Kur mjeku është më i sëmurë se pacienti

785
Enver CAKAJ
Mjeku? Kush është mjek? Mund të kesh disa diploma e grada shkencore, por nuk je mjek. Mos u çuditni! Unë nuk dua ta provoni, se e kam dhe vazhdoj ta provoj unë. Edhe pse do të përmend ndonjë emër mjeku, ai nuk është i vetëm. Nuk kam ndërmend të denigroj njeri, por të godas fenomenin. Nëse keni mundësi, më lexoni me vëmendje! Vete të vizitohesh se të kërcënon sëmundja, po kur ndodhesh përballë mjekut nuk e merr vesh, kush është mjeku e kush i sëmuri. Ti je i shkrehur nga dhimbjet dhe kërkon të qetësohesh, por ndodhesh karshi një fytyre të egër që, jo vetëm të tremb, por të shton dhe dhimbjet. Të mos e lëmë enigmë këtë që themi. Para ca vitesh streptomicina dhe penicilina jepej me dy firma mjekësh. Shkon një i sëmurë ta firmosë atje ku e kishin rekomanduar, por mjeku i thotë të dalë përjashta, se orari vizitave kishte mbaruar. Bëhet fjalë vetëm për një firmë. Tani gjykojeni vetë, nëse ka ndonjë gjë të përbashkët me mjekun ky harbut! Por le të vazhdojmë. Kur isha në Budapest, i shpura dhuratat profesorit të spitalit dhe i zgjata dorën të largohesha, ai më tha të mos ikja, se do të më vizitonte. Rregulli ishte që duhej të zhvisheshe që në mes e lart. Unë nuk kisha fuqi as të qëndroja në këmbë dhe më vinte keq kur shikoja profesorin që rrinte në këmbë fare i qetë e më priste mua të zhvishesha. Ka nja një javë që u ndodha përballë një mjekeje te konsulta e spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë. Mjekja nxinte sikur të kishte mbi kokë hallet e të gjithë Shqipërisë. Më foli me inat sikur të gjitha zararet e këtij vendi i kisha bërë unë. Unë vajta të kryeja një vizitë, por nuk arrita ta bëja, se kur më mati tensionin infermierja, ai shënonte 18! Unë vajta tepër normal te mjekja. Sjellja e saj, jo vetëm që më ngriti tensionin, po më detyroi që të vija sërish në Tiranë pas një jave. Nuk mbeti me kaq, po kur nisa të vishesha, se dhe atje do të zhvishesha që në mes e lart, mjekja më thoshte të vishesha shpejt, sikur në kufi kishin ardhur forcat e huaja e na sulmonin. Tani më thoni ju, kush ishte mjekja e kush i sëmuri? Ajo mund të kishte grada shkencore dhe diploma, por nuk kishte atë gradë shkencore, që e ka emrin kulturë shkencore, sjellje humane. U largova i shqetësuar nga ajo mjeke dhe shkova të bëja një Ekografi. Më priti një djalë i ri nga Mallakastra me emrin Sokol Shehu. Nuk më erdhi mirë kur e pashë, se këta të rinjtë e tanishëm i kanë harruar ato tabiatet e rinisë sonë,por isha gabuar. Unë nuk u vizitova tek ai mjek, por kuvenduam si dy miq. U ndava nga ky mjek dhe shkova të matja tensionin, se m’u bë shqetësim, por pas ndarjes me mjekun e ri, tensioni shënonte normal. Tek prisja radhën të vizitohesha, këmbyem fjalë me një të sëmurë që kishte vajtur në Turqi, ku kishte vënë dy unaza. Ky fakt më çuditi dhe e pyeta, se përse nuk e kishte bërë këtu atë ndërhyrje, po kishte paguar aq shumë lekë. Ai po më shikonte me një farë habie e më në fund më tha, “Këtu është më shtrenjtë!”. Bëmë një debat të gjatë me të, se ai nuk besonte që unë kisha bërë të njëjtën ndërhyrje dhe nuk kisha paguar asnjë lekë, por ai nuk besonte, edhe pse nuk e kishte provuar. Madje më quajti mua ekzemplar të rrallë. Spitalet tona shtetërore janë falas, por i bëjmë me lekë vetë ne. Është kënaqësi, që mjekësinë e kanë marrë në dorë disa të rinj të shkëlqyer, që janë specializuar jashtë shtetit. Është e vërtetë,që dhënia e lekëve mjekut u bë traditë, aq sa disa mjekë arritën deri atje, që t’u dorëzonin njerëzve të të sëmurit një listë emrash që duhet të paguanin para operacionit. Këtë e bëjnë edhe tani ata që u japin vetë lekë mjekëve para vizitave. Në të vërtetë ligji dënon edhe marrësin edhe dhënësin e ryshfeteve, por deri tani nuk kemi dëgjuar të ndëshkohet ndokush. Por le të kthehemi tek etika mjekësore. Mjekët nuk e kanë kuptuar ende, se lënda e parë e punës së tyre janë të sëmurët. I sëmuri nuk të shikon diplomat, gradat shkencore e atë stetoskopin që mbajnë mjekët rreth qafës, por mënyrën se si i pret e përcjell ata. Fjala e mjekut është antibiotik i fuqishëm për të sëmurin. I sëmuri nuk fajësohet për çdo veprim jo të zakonshëm që mund të bëjë, sepse atë ja imponojnë dhimbjet. Por më e vështirë qenka të mjekosh mjekët se të sëmurët. Ministria e Shëndetësisë jep licenca për çdo mjek që vete i paraqit një diplomë, që s’dihet si e ka marrë, por nuk i kërkon atë diplomën që quhet kulturë mjekësore. Mjekë që nuk kanë aftësi komunikimi me të sëmurët s’duhet të kenë vend në shërbimin mjekësor. Mungesa e kësaj diplome, që ministria nuk i vë rëndësi, të çon në shtimin e dhimbjeve tek të sëmurët. Këto ditë kemi dëgjuar një lajm jo të këndshëm, që ua shton shqetësimet të sëmurëve. Spitalet rurale do të kthehen në qendra shëndetësore. Në të vërtetë, të sëmurët prisnin që këto spitale të plotësoheshin me mjekë specialistë, që të mos rrezikoheshin ata që vuajnë nga sëmundje, që nuk presin sa të venë nëpër spitalet rajonale. Një nga shoferët e spitalit të Çorovodës nuk arriti t’i shpinte në spitalin rajonal të Beratit katër të sëmurë, po ua ktheu familjeve të vdekur në shtëpi nga gjysma e rrugës. Shpresojmë që ky lajm të mos jetë i vërtetë. Premtimi është për shëndetësi falas, duhet të mos zëvendësohet me mbyllje spitalesh,që ua largon shërbimin të sëmurëve. Edhe Berisha premtoi se do t’ua shpinte pushtetin më afër popullit, por në fakt, i hoqi gjykatat, hetuesinë e prokurorinë dhe njerëzit hallexhinj do të shkojnë ta marrin këtë shërbim të kushtueshëm në Qark. Është e lutur ministria e shëndetësisë, që para se t’i dërgojë mjekët harbutë nëpër institucione shëndetësore, t’i mjekojë, që të mos ngatërrohet i sëmuri me mjekun!
Sigal