Kurthi: VKM-ja për makinat hyn në fuqi, në 2 dhjetor 2018

2166
Sigal

Gazeta “Telegraf”

Kurthi i qeverisë, në 2 dhjetor 2018, një muaj më përpara nga 2019-ta, ndalohet importi i makinave mbi 10 vjet

Në 2 dhjetor emigrantët do bllokohen në dogana, nuk do lejohen të futin makinat e përdorura në Shqipëri

Paradokset e Shqipërisë: Kemi çmimin më të lartë të karburanteve që tregtohen, jo vetëm në Rajon, por edhe në Evropë, ndërkohë që kemi rrogat më të ulëta, barazuar vetëm me Moldavinë. Por, si të mos mjaftonte kjo, në Shqipëri tregtohet karburanti i një cilësie shumë të keqe, e cila bëhet shkak, jo vetëm për prishjen e automjeteve, por është shkaktari kryesor i ndotjes së makinave.

Monopolet e tregtimit të naftës afër qeverisë

Edhe pse në Shqipëri ka institucione shtetërore të specializuara për monitorimin e cilësisë së karburanteve që tregtohen, është fakt që tek ne tregtohet karburanti i një cilësie shumë të keqe. Qeveria hesht, institucionet e specializuara shtetërore heshtin, ndërsa prokuroria nuk ka vepruar as në ato raste, kur janë denoncuar prova dhe fakte, që në treg është tregtuar mazut, për karburant, nga disa kompani tregtimi të karburanteve. Heshtja e qeverisë përballë këtij skandali, edhe pse drejtuesit e automjeteve përditë denoncojnë cilësinë e keqe të karburantit që blejmë, mosveprimi i ligjit nga institucionet e specializuara shtetërore, si edhe nga prokuroria, ka vetëm një shpjegim. Monopoli i karburantit ka bërë që të shuajë çfarëdo reagim të ligjit përballë skandalit të tregtimit të karburanteve me cilësi të keqe në Shqipëri. Fakt është se karburantet e importuara në Shqipëri janë të një cilësie shumë të mirë, mirëpo ato përzihen gjatë “rrugës” deri tek pikat e shitjes. Asnjë institucion shtetëror i specializuar për ndotjen e mjedisit, nuk ka marrë asnjë masë ndaj tregtimit të karburanteve, si shkaku kryesor i ndotjes së mjedisit, ndonëse në të gjitha matjet e bëra dhe të publikuara paradoksalisht pohojnë se shkaku kryesor i ndotjes së mjedisit janë gazrat e hidrokarbureve që çlirohen në atmosferë nga automjetet. Jo rastësisht ndodh që monopolet e tregtimit të karburanteve në Shqipëri janë edhe përfituesit e shumë koncesioneve dhe tenderëve, që nuk janë në specialitetet dhe profilet e tyre.

Në 2 dhjetor, makinat e blera  dhe të kolauduara në Europë, nuk pranohen në Shqipëri

