Kur qyteti dhe qytetarët vlerësojnë kontributin dhe personalitetin tënd

967
Agron Mema

Festat e fundvitit sollën në qytetin e Sarandës edhe vlerësimin e disa familjeve dhe personaliteteve të Sarandës nga Këshilli Bashkiak i qytetit. Mes tyre nderohet edhe kontributi i Miho Xhanit me titullin “Qytetar Nderi” i Sarandës. Salla e kinoteatrit “Butrinti”, si rrallëherë këto vitet e fundit qe e tejmbushur. Po nderohej një nga emrat e spikatur të jetës së qytetit e më gjerë, para dhe pas Luftës NAÇL. Një kontribut i veçantë me jetën dhe veprimtarinë e tij, por dhe një nga vlerat e pakrahasueshme të qytetit. Miho Xhani u lind në Piqerasin e bukur bregdetar. Viti në të cilin lindi, qe viti 1913. Vit me kohë të turbullta për çështjen kombëtare shqiptare. Atdheut po i copëtoheshin gjymtyrët. Shumë troje, falë mbështetjes së orekseve të tyre shovene nga shtetet e fuqishme të Evropës. Dhëmbët e tyre të pangopur i qenë ngulur rënd në trup atdheut tonë. Kështu kaloi vitet e rinisë nën këto atmosfera të mjegullta deri sa erdhi pushtimi fashist më 1939. Vite që jehona e ngjarjeve, qoftë në biseda mes fshatarëve, a qoftë në kuvende dhe vatra, kalitën karakterin burrëror të Mihos, rrënjosën mendimin dhe idetë patriotike dhe revolucionare me një zemër mbushur plot atdhedashuri. Fillon aktivitetin antifashist në shumë qytete të vendit dhe renditet ndër 200 komunistët e parë që themeluan PKSH-në më 8 nëntor 1941. Gjatë LANÇ-it ushtron veprimtarinë në forcat partizane në qarkun e Gjirokastrës, Labërisë, Sarandës, Bregdetit, Rrëzomës, Konispolit dhe Vurgut, Theollogos e Delvinës e më gjerë. Kudo me detyra partiake si komisar. Por edhe pas luftës , po në këto zona shkeli përsëri si drejtues i lart partie dhe shteti në jugun e vendit. Fisi i xhane figuron i ardhur në Piqeras nga viset e Labërisë tre shekuj më parë, trevë ku Miho kish dhe miqtë më të shumtë të tij. Njerëz të zot e punëtor, trima dhe të besës që i dhanë luftës dhe socializmit që nga Heroi i Popullit Mitro Xhani e deri tek kontributi i pasardhësve në ndërtimin e socializmit, por edhe të demokracisë, aq sa Lumturi Xhanin do ta përmendte me emër presidenti Ilir Meta në festat e fundvitit për kontributin e sajë. Ndaj salla qe mbushur plot e për plotë, sepse Saranda dhe sarandjotët nderojnë birin e tyre, jetën e tij 90 vjeçare. Qysh në rini populli e pagëzoi me emrin “Toto” që do të thotë, më i madhi, që duhet dëgjuar. Në Sarandë ia kishin harruar emrin e tij të vërtetë Miho, e njihnin me “Toto”. Një jetë 90-vjeçare, që kur lindi e deri sa mbylli sytë, la gjurmë në jetën e një qyteti. Toto arriti të shohë ndërrimin e sistemit, të përjetojë fillimin e trazicionin dhe demokracisë. Nuk iu nda organizatës së LANÇ-it, ruajtjes së vlerave të saj, ndërsa në vitet e Luftës mbajti pseudonimin “Korbi”. Nuk u mërzit për ndërrimin e sistemeve, sepse si ish-kuadër i shumë viteve kuptonte filozofinë e ndryshimeve politike dhe social-ekonomike për zhvillimin e shoqërisë. Koha thërret në skenën e jetës kërkesa dhe platforma të reja, por vlera e së djeshmes duhet ruajtur. Dhe Totua thoshte, se ne kaq bëmë, këta po bënë më shumë e më mirë, ta gëzojnë. Kështu i mbylli sytë Miho Xhani i përcjellë nga qindra qytetarë të ardhur nga shumë treva. Këta janë xhananë që në vite i kanë dhënë dhe i japin shoqërisë. Dhe kur e meriton piedestalin e nderit, populli ta jep, ta nderon e ta respekton emrin. I tillë qe Miho Xhani. Të tillë kanë qenë dhe janë xhananët. 


Sigal