Kur kritikohej Kadare dhe Agolli në gazetën e shkrimtarëve

660
Gëzim Llojdia

Kadarenë e kam vizituar në studion e tij në vitin ’86, ndërkaq isha veçse një student. Nga kjