Kur luftohej për trojet e Çamërisë

891
Ilirian BALLAJ
Kanë kaluar mbi 150 vite nga lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e trojeve të Çamërisë dhe gjithë Shqipërisë nga sulmet e bandave greke të Karaiskaqit e Grivës dhe ende ndjehet buçitja e topave, krisma e armëve, vringëllima e jataganëve, që ende ndjehet era e barutit e asaj lufte të madhe. Kanë kaluar vite e ende këndohen këngët labe për atë ngjarje e luftë të madhe e që do të këndohen edhe në të ardhmen sepse ndjenja e lirisë nuk vdes kurrë ndër popuj. Situata politiko-ushtarake në Ballkan, në vitet 1852-1854, ishte e ashpërsuar. Kishte shpërthyer Lufta ruso-turke e Krimesë. Perandoria turke ishte dobësuar. Rusia në anën tjetër mundohej ta shfrytëzonte këtë situatë duke nxitur ortodoksinë për turbullira në Çamëri e në gjithë Shqipërinë me qëllim që të fitonte terren e të realizonte synimet e saj të kahershme vorio-epirote. Anglia kishte interesat e veta aty dhe ishte shprehur jo pajtuese me këtë nismë. Madje kishte lëvizur edhe mjete e trupa detare, që të mos cenoheshin pozitat e saj në ishujt jonianë dhe, në të njëjtën kohë, të mos lejonte përhapjen e influencës ruse në Ballkan. Franca qëndronte pothuajse neutrale. Ky qëndrim i qeverisë angleze pasqyrohej qartë në një letër që komisari anglez i ishujve jonianë H. G. Uard, i drejtonte komandantit të ri të Greqisë Perëndimore, Spiro Milo, më 17 maj 1854 nga porti i Karvasarës. Ja çfarë thoshte letra:” Dokumentet që u gjetën në Petë (fshat ku ishin përqendruar trupat greke” I.B.)…nxjerrin në shesh rolin e qeverisë greke në ngjarjet e Epirit (Shqipërisë së Jugut I. B) dhe pasojat e mjerueshme që ndodhën atje…Nuk dua t’u zë besë fjalëve që kam dëgjuar lidhur me qëllimin e misionit tuaj…që paqja në ishujt jonianë të prishet”. Pra: Rusia, duke njohur tendencën greke për Vorioepirin dhe pretendimet e saj për territorin shqiptar deri në Shkumbin, e nxiti Greqinë në jug, por nxiti edhe Malin e Zi në veri që të sulmonin Shkodrën e kështu Shqipëria, e ndodhur në dy fronte lufte, të falimentonte, të copëtohej në jug dhe në veri. Himara ishte një synim tjetër i grekëve e në të pastajmen të lidheshin nëpërmjet detit me Malin e Zi. Gjeneral Spiro Milos i ishin siguruar nga Greqia një sasi e madhe floriri për ta realizuar sulmin mbi Shqipërinë e duke e graduar edhe gjeneral të Greqisë Perëndimore. Ai, në krye të bandave greke, do të zbarkonte në Himarë dhe prej andej të pushtonte Vlorën. Si nga Çamëria, Arta, Peta e Meçova, por edhe nga deti ishin nxitur kryengritje me kërkesa vorioepirote. Gazetat e kohës shkruanin se “Grekët kanë grupe të shumta në Janinë dhe në Çamëri, ata kanë arritur deri në Himarë…që të mund të bashkohen me banditët e Malit të Zi”. Lufta kishte shpërthyer edhe në Thesalinë shqiptare e forcat shqiptare udhëhiqeshin nga Abaz Lalioti, nga Llalla. Vërshimi i bandave greke në tokën jugore shqiptare tronditën vendin tonë edhe përtej krahinave të prekura drejtpërsëdrejti. Para këtij sulmi të rrezikshëm, për mënjanimin e copëtimit të Shqipërisë, bijtë e këtyre krahinave morën përsipër mbrojtjen e integritetit tokësor jugor të vendit, por edhe në Shkodër. Bijtë e Shqipërisë, që zbritën të parët në fushën e betejës, ishin: Mahmud bej Vlora, Selim pashë Vlora, Halit bej Frashëri, Çelo Picari e Kalem Hadëri nga Picari i Kurveleshit, Ibrahim Sino nga Gjirokastra, Ahmet Çapari nga Luarat i Margëlliçit, Selam Hasani nga Velça e Vlorës, Hasan Çako nga Kaparjel i Kurveleshit, Shako Xhaka nga fshati Tërbaç i Vlorës, etj. Shumica e këtyre prijësve e luftëtarëve që ishin komandantë me kordhë në dorë, kishin qenë organizatorë, udhëheqës e luftëtarë në vijën e parë në kryengritjen e madhe fshatare edhe më parë dhe ishin liruar nga internimi. Mulla Qemal Bejtashi mblodhi forca çame dhe u vendos në jug të rrjedhës së lumit Gliqi. E bashkë me të vepronin Hamit bej Çapari, Zejnel Husa. Forcat greke ngadalësuan pak deri sa u vendosën në rrjedhën e lumit Kallama. Madje në luftime u vra edhe Mulla Qemal

