Kurrë nuk do të lejojmë që të groposet çështja e Çamërisë!

160

Reagim i shoqatës së intelektualëve shqiptarë: “Trojet e Arbrit”

Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit” me rastin e incidentit të ndodhur në panairin e librit në Tiranë, në Stendën e Çamërisë, ku u hoq emri i Çamërisë e dënon këtë akt qyqar dhe të paprecedentë të ndodhur në kryeqytetin e Shqipërisë në Tiranë. Personat e dërguar për të dhunuar stendën e Çamërisë në Panairin e Tiranës kishin marrë urdhër politik dhe tentuan ta zbatonin nëpërmjet organizatorit të këtij panairi, por dështuan me turp përballë rezistencës së të pranishmëve dhe atyre që iu gjetën menjëherë në mbështetje. Shoqata: “Trojet e Arbrit” falënderon shqiptarët atdhetarë që e kthyen në stendën e Çamërisë mbishkrimin me emrin e Çamërisë. Gjithashtu i bëjmë me dije qarqeve greke si dhe mbështetësve të tyre që Shoqata “Trojet e Arbrit “dhe të gjithë shqiptarët atdhetarë pavarësisht se ku jetojnë e veprojnë do të jenë në mbrojtje të çështjes së Çamërisë. Ky akt tinëzar u bë si rezultat i kompromisit që po bëjnë pushtetarët në Shqipëri ku po dëshirojnë që ta groposin shtatë pashë thellë çështjen e Çamërisë dhe ta mbyllin njëherë e përgjithmonë. Këtyre qarqeve iu bëjmë me dije se, çështja e Çamërisë nuk do të mbyllet asnjëherë dhe kjo plagë që ende po kullon gjak shumë shpejt do të fillojë të marrë drejtimin e duhur me mbështetjen e aleatëve shekullorë, të shqiptarëve të Amerikës dhe Gjermanisë, por edhe me përkrahjen e bijve dhe bijave atdhetare të Shqipërisë Etnike.

Shoqata e Intelektualëve shqiptarë: “Trojet e Arbrit”

Nue Oroshi, Kryetar