Kurum, “balena” e korrupsionit, kontrabandës, evazionit fiskal, energjisë e taksave të pa paguara dhe helmimit të mjedisit

151
“Kurum” i falimentuar me vendim gjykate, vazhdon punën
“Kurum” e ka kërkuar shpalljen e falimentimit në Gjykatën e Tiranës, regjistruar në datën 26 shkurt 2016. Falimenti kishte si shkak borxhin 170 milionë euro ndaj kontraktorëve. Në fakt, falimenti i “Kurum” ka si shkak borxhe që shkojnë deri në 800 milionë euro ndaj firmave kontraktuese, bashkëpunuese, borxhlinjve ilegalë me fajde dhe detyrime fiskale, si taksa lokale e qendrore, gjoba mjedisore e tatimore, pagesa të pashlyera uji e sidomos energjie elektrike, që vetëm konsum real pa kamatëvonesat kapin vlerën 1.6 milionë euro, nga të cilat 751 milionë po i kërkohen me proces gjyqësor nga shteti shqiptar! Çfarë po ndodh me borxhet “gropë e zezë” që ka firma “Kurum”? 
“Kurum” kapet me kontrabandë hekuri në Kosovë
Sipas dokumentit zyrtar shkresor të Doganës së Republikës së Kosovës, që tashmë e disponon gazeta “Telegraf”, rezulton se në datën 8 tetor 2012, në kufirin Kosovar, në pikën Doganore Vermikë është bllokuar sasi prej 320 ton hekur prodhim turk, por që futej nga kufiri shqiptar për në Kosovë, si hekur i prodhuar në Shqipëri dhe i shitur prej kompanisë “Kurum-Elbasan”. Sipas Akt-kontrollit e Vendimit të Doganës së Kosovës me Kod 05.2.1/730AI.H dhe Nr. 04.2.3.1/624, datë 08. 10. 2012, firma “Euro-Abi SHPK-VITI”, ka tentuar të çoj në territorin kosovar hekur, me letra false, pa treguar origjinën reale të mallit. “Euro-Abi SHPK-VITI”, ka deklaruar se “hekurin e ka blerë pranë firmës “Kurum-Elbasan” në Shqipëri”. Edhe në faturat e shit-blerjes shoqëruese të hekurit kishin logon, vulën dhe firmën e kompanisë “Kurum-Elbasan”. 
“Kurum”, 883 milionë lekë gjoba të papaguara për evazion fiskal dhe krim mjedisor
Kompania “Kurum” është gjobitur nga Drejtoria e Tatim-Taksave dhe Doganave Elbasan, në datën 10 tetor 2013, në vlerën 66 milionë, 694 mijë e 408 lekë detyrim doganor të munguar (fshehur) si dhe 259 milionë, 653 mijë e 856 lekë penalitete ligjore, për abuzimin e bërë si ndëshkim tatimor, ose gjithsej 2.3 milionë euro. Po kështu, “Kurum” është gjobitur nga Inspektorati Qendror Teknik (IQT) me 7 milionë lekë në datën 2 prill 2014, me nr. gjobe 118, mbasi ushtronte aktivitet pa certifikatë prodhimi. Në datën 20 gusht 2014, “Kurum” është gjobitur përsëri nga Inspektorati Qendror Teknik (IQT) me gjobën nr. 5616, në vlerën 100 milionë e 66 mijë lekë, për të njëjtin shkak, por nuk i ka paguar këto gjoba.