Bejtashi. Të xhuma më të xhuma
Glau e shkreta hata
Mulla Qemali u vra. 

Përveç Artës kryengritja shqiptare shpërtheu edhe në rajonet malore të Epirit. Disa qytete shqiptare ranë në duart e grekëve si Paramithi, Suli, Çamanta. Më 12 mars 1854 u caktuan forca të shumta që të niseshin nga Berati në drejtim të krahinës së Vlorës për të sprapsur bandat greke dhe, pasi të vendosnin qetësinë, të linin atje një forcë prej pesëqind vetë dhe të drejtoheshin për në Çamëri ku ishin përqendruar banda të shumta greke. Të tjera forca vendase të Vlorës, diku shkruhet pesëqind luftëtarëve më vonë u bënë edhe një mijë, tre mijë e dhjetëmijë, sa edhe kënga thoshte: 

“Mahmud bej me dhjetëmilë 
Veqil kish sheh Alinë 
Tutje uxhum për Athinë”

u nisën në drejtim të Meçovës, Artës, e bashkë me të edhe Selim pashë Vlora. Luftëtarët e Lumit të Vlorës, të udhëhequr nga Selam Hasani nga Velça e Shako Xhaka nga Tërbaçi, u hodhën fillimisht në krahinën e Himarës. Atje, të bashkuar me forcat beratase dhe me trimat e bregdetit të udhëhequr nga kapedan Sokrat Leka prej Qeparoi dhe Mëhill Qirjaqi nga Çorraj, hodhën në det bandat greke. Çelo Picari, i pajisur me disa topa, u fut në thellësi të Çamërisë për çlirimin e Prevezës. Sikur shihet, por edhe nga analizat që janë bërë nga ushtarakë e historianë, fronti i mësymjes ishte i madh, me shumë drejtime, por i copëzuar, e jo frontal që të kërkonte edhe një kundërvënie të tillë totale, e mbase edhe operative-strategjike. Edhe kjo mund të bëhej sepse forca shqiptare u bënë shumë, madje edhe më shumë se bandat greke. Madje në këtë luftë u përfshi e gjithë Shqipëria e jugut. Por, ndërsa ushtria greke luftonte me banda të nxitura dhe me qëllim që të zgjerohej gjeografia e tyre gjer në Shkumbin, shqiptarët ishin ngritur të gjithë në këmbë me një qëllim final që të mbronin kufirin në jug të vendit, në Çamërinë jugore. Forcat greke morën në zotërim një teritor të mirë shqiptar si Paramithi, Llaka. Atje u sosën forcat e Labërisë me Mahmud bej Vlorën dhe i sprapsën grekët. Kënga thotë: 

Mahmud bej me pesë milë
Duall mileti i prinë
Nuk e mbanin dot gëzimë
Ka murzikat që bijnë.

