“Kurthi” për biznesin e vogël: Pranoni TVSH-në, ulim taksat

622
Qeveria mbetet e shqetësuar për reagimin e biznesit të vogël ndaj vendosjes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për të gjithë ata që kalojnë xhiron 2 milionë lekë në vit. Reagimi i sipërmarrësve të vegjël dhe frika e zgjerimit të pakënaqësisë kur prej korrikut masa të zbatohet efektivisht, ka shtyrë qeverinë të bëjë joshjen e radhës. Kur ende debati për futjen në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar tek biznesi me xhiro mbi 2 milionë lekë është në kulmin e tij, qeveria ka vendosur të bëjë një tjetër ndryshim. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj, në një takim me përfaqësues të biznesit të vogël, bënë me dije se pragu për ndarjen e biznesit të vogël nga ai i madh do të ndryshojë, duke shkuar nga 8 milionë lekë në 10 milionë lekë. Sot, ata që kanë xhiro nga 5 në 8 milionë lekë paguajnë 5% tatim fitimi, ndërkohë që mbi këtë shumë niveli i takës është 15%. “Nga 5%, në 15%, kjo bën që shumë prej jush gënjejnë me bilancet dhe për të mbajtur kokën nën tavan, jetojnë nën stresin e vazhdueshëm të hartimit të bilanceve të rreme. Këtë çështje ne mendojmë se ka ardhur koha ta adresojmë në mënyrë që asnjë biznes i vogël të mos gënjejë. Tavani do të rritet mbi 100 milionë”, tha Rama, i cili u ndesh me kritikat e biznesit për masën që rrezikon të mbyllë sipërmarrje të vogla dhe të favorizojë qendrat e mëdha tregtare. Rama dhe Ahmetaj shpjeguan edhe një herë se nuk do të ketë rritje të kostos nga përfshirja në TVSH e biznesit të vogël dhe se synimi është kontrolli i zinxhirit me fokus biznesin e madh. “Do të jetë një deklaratë shumë e thjeshtë me 4 ose 6 kuti të thjeshta që nuk ju kërkon të keni kontabilist, as të keni llogari të detajuara dhe ato do t’i mbani për vete dhe do t’ju bëjnë të mundur të keni një deklarim të thjeshtuar që t’ju pozicionojë në zinxhirin e transaksionit”, tha Ahmetaj. Biznesi, nga ana tjetër, ka përdorur si argument se nuk është vetëm futja në TVSH ajo që po e falimenton, por edhe kostoja e pajisjeve fiskale, mirëmbajtja e tyre, taksat që aplikohen nga bashkitë. “Erdha këtu për TVSH dhe për të diskutuar lidhur me gënjeshtrat dhe me si të dalim nga bota e gënjeshtrave duke ndihmuar biznesin e vogël të relaksohet lidhur me tavanin. Unë po ju them pak fjalë. E para, dëgjova që janë rritur taksat. Më thuaj një që është rritur? Më thuaj çfarë takse u rrit për biznesin e vogël? E vërteta është që taksat janë ulur dhe këtu flas për taksat kombëtare, tarifat e bashkive duhet t’i diskutojmë më vete. Nëse doni të bëni takim me kryetarët e bashkive unë jam i gatshëm të vij dhe t’ju them atyre çfarë mendoj. Ama qeveria që unë drejtorja ka ulur taksat. Taksa e biznesit të vogël u bë zero deri në 5 milionë dhe u bë 5% deri në 8 milionë. Sot kemi shumë më tepër biznese të vogla sesa kishim para 4 vite e gjysmë. Janë mbyllur biznese, por edhe janë hapur se ky është proces kudo në botë. Llogaria është re thjeshtë sot kemi më shumë biznese, dhe kemi më shumë konsum. Nuk ka rënë fuqia blerëse”, tha Rama.
Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël
Çdo tatimpagues, i cili kryen një biznes, me anë të të cilit realizohet gjatë vitit fiskal qarkullim më i vogël ose i barabartë me 8 milionë lekë, i nënshtrohet detyrimit të pagesës së tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël. 

Të ardhurat e tatueshme
Të ardhurat gjithsej, nga veprimtaria e biznesit të vogël nënkuptojnë çdo lloj të ardhure, të realizuar gjatë periudhës tatimore dhe përfshijnë, pa u kufizuar vetëm në to:
të ardhurat e realizuara nga furnizimi i mallrave dhe shërbimeve,
të ardhurat nga pjesëmarrjet,
të ardhurat nga interesat,
të ardhurat nga shfrytëzimi i pasurisë së luajtshme e të paluajtshme,etj.
Sigal