Kurora që mbeti pa vendosur

531
Sigal

Duket se konflikti, Rama-Dule, që lindi gjatë interpelancës parlamentare të kryeministrit Edi Rama kërkuar nga n/kryetari i parlamentit shqiptar, z. Vangjel Dule, njëherazi edhe kryetar i PBDNJ-së, për arsye që tanimë janë publikuar nga mediat e shkruara dhe vizive, ka zbritur edhe tek baza socialiste, duke e parë në kornizën e fanatizmit dhe militantizmit të besnikërisë ndaj liderit dhe partisë, por edhe si konflikt të hapur politik, ndonëse janë në të njëjtin koalicion qeverisës si lokal edhe qendror. Plasaritjet e këtij bashkëpunimi politik po shtohen deri sa rrezikojnë seriozisht shembjen e kësaj ngrehine politike. Po në Sarandë është vështirë të krijosh modele të reja në pikëpamjen dhe funksionimin e bashkëjetesës mes etnive dhe krahinave, ku Saranda merret si shembull i rrallë në botë. Ndërsa kampe të tjera politike e komunitare, grupime dhe opinione, komente dhe përfolje, hedhin në tregun e bisedave se kjo është lojë e deputetit Kokëdhima dhe vetë kryeministrit Rama për të hedhur hi syve ndaj reagimeve qytetare të komuniteteve të ndryshme, pasi 90% e drejtorëve në Sarandë janë emëruar pa konkurrim nga radhët e minoritetit etnik grek, a thua se në Sarandë nuk ekzistojnë fare shqiptar. Komentet janë të ndryshme, por ajo që ndodhi ditën e premte, 12 dhjetor 2014, në fshatin Aliko, kalon përtej fantazisë dhe dinakërisë politike. Është përkujtuar 14 vjetori i vrasjes në kufi të katër djemve nga ky fshat. Ishte dhjetori i erërave të ftohta dimërore, por edhe i erërave të ngrohta të lirisë. Dhe këta katër djem të rinj vranë frikën ndaj diktaturës, por diktatura në agoni i vrau me plumbat e forcave të kufirit. Me dekret të presidentit Sali Berisha, ata janë shpallur “Martir të Demokracisë”. Të gjitha kurorat me lule të planifikuara në protokoll dhe me etiketim, janë vendosur tek bustet e “Martirëve të Demokracisë” në sheshin kryesor të këtij fshati, përveç asaj të PS-së dhe të deputetit Koço Kokëdhima. Përfaqësuesit socialist nuk ishin pjesëmarrës ndryshe nga përkujtimoret e tjera viteve të shkuara kur qenë në opozitë, ndërsa ajo e deputetit Kokëdhima është vendosur prej drejtorit të PTT, Thoma Kordha. Kjo ka lënë një shije të hidhur tek pjesëmarrësit në ceremoni, drejtuesit e minoritetit se dhe pjesëmarrës politikanë e pushtetar nga Greqia që pse PS-ja nuk i respektoi katër djemtë e vrarë në kufi nga diktatura? Pse nuk erdhi deputeti? Dhe nëse u doli punë, pse nuk dërguan përfaqësues? Deputeti Kokëdhima paguan dy këshilltarë në Sarandë që regjistrojnë vërejtjet”ndaj qeverisjes së keqe” dhe përgatisin dosje kuadri. Mirë njëri që ka qenë funksionar i forcave të kufirit në monizëm dhe mund ta brejë ndërgjegjja, po sekretarja tjetër e pa implikuar në administratën moniste nuk mund ta vendoste kurorën e deputetit? Po kjo ndodhi. Kurora me lule e PS-së mbeti në trotuar, a thua si akuzë për vetë PS-në, apo si indiferentizëm i PS-së ndaj viktimave të diktaturës? Mbase të dyja bashkë.

 Agron MEMA