“Kurum” i ka blerë HEC-et me dosje fallco dhe për 30 vjet shteti humbet 30 milionë euro në çdo vit

743
(vijon nga numri i kaluar)
Publikojmë sot, pjesën përcaktuese të kundërshtimit të komisionierit të Autoritetit të Konkurrencës, ekspertit të ekonomisë Koço Broka, depozituar si argument e votë “KUNDËR” shitjes së 4 HEC-ve “Bistrica 1-2” dhe “Ulëz-Shkopet”, të cilët iu shitën kompanisë turke “Kurum” prej shtetit shqiptar. Kjo shitje, përveçse është një procedurë antiligjore, rezulton se është edhe një shitje anti-kushtetuese, mbasi kemi të bëjmë me objekte ekonomike strategjike, që kanë lidhje direkte me çështje të sigurisë kombëtare shqiptare. Sikur të mos mjaftonte shitja anti-kushtetuese, sipas argumenteve kundërshtues të komisionarit Koço Broka, rezulton se edhe shitja e tyre është bërë me çmim shumë të ulët e me klientelizëm, madje edhe me shumë abuzime të tjera, deri në pranim dokumentesh false që ka kompania “Kurum” paraqitur përpara komisionit shtetëror të shitjes së 4 HEC-ve e që ky komision, paçka se e dinte që ishin “letra” false i ka pranuar e i ka depiztuar si të rregullta, me qëllim të finalizuar pazarin, ose më saktë krimin ekonomik shtetëror që kishte inskenuar me bosët e firmës “Kurum”. Çfarë rezulton nga kjo shitje? Cilat janë argumentet dhe provat anti-ligjore e klienteliste, që zbulohen në çmimin e shitjes dhe marifetin e shlyerjes së shumës më të cilën “Kurum” bleu 4 HEC-et? Cilat janë provat kundërshtuese të komisionarit Broka, që japin “alarmin” për pasojat ekonomike të shitjes së 4 HEC-ve? Cilat janë provat që konfirmojnë shitjen me procedura e akte juridike abuzive? 
Shitja u bë me mungesë të plotë informacioni, shteti i dha letrat vetëm “Kurum”-it
Siç evidentohet edhe në Raportin e Grupit të Punës Transaksioni/privatizimi i transferimit të 100% të HEC Ulëz Shkopet nga shoqëria “Kurum International Sh.a”, nëpërmjet “Kontratës së Shitblerjes së Aksioneve” është subjekt i autorizimit nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike (ERE) dhe nga Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës (neni 7..7.7 i Kontratës për shitjen e Aksioneve” datë 7 11.02.2013. Ky fakt, për gjykimin dhe vlerësimin tim nënkupton një analizë të plotë e shumëplanëshe të këtij përqendrimi të konkurrencës, të efekteve mbi konsumatorin dhe jo semplifikimin e tij dhe, kufizimin vetëm në atë “problem” nëse krijon apo nuk krijon pozitë dominuese në treg. Pretendimi i firmës njoftuese “KALO&ASSOCOATES”, duket mjaft simpatik “Transaksioni i njoftuar nuk shkakton asnjë efekt në konkurrencën e tregut përkatës në Shqipëri, për këtë arsye shpresojmë, se Komisioni i Konkurrencës do ta miratojë sa më shpejt përqendrimin në fjalë. Duke shtuar ”mbetemi në dispozicion për çdo informacion shtesë që mund të nevojitet”. Ky shqyrtim, presupozon jo thjesht semplifikimin se çon apo nuk çon ai në krijimin e pozitës dominuese, por se cili është ndikimi i përqendrimit në konkurrencën në tregun e gjenerimit dhe tregtimit të energjisë elektrike, ndikimi i tij në eficensën e këtij tregu (të blerjes dhe tregtimit të energjisë elektrike) e sidomos, të asaj pjese të tregut që ka të bëjë me konsumatorët tariforë, ndikimin ndaj konsumatorit (tariforë) në këtë treg, në uljen apo rritjen e çmimit si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e këtij transaksioni/përqendrimi. Lidhur me sa më sipër, nga ana ime janë parashtruar dy pyetje ndaj Sekretariatit: 
1. Lidhur me sasinë, çmimin dhe vlerën e energjisë elektrike të konsumuar nga ana e klientit të kualifikuar jo tarifor, para dhe pas përqendrimit. 
