson kriteret e vendosura. Mirëpo ka një pengesë ligjore, sipas së cilës firma “Kurum” ndalohet të futet në tregun energjisë elektrike,. Pa shlyer detyrimet që ka ndaj shtetit e për më tepër, kur këto janë borxhe energjie elektrike ndaj shtetit shqiptar! Mirëpo, megjithëse e ka të listuar firmën “Kurum”, si debitore ndaj shtetit shqiptar për mospagim të energjisë elektrike që ka konsumuar në aktivitetin e prodhimit të hekurit në Elbasan, “çuditërisht” Enti Rregullator i Energjisë (ERE), ka rinovuar edhe me 5 vite të tjerë, licencimin (lejen) e firmës turke “Kurum”, për të shitur energji elektrike për konsumatorët shqiptarë!? Nuk e kemi fjalën për çmimin abuziv, me të cilin po shitet energjia elektrike nga firma “Kurum”, nën petkun e “krizës energjetike”, por për faktin që “Kurum”, vazhdon të licencohet nga shteti shqiptar, për t’i shitur energji elektrike shtetit shqiptar, kur qysh prej vitit 2014, kjo kompani i ka borxh shtetit shqiptar, një faturë me vlerë 751 milionë lekë energji elektrike të pa paguar, e thënë në total, 2.9 miliardë lekë detyrim, me gjithë kamatë-vonesat dhe fitimin e munguar. Për këtë borxh, KESH e ka çuar edhe në gjyq, por “Kurum” nuk i zbaton vendimet e gjykatave shqiptare, mbasi kjo firmë i ka lidhur “fijet korruptive” në “çengelët” e shtetarëve të lartë shqiptarë! KESH e ka çuar edhe në gjyq, por “Kurum” nuk i zbaton vendimet e gjykatave shqiptare, mbasi kjo firmë i ka lidhur “fijet korruptive” në “çengelët” tek shtetarët e lartë shqiptar! Në vend që shteti shqiptar, t’i sekuestrojë firmës KURUM vlerën 2.9 miliardë lekë për energjinë elektrike të papaguar, institucioni shtetëror “Enti Rregullator i Energjisë” (ERE), vazhdon e licencon atë edhe 5 vite të tjerë, për të na… shitur energji elektrike! 
Ja Vendim i ERE-s, Nr. 87, datë 07. 06. 2017, për shitjen e energjisë nga “Kurum” 
Në mbështetje të neneve 16, 37, pika 2, germa “ç” të ligjit nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, neneve 4, pika 1, germa “d”; 5, pika 1, germa “d”; 10, pikat 1 dhe 3 të “Rregullores për procedurat dhe afatet për dhënien, modifikimin, transferimin, rinovimin ose heqjen e licencave në sektorin e energjisë elektrike”, të miratuar me vendimin e bordit të ERE-s nr. 109, datë 29. 06. 2016, dhe nenit 15 të “Rregullave për organizimin, funksionimin dhe procedurat e ERE-s”, miratuar me vendimin e bordit të ERE nr. 96, datë 17.6.2016; Bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE), në mbledhjen e tij të datës 7.6.2017, mbasi shqyrtoi relacionin për rinovimin e licencës për shoqërinë “Kurum International” sh.a., në aktivitetin e furnizimit të energjisë elektrike, të përgatitur nga Drejtoria e Licencimit dhe Monitorimit të Tregu, konstatoi: 

– Aplikimi i shoqërisë “Kurum International”, plotëson tërësisht kërkesat e parashikuara nga ERE
– Formati i aplikimit është plotësuar në mënyrë korrekte. 
– Dokumentacioni juridik, administrativ dhe pronësor është plotësuar në mënyrë korrekte. 
– Dokumentacioni financiar dhe fiskal është plotësuar në mënyrë korrekte. 
– Dokumentacioni teknik për aktivitetin e furnizimit të energjisë elektrike është plotësuar në mënyrë korrekte. Sa më sipër, bordi i ERE, vendosi: 

1. Të rinovojë licencën e shoqërisë “Kurum International” sh.a., në aktivitetin e furnizimit të energjisë elektrike, për një afat 5-vjeçar. 
2. Drejtoria e Licencimit dhe Monitorimit të Tregut të njoftojë aplikuesin, për vendimin e bordit të ERE-s. 
3. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletore Zyrtare”. 
4. Ky vendim mund të ankimohet në Gjykatën Administrative Tiranë, brenda 30 ditëve kalendarike nga botimi në “Fletore Zyrtare”. 

KRYETARI 
Petrit Ahmeti
Ja 9 të dhënat e Akt-Padisë Civile të KESH, kundër “KURUM”, datë 22. 05. 2015
1. Vendi i Gjykimit: Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë
2. Nr. i Çështjes: Nr. 3851 
3. Data e regjistrimit: Data 22.05.2015 
4. Paditës: Korporata Elektro-Energjitike Shqiptare, KESH 
5 Palë e paditur: Kompania “Kurum International” Sh.a
6. Lloji i Çështjes: Urdhër Ekzekutimi
7. Baza Ligjore: Neni 510-526
8. Objekti padisë: Lëshim urdhri Ekzekutimi për titujt ekzekutivë: Fatura të energjisë elektrike, me këtë numër serie: E1451584/Shkurt 2005, në ngarkim të subjektit “KURUM”, borxh detyrim blerje produkti (energji elektrike) me vlerë 75 milionë, 122 mijë e 510 lekë.
9. Gjyqtari: Manjola Bejleri
Sigal