Qeveria, pa u konsultuar fare me grupet e interesit, në datën 26 tetor 2018 nxjerr një VKM me numër 633, të titulluar “Për masat kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorike dhe reduktimin e shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë dhe të lëndës së ngurtë pezull nga motorët me ndezje pozitive dhe ata me ndezje me kompresion që djegin gaz natyror apo të lëngshëm për përdorim në automjete” ku sikurse edhe doktor Adhamidhi, në end që të shëronte dhimbjen e kokës, “këshillonte” që ta këpuste fare, edhe qeveria, duke u justifikuar në problemin mjedisor e shëndetësor të ndotjes së mjedisit nga karburantet, ndalon në mënyrë kategorike importimin e automjeteve, bazuar vetëm në moshën e prodhimit të tyre, duke INJORUAR qëllimisht, kushtet teknike të tyre, sikurse kilometrazhin, përmirësimin sistemeve të filtrimit, etj. Shumë shqiptarë blejnë makinat e përdorura, por të kolauduara në vendet evropiane, që plotësojnë standardet evropiane edhe të djegies së gazrave, pavarësisht nga viti i prodhimit të makinave. Mirëpo VKM e qeverisë numër 633, datë 26. 10. 2018, për ndalimin e importimit të automjeteve motorike në bazë të vitit ë tyre të prodhimit, mbi 10 vjet,  nuk do ta njohë këtë kolaudim të makinave në Europë dhe do t’i ndalojë arbitrarisht të mos futen në Shqipëri që nga 2 dhjetori 2018. Qeveria, duke ndaluar importimin e makinave mbi 10 vite, u krijon të gjitha mundësitë tregtare monopoleve, që të shiten makinat e tyre, të cilat i kanë sjellë në Shqipëri para VKM dhe këto, duke mos pasur më konkurrencë në treg, do monopolizojnë edhe çmimin e shitjes së makinave të përdorura. Së dyti, në Shqipëri janë rrogat më të ulëta, dhe shqiptarët nuk kanë mundësi ekonomike që të blejnë dot makina të reja, apo pak të reja në përdorim. Në asnjë vend të Evropës, asnjë qeveri nuk ka marrë VKM ala Adhamudhi, që të ndalojë importimin e makinave me moshë prodhimi mbi 10 vite. Kjo VKM është në kundërshtim të plotë edhe me ligjet evropiane të tregtisë së lirë, sepse do të prekë edhe interesat e kompanive të shitjes së makinave të përdorura, ndërkohë që Shqipëria duhet të bëjë qasjen e ligjeve të saj me ligjet evropiane, për më tepër që ka nënshkruar edhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Nëse një makinë nuk certifikohet nga koncesionari sipas normave të çlirimit të gazrave, atëherë nuk ka rëndësi viti i prodhimit, ajo do duhet të detyrohet të përmirësojë parametrat teknikë, ose të shkojë për skrap. Këtu nuk hyn viti i prodhimit. Vendimi, në mënyrë djallëzore, nuk bën diferencim mes makinave dizel dhe atyre me benzinë. Gjendja teknike e mjetit, caktimi i normave të emisioneve dhe kontrolli i detyrueshëm duhet të përcaktojnë makinat që duhen ndaluar të qarkullojnë për të reduktuar ndotjen. Në vendet e Evropës, nga Bullgaria në Lituani, deri te Spanja dhe Italia, kushti i vetëm është gjendja teknike e makinës. Përdoruesi i një makine të vjetër mund të zgjedhë të pajiset me marmitë katalitike, në vend që të blejë makinë të re, siç kërkon ta detyrojë popullin qeveria.

Emigrantët do bllokohen në kufi, nuk u lejohen të futin makinat e përdorura 10 vjeçare

Qeveria ka ngritur edhe një kurth ndaj shqiptarëve, për të ndaluar importin e makinave. Qeveria e ka nxjerrë VKM numër 633 më 26 tetor 2018, ndërkohë që në Fletoren Zyrtare kjo VKM është botuar në datën 2 nëntor 2018. Por, sipas ligjit, çdo VKM dhe ligj, hyn në fuqi 30 ditë nga data e botimit në Fletoren Zyrtare. Sipas burimeve të mirinformuara të gazetës “Telegraf”, drejt pikave doganore të Shqipërisë është përcjellë VKM e botuar në Fletoren Zyrtare në 2 nëntor 2018, në mënyrë të këtillë, që VKM të fillojë të ketë fuqi ligjore që në 2 dhjetor 2018, domethënë 1 muaj më shpejt sesa premtimi i bërë publikisht nga qeveria. Shumë emigrantë , në 2 dhjetor do të bllokohen në doganat shqiptare dhe nuk do t’i lejohet të futin makinat e përdorura mbi 10 vjeçare në Shqipëri, për t’i rregjistruar në Shqipëri, për t’i shitur, etj.

