“Kurum” dhe “Ferrokrom-Albania” masakrojnë Shkumbinin

559
Ajo që po ndodh me lumin më gjarpërues të pesë qyteteve të Shqipërisë Mesme, me resursin më të rëndësishëm që prej vitesh është masakruar, ndoshta duhet të futet në njollat e zeza të hapësirave gjeografike të Ballkanit. Kështu është shprehur Martin Joobs një ambientalist amerikan në takimin megjithëse të vonuar të një fondacioni me të rinj shqiptarë. Ai ka ardhur prej afro 2 muajsh në Shqipëri, (pas një udhëtimi 140 ditor në Afrikë) dhe ka marrë kontakte dhe ka udhëtuar për afro 1400 km rrugë duke shkelur dhe prekur pothuajse të gjitha lumenjtë, liqenet dhe hapësirën detare të vendit. Ndoshta duhej të vinte një amerikan që të na sensibilizonte ne për makabritetin që u kemi shkaktuar, dhe po u shkaktojmë lumenjve. Por duke u ndalur tek lumi Shkumbin, kjo perlë dhe ky resurs i masakruar i vendit, ambiantalisti Martin Joobs, shprehet me nota kritike për të gjitha pushtet në Shqipëri. Sipas tij “lumi Shkumbin, ky lumë gjarpërues në disa qytete të Shqipërisë dhe me rëndësi të madhe për jetën e komuniteteve fatkeqësisht sot është lumi më i ndotur në Shqipëri, këtë ndotje nuk e pashë as në Afrikë, atë po e ndotin njerëzit, pikat inerte, dhe industria e rëndë, duke përmendur këtu “Kurum” dhe “Ferrokrom’Albania” në Elbasan”. Pikërisht duke marr shkak nga këto fakte skandaloze, nismës së ambientalistit amerikan, iu bashkuan edhe një grup të rinjsh shqiptarë, të cilët quhen “Aktivistët e Lumit Shkumbin”, duke organizuar edhe një takim të niveleve të larta për t’i dhënë zgjidhje çështjes së ndotjes masive. 

Ballafaqim i qytetarëve me të zgjedhurit vendorë

Në këtë takim që ndoshta ishte i pari, por kishte edhe dobitë e veta, kishte ballafaqim të qytetarëve, aktivistëve dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe qendror. Gjithashtu edhe të rinj nga “Forumi Integrimit EU Policy Hub” ishin në zonat e Librazhdit, Elbasanit Peqinit dhe Kavajës, në aktivitetin e organizuar sipas nismës “Mbro Shkumbinin nga Ndotjet” dhe “Unë Mbroj Shkumbinin”. Takimi ishte mjaft i rëndësishëm dhe ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të delegacionit të BE, bashkive respektive, Prefekturave, Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, Policisë së Shtetit, si dhe institucioneve të tjera, aktivistëve, specialistëve, intelektualëve. Në takimet e mbajtura kishte debat mbi Shkumbinin dhe gjetjen e mënyrave për mbrojtjen dhe zhvillimin e luginës së tij, dhe morën pjesë pjesëmarrës, të rinj e të reja, qytetarë, për të nxitur ndërgjegjen mjedisore. Të pranishmit nga bashkitë e 5 qyteteve pranuan situatën duke deklaruar se “Shkumbini është shumë i ndotur, ai identifikohet si lumi më i ndotur në Shqipëri, por ndotësit më të mëdhenj që po e groposin situatën mjedisore janë “Kurum” dhe “Ferrokrom-Albania” në Elbasan”. Ambientalistët premtuan se situata duhet të ndryshojë urgjentisht, duke rekomanduar dhe paralajmëruar gjoba për shkelësit e ndotësit, masa shtrënguese për bizneset si dhe se Shkumbini do jetë në vëmendjen e Bashkive, Prefekturave dhe Ministrive. Në takimin e mbajtur u premtua se do krijohet një “plan menaxhimi për Shkumbinin” si dhe çdo qytetar, grup të rinjsh do të ketë hapësirat e veta për të denoncuar ndotësit e lumit. Aktivistët e Lumit Shkumbin, në mënyrë vullnetare përgjatë 1 viti ekzistence kanë ndërmarr nisma të ndryshme si mobilizim të qytetarëve, aksione pastrimi vullnetare të lumit, monitorim të tij dhe dialog me bizneset ndotëse, vetëm për të shpëtuar lumin e vetëm të 5 qyteteve. Në takim u kërkua nga qeveria, kryeministri dhe tre ministrat e kësaj qeverie, “të marrin masa urgjente dhe të ndalin hedhjen e qindra ton mbetjeve helmuese në shtratin e Shkumbinit, jo vetëm nga firmat e vogla, por kryesisht nga dy kompanitë që operojnë në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik Elbasan”. 

Nga Maksim TUFA