Çelo Picari, duke gjetur atje luftëtarët çamë, mori në dorë Prevezën, Nartën, u nis për të marrë në dorë edhe skelën e Salahorës, e cila ishte kthyer në një pikë zbarkimi me rëndësi të forcave greke nga krahu i Çamërisë. Kalem Hadëri (Seferi), nipi i Çelos, me një pjesë të mirë të luftëtarëve të Kurveleshit, shkoi në Delvinë dhe, pasi pastroi vendin, u hodh në Filat. Forca të tjera shqiptare dolën nga Çamëria të komanduara nga Ahmet Çapari dhe vazhduan më tej. Kur në mbarë Shqipërinë u lëshua kushtrimi më 12 mars 1954, asnjë krahinë e jugut të saj nuk mbeti pa nxjerrë luftëtarë. Forca të tilla u ngritën në këmbë në Dangëlli, Dishnicë, Shqeri, të udhëhequra nga Halil bej Frashëri, i cili mori me vete edhe djalin e tij për ta stërvitur në luftë si një patriot të ardhshëm, 16-vjeçarin, Abdylin. Fillimisht luftëtarët shqiptarë u bënë thirrje forcave greke që të tërhiqeshin nga territori shqiptar, duke iu drejtuar komandantëve, mes të cilëve ishte edhe ndonjë renegat shqiptar, ish oficerë të lartë të Ali Pashës e pastaj të shitur tek greku për ca napolona, si Griva dhe Karaiskaqi. E pasi gjetën hezitimin, në këto rrethana, fjala u mbeti armëve. Shqiptarët korrën fitore në atë front, grekët u thyen e u sprapsën për më tej. Bandat greke u detyruan të tërhiqen. Luftë u zhvillua kudo në Çamëri. Shqiptarët, që luftonin në këmbë, i detyruan forcat greke të braktisnin pozicionet strategjike të Sulit. Të tilla ishin edhe forcat e Kolonel Zervës. Të dehur nga suksesi, forcat shqiptare dëshiruan të shkonin edhe më tej. Një këngë labe e kohës thotë: 

Burra të bëjmë belinë 
ta bëjmë bajramë në Athinë. 

Ishte maj 1854 e në atë muaj qëllonte edhe bajrami. Në Meçovë shkoi edhe Selam Hasani, me forcat e veta nga Lumi i Vlorës. Atje luftoi e atje edhe u vra. Dokumentacioni i kohës e përshkruan gjerë, por edhe kënga popullore po ashtu. Këngët popullore e kanë bashkëshoqëruar historinë. Kënga është një kronikë e gjallë ndaj historisë. Madje një mbledhës folklori i këngëve të Çamërisë, Fatos Merorrapaj, shkruan se “…unë më shumë i besoj një kënge të kënduar, se sa një historie të shkruar”. E kjo luftë është përjetësuar bukur nga kënga. Nëpërmjet këngëve janë dhënë situatat historike, situatat ushtarake luftarake, personazhet pjesëmarrës në luftë, bëmat e tyre, heroizmi i tyre, rënia e tyre, e deri edhe moti e terreni që shoqëronte luftën etj. Lufta më e ashpër në Meçovë është bërë edhe për një kullë dominuese e dëmsjellëse në forcat shqiptare. Përball asaj kulle u ndodhën në luftime forcat e komanduara nga Selam Hasani nga Lumi I Vlorës. Ajo ishte në një terren më të lartë, në një terren shkëmbor, por edhe një objekt mbrojtës. Ajo ishte e shoqëruar edhe nga një terren që duhej t’i ngjiteshe, si një kala, ose si një Çanakala. Atje ishin përqendruar disa forca greke. Selam Hasani kishte thënë se atë kullë duhej ta merrnin “me do e mos”, pra me domosdo, me patjetër. Dhe zgjodhi disa nga trimat e tij. Për të shkuar te kulla e të godiste forcat shqiptare me zjarrin e saj, ishte një shtab me komandantë grekë. 

Kullë e bardhë atje në majë
Tha Selami kush ta hajë (marrë I.B.)). 

Ajo kullë kishte një pozitë dominuese. E vetmja mundësi për t’iu afruan nga shpina ishte një luginë me fier. Ishte pranverë e fieri ishte harlisur, si lis, që mund edhe të kalohej me zvarritje e me një maskim rigoroz. Kjo histori përcillet edhe gojarisht e plak pas plaku në Lumin e Vlorës. Selam Hasani u nis me disa trima të mirë, më të mirët, u nis me zvarritje dhe e kaluan luginën në maskim të plotë, mes fierit dhe i dolën kullës nga pas shpine.Vetëtimthi u hodhën mbi kullë, sepse derën e kishte nga jugu. I pari ishte komandant Selam Hasani nga Velça. Kënga thotë: 