Pohimet e kryeministri Rama për VKM për ndalimin importit të makinave mbi 10 vjet prodhim

VKM ndalon importimin e makinave të vjetra për të siguruar ajër të pastër

Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një video të publikuar në fillim shtatorin e 2018-s shkruan se ky vendim do të kontribuojë në cilësinë e jetesës së fëmijëve fillimisht e më pas të çdo qytetari. Statusi i Edi Ramës MIRËMËNGJES dhe me këtë video-informacion rreth vendimit që ndalon importin e makinave me mbi 10 vite vjetërsi për të siguruar ajër më të pastër e shëndet më të mirë për fëmijët tanë e çdo qytetar, ju uroj një ditë të mbarë.

Ministri i Mjedisit Bledi Klosi, në 22 shtator 2018: Makinat ndotin ajrin, kemi shumë sëmundje
Ajo që duam të bëjmë sot, që po kalojmë në qeveri, është një vendimmarrje për të bllokuar makinat të cilat .janë në në një moshë më të madhe sesa 10 vjet. E gjitha kjo bëhet vetëm për njerëzit e thjeshtë. Kur flitet sesa shumë janë shtuar problematikat e sëmundjeve në vetëm vitet e fundit në vendin tonë që vijnë nga ndotja e ajrit, nga makinat në vendin tonë nga viti 2012 në 2015 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ne kemi 23% më shumë sëmundje të njerëzve nga ndotja .

VENDIM Nr. 633, datë 26.10.2018

  1. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
  2. Qëllimi i këtij vendimi është mbrojtja e shëndetit të njeriut dhe mjedisit nga shkarkimet e ndotësve të gaztë prej mjeteve motorike dhe lëndës së ngurtë pezull nga motorët me ndezje pozitive dhe ata me ndezje me kompresion, që djegin gaz natyror apo të lëngshëm për përdorim në automjete, nëpërmjet përcaktimit të kushteve të importit të tyre në Republikën e Shqipërisë dhe kushteve për mjetet ekzistuese në qarkullim.
  3. Ky vendim zbatohet për mjetet motorike të kategorisë M (M1, M2) për transport njerëzish dhe N (N1) për transport mallrash.
  4. MASAT KUNDËR NDOTJES SË AJRIT NGA SHKARKIMET E MJETEVE MOTORIKE DHE REDUKTIMET E SHKARKIMEVE NË AJËR
  5. Përdoruesit e automjeteve, vendës ose të huaj, që qarkullojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, janë të detyruar t‟i përdorin automjetet e tyre në përputhje me kushtet e përcaktuara nga prodhuesi, të pasqyruara në dokumentet dhe instruksionet përkatëse, si dhe të respektojnë normat e lejuara të shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë dhe të lëndës së ngurtë pezull, të përcaktuara.
  6. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, në përputhje të plotë me legjislacionin kombëtar për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis, si dhe për vlerësimin e cilësisë së ajrit të mjedisit e kërkesat për disa ndotës në lidhje me të dhe në varësi të kategorizimit të automjeteve, sipas peshës e kohës së përdorimit, lejohen të regjistrohen për herë të parë për qarkullim në territorin e Republikës së Shqipërisë, mjetet motorike dhe automjetet, të cilat plotësojnë kushtet e mëposhtme:
  7. a) Autoveturat e reja me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 5, të Bashkimit Evropian;
  8. b) Mjetet motorike të tjera të reja si motorë, autobusë, kamionë të kategorive M2 dhe N1, me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 5, të Bashkimit Evropian;
  9. c) Autoveturat e përdorura (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 4) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri;

ç) Mjetet motorike të tjera të përdorura si motorë, autobusë, kamionë, të kategorive M2 dhe N1, (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 3) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.

  1. Automjetet të cilat kanë hyrë në territorin shqiptar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, por nuk kanë përfunduar procedurat e regjistrimit, kanë afat deri në 1 mars 2019, për kryerjen e procedurave të nevojshme.