Kurti solidarizohet me kuksianët: Kryeministri u merr rrugët në funksion të oligarkëve

88
Zëdhënësja e Vetëvendosjes, Tinka Kurti, e ka quajtur terror qeveritar atë që ka ndodhur mbrëmjes e së dielës, kur policia shqiptare ka arrestuar në shtëpi dhjetëra protestues që dogjën kabinat në të cilat paguheshin për vajtje ardhje në tunelin e Kalimashit.
“Populli ka nisur të shikojë qartë edhe përmes mjegullës së terrorit qeveritar. Ai nuk rri më duarkryq kur policia i merr shtëpinë në interes të bankave, kur kryebashkiaku u merr qytetin në dobi të biznesit të betonit dhe kur kryeministri u merr rrugët në funksion të oligarkëve”, ka thënë Kurti. “Solidaritet #meKukësin dhe qytetarët e tij!”.
koment në profilin e saj në facebook, Kurti e ka bërë duke shpërndarë një deklaratë nga Organizata Politike, të cilin mund ta lexoni të plotë e pa ndërhyrje më poshtë.
Represioni policor në mes të natës dhe arrestimi i dhjetëra qytetarëve kuksianë për pjesëmarrje në protestë, përveçse shprehje e pastër e dhunës shtetërore në funksion të majmjes së mëtejshme të oligarkëve, është shprehje edhe e terrorit në të cilin ndodhet vetë qeveria.
Hana Arendt, filozofe liberale gjermane, thoshte se “pushteti bazohet në bindje dhe jo në dhunë, e kur dhuna bëhet mjet i tij, atëherë ky pushtet është në rënie e sipër”. Pra, teatri i terrorit në Kukës, më së tepërmi është shfaqje e maktheve makbethiane të Ramës.
Penalizimi i protestës dhe policimi i popullatës është praktikë e përditshme politike e kësaj qeverie, që çoi në gjyq me mijëra kryefamiljarë gjatë “reformës” në energjitikë, me qindra muratorë mëditës me “reformën” në territor dhe urbanistikë, me dhjetëra banorë të Zharrëzës dhe Verrisë që protestonin kundër industrisë së naftës dhe mbeturinave, etj. Tashmë edhe qytetarët e Kukësit.
Mirëpo, populli ka nisur të shikojë qartë edhe përmes mjegullës së terrorit qeveritar. Ai nuk rri më duarkryq kur policia i merr shtëpinë në interes të bankave, kur kryebashkiaku u merr qytetin në dobi të biznesit të betonit dhe kur kryeministri u merr rrugët në funksion të oligarkëve.
Populli ka nisur të kuptojë dhe të luftojë, e asnjë pushtet nuk ka mjaftueshëm pranga, prokurorë e policë sa për të arrestuar një popull në zgjim e sipër. Prandaj Kukësi dhe qytetarët e tij sot duhet të qëndrojnë dhe të mos tërhiqen nga protesta e tyre e drejtë, ndërsa gjithë të tjerët duhet të solidarizohen sa dhe si të munden që flaka e protestës jo vetëm mos të shuhet, por të ndizet edhe më shumë.
Solidaritet me Kukësin dhe qytetarët e tij!