2. Efektin e rikonstruksionit dhe kredisë përkatëse në Hidrocentralin Bistrica nr 1 dhe 2, dhe pasqyrimin e tyre në vlerën e aseteve dhe bilancin e Hidrocentralit Bistrica nr 1 dhe 2 . Ku dhe si është pasqyruar kredia e marrë dhe e realizuar për këtë rikonstruksion e këtij hidrocentrali, kush do ta paguajë atë dhe cili është efekti i këtij pasqyrimi ose mos pasqyrimi në bilancin e Bistrica 1 dhe 2 dhe konkurrencën në tregun e gjenerimit dhe tregtimit të energjisë elektrike? Lidhur me pyetjen e parë është realizuar kërkesa ndaj Palës njoftuese me këtë përmbajtje: Ne lidhje me kontrollin e përqendrimeve me objekt “Privatizimin e HEC Bistrica 1 e 2 dhe Ulëz Shkopet nga shoqëria “Kurum International Sh.a”, sipas porosive të lëna nga Komisioni i Konkurrencës dhe në bazë të nenit 55 të Ligjit nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, ju lutem të na vini në dispozicion një informacion plotësues si më poshtë: 
1. Plani i biznesit te shoqërisë “Kurum International” për blerjen e HEC-eve. 
2. Licencat për statusin si Klient i Kualifikuar dhe Furnizues i Kualifikuar, tregtues i energjisë elektrike, për shoqërinë “Kurum International Sh.a”.
3. Organigrama e “Grupit Kurum” në Shqipëri.
4. Qëllimi i përdorimit nga ana e shoqërisë “Kurum International Sh.a”, të energjisë elektrike të prodhuar nga 4 HEC-et që po shiten, të cilat janë objekt i përqendrimit (Bistrica 1 e 2 dhe Ulëz Shkopet.
5. Sqarimi i justifikimit ekonomik dhe eficencat pas realizimit të këtij transaksioni (përqendrimi). 
6. Sasia, vlera dhe burimi i importit të energjisë elektrike nga shoqëria “Kurum International Sh.a” për vitin 2012. 
Në dosjen e shitjes u fut një raport ekonomiko-financiar fiktiv, në favor të “Kurum”
Komisionieri i Autoritetit të Konkurrencës, deklaron: Shitja e HEC-ve me këtë procedurë e me këto të dhëna, nuk duhet bërë dhe duhet anuluar urgjent! Pse? Sepse zbatimi i ligjit dhe akteve të tij nënligjore, kërkesat konkrete të Formularit të Përqendrimit, kërkojnë analizën dhe vlerësimin e qartë, lidhur me kërkesat e Formularit. Qëndrimi im “KUNDER” lidhet me mosplotësimin e plotë dhe të saktë nga firma njoftuese “KALO&ASSOCOATES” dhe moskryerjen e analizës përkatëse ekonomike nga Hartuesit e Raportit të Përqendrimit. Kjo do të thotë se ne se interesat e tyre kërkojnë që energjia elektrike te eksportohet, atëherë ajo do eksportohet pa furnizuar Furnizuesin Publik me Shumicë. Kjo nuk është një mundësi potenciale por reale, po të mbahet parasysh se prodhimi total i shoqërive “Target” për vitin 2012 ishte për shoqërinë Kurum 258.2 Gëh, në një kohë kur prodhimi i HEC Ulëz-Shkopet dhe Bistrica 1-2 ishte 397.9 Gëh. Pra, tepricën e konsumit mbi prodhimin mund te eksportohet Kjo mund të ndodh nëse çmimi i eksportit është më i lartë se ai që mund ta blejnë konsumatorët vendas. Një situatë e tillë, mund të ndodhë, megjithëse ekonomia shqiptare është në përgjithësi (veç rasteve të prodhimit maksimal të energjisë elektrike) importuese neto e energjisë elektrike. Ndërkohë është e njohur diferenca e madhe e çmimit të shitjes nga HEC-et Ulëz-Shkopet dhe Bistrica 1-2 që ishin për vitin 2012 e që sipas të dhënave të prezantuara nga “Kurum” ishin respektivisht kështu: 
1. Tarifa e prodhimit të energjisë elektrike nga HEC Bistrica 1 e 2 për periudhën e tretë rregullatore (vitet 2012 – 2014), do të jetë 2.2 leke/kwh. 
2. Tarifa e prodhimit të energjisë elektrike nga HEC Ulëz-Shkopet sh.a për periudhën e tretë rregullatore (vitet 2012 – 2014), do të jetë 2.72 leke/kwh. 