O Selam kur u vërvite
Pallën e larë ç’e qirte (nxorre I.B.)
Pa vajtur në mes dite.
Ai u hodh mbi ta e preu disa. 
Bir o bir Selam Hasani
Gjak të kullon jatagani
Preve sa të deshi xhani/
Se të qe zënë vatani. 
Ushtari roje grek e qëlloi me pushkë në brinjë dhe Selami ra. Ra dhe ndërroi jetë në vend. 
Medet në brinjë ç’u godite
Pa vajtur në mes dite. 
Pas tij ishte një djalë i ri, luftëtar i thjeshtë, Ramo Balla nga Gjormi i Vlorës, ai nxorri kamën dhe preu ushtarin, trimat e tjerë u futën në kullë, prenë edhe më, madje edhe kapedanë shkruhet, dhe forcat greke ikën duke e lënë kullën, por edhe frontin në dorën e shqiptarëve. Kënga: 
O Selam kush t’u ndodh pranë
Në sahat që e dhe xhanë 
Ramo Ballua me pallë
që vrau di pashallarë
Mori hakë për Selamë. 
Vdekjen e Selamit kënga e përcjell: 
O Selam o faqebardhë 
Gjithë ndjesë ty të thanë. 

Pas disa ditësh beteja e Meçovës përfundoi me fitoren e plotë të shqiptarëve. Shumë qenë robërit, kuajt dhe armatimet që u kapën e mbetën në duart e shqiptarëve. Të ashpra luftimet u bënë edhe në Petë, në Shën Ili, Paramithi, Kallabak. Në Kallabak shkuan forcat e Hasan Çakos, zunë vendet më të rrezikshme, por përdorën taktikë të zgjuar, e tërhoqën kundërshtarin nga pozitat e fortifikuara natyrore, lartësitë, terreni shkëmbor, përgatitën pusi dhe i goditën në befasi. Prijësi, trimi, Hasan Çakua, u plagos rëndë në gjoks dhe shokët e tij e sollën atë trim në vendlindjen e tij, në Kaparjelë. Dukej që dot nuk rroje 

As mbi at dot s’qëndroje.
Lufta në Kallabak këndohet kështu: 
Për tërë natën ç’u dinë
Kallabakut iu vërvinë
Kallabak vënd i lartë 
Duman një ditë e një natë.
Ra heroikisht edhe Zubo Hormova. Kënga: 
Lule o Zubo Hormova
ç’i ndjek rrëkeja rrëketë
Seç luftove mor i shkretë
Sa t’u sosën kryezestë (Fishekët)
…Lule o Zubo Hormova
Ashkosun të lumtë dora
Unë hakënë ta mora.

Kordhë e Çelo Picarit bëri kërdinë në atë përballje, sokëllimat e tij dhe përvoja e gjatë në luftë ishin shtysa dhe morali i shëndoshë i luftëtarëve. Ai dinte si e kur të sulmonte, por dinte edhe si të fitonte. Të kishe atë në krye e në krahë, bëheshe me krahë shqiponje e i paepur në luftë. Për Çelo Picarin u këndua: 

Kush u hodh në Petë i pari
Ky Çelo mustaqe çari
Kush u hodh e u bë kajtë (therror)
Tepelenas e Vlonjatë
Që rrojnë me bukë thatë
/ me mish të pjekur në napë.
Për Shako Xhakë Tërbaçin u këndua:
O Shako Xhakë Tërbaçi 
I Shqipërisë ilaçi. 

Kanë kaluar vite e vite nga kjo luftë e rrethanat historike edhe kanë ndryshuar. Sidoqoftë, historia ngelet aty, ajo duhet kujtuar, nuk duhet harruar. Duhen kujtuar e përnderuar ata që luftuan për integritetin e Shqipërisë, duhen kujtuar sakrificat e tyre, gjaku i tyre. Ato këngë janë të gjalla, të freskëta, të paharruara, edhe pse janë thurur para gati njëqind e pesëdhjetë vitesh, ato këndohen edhe sot, madje mbeten një lajtmotiv e një thirrje për të ardhmen e paqme e bashkëjetuese. Shumë interesante është se kjo ngjarje, disi e kaluar e mbase që edhe mund të harrohej si shumë të tjera, ende është e gjallë në kujtesën e banorëve të Lumit të Vlorës e të Labërisë. Edhe sot po të bisedosh me ta e t’u kujtosh luftën e Mahmut bej Vlorës me shokë, të Meçovës sikurse e artikulojnë atë, e tregojnë sikur kanë qenë vetë atje, e kjo mbase edhe nga këngët e shumta që u ngritën e që përcillen gojë më gojë. Mbahet mend e tregohet edhe sakrifica që bëri Mahmud bej Vlora para dhe pas përfundimit të luftës që “Shiti në Vlorë dhe në Berat shtatë çifiligje,- shkruan Eqrem Vlora në kujtimet e veta, -për të shpërblyer çetarët që morën pjesë në luftë e që ngeli edhe fukara”.
Sigal