Shitja e 4 HEC-ve, do të thotë blerje energjie nga “Kurum”, me çmim 7-10 herë më të lartë
Për vitin 2012, “Kurum” ka konsumuar 258.2 Gëh me një çmim blerje prej… (ky informacion mungon në dosjen e privatizimit, kur pyetja ka qenë e drejtpërdrejtë për të). Megjithatë, dihet se “Kurum” si klient jo tarifor është furnizuar për vitin 2012 me çmime të de-rregulluara. Në këto rrethana, “Kurumit” si konsumator i energjisë elektrike i bëhet mirë, por kjo është në dëm të konsumatorëve tariforë (Furnizuesit Publik me Shumicë), i cili sasinë që blinte deri para shitjes së HEC-ve Ulëz-Shkopet dhe Bistrica 1-2 nga këto hidrocentrale, do t’i duhet ta blejë nga furnizuesit e kualifikuar, HEC private ose me koncesion ose nga importi, me një çmim disa herë më të lartë. Nëse i hidhet një sy energjisë së blerë nga Furnizuesi Publik me Shumicë për vitin 2012, rezulton se janë blerë me çmime tregu 880,775 milionë kwh me çmime tregu. Kjo do të thotë, se për të plotësuar detyrimet e veta Furnizuesi Publik me Shumicë, do të heq dorë nga blerja e Energjisë elektrike me çmimet e mësipërme që e blinte nga HEC e Bistricës dhe Ulzë Shkopetit dhe do ta blejë atë, me çmime tregu. Pra, nuk kemi një realizim të efiçencës “Pareto”. Ky përqendrim ka një efekt negative në rënien e eficencës se gjenerimit dhe tregtimit të energjisë elektrike, për tregun tarifor, duke dëmtuar dukshëm interesat dhe në dëm të konsumatorëve tarifore. Pra, duke dëmtuar hapur kërkesat e konsumatorit. Këto duhet të ishin pasqyruar edhe në Formularin e Thjeshtuar të Përqendrimit. Shitblerja e Hidrocentraleve Ulëz Shkopet dhe Bistrica 1-2, është bërë mbi bazën e bilanceve të vitit 2011, të cilat në fakt nuk janë bilance vjetore por vetëm për periudhën 01. 09. 2011-31. 12. 2011, me të cilat nuk krijohet një informacion i plotë e i nevojshëm për gjithë pjesëmarrësit që e garës në shitblerjen e 4 HEC-ve 
Shitja është bërë duke anashkaluar ligjin mbi “Amortizimin” dhe falsifikimin e gjendjes reale
Në pasqyrat Financiare për vitin 2011, të HEC-ve Bistrica 1-2”, lidhur me amortizimin, thuhet: “Amortizimi llogaritet në mënyrë lineare mbi jetën e dobishme të aktiveve si më poshtë: 
Ndërtesat me moshë 67-100 vite 
1. Kostot e blerjes ose të ndërtimit
2. Kostot e përmirësimit 
3. Kostot e konstruksioneve, të rinovimit e të rikonstruksionit të ndërtesave 
4. Kostot makinerive e pajisjeve me afat të gjatë shërbimi, 
5. Llogaritja e amortizimit veçmas për çdo objekt, makineri e pajisje, llogaritur me vlerën e mbetur me 5 %.” 
6. Të tjera ndërtime me moshë 60-65 vite 
7. Makineri dhe pajisje me moshë 10-45 vite 
8. Mjete transporti me moshë 5 vite 
9. Mobilje, orendi e pajisje zyrash me moshë 4 vite. 
Në këtë kushte, kur vetëm kalimi nga një metode e normë llogaritjeje të amortizimit, në një tjetër, sjell efekte prej dhjetëra qindra milionë lekë, shtrohet pyetja: – A jemi para realizimit të një konkurrence të lirë efektive të ndershme, apo jo?! Në mungesë analizës nga ana e stafit të Sekretariatit (Grupit të Punës) e të dhënies se përgjigjes që shtruar, në kushtet kur ndryshimet në normat e mësipërme të amortizimit shprehin shenja për kufizimin dhe shtrembërimin e mundshëm të konkurrencës në këtë treg, referuar krejt praktikës së shti-blerjes, ky akt shitje-blerje quhet i jashtëligjshëm, me dokumente të mangëta, me praktika abuzive e klientleiste dhe krijon humbje të mëdha për ekonominë kombëtare si nga çmimi tepër i ulët i shitjes edhe nga fitimi i humbur pas shitjes! 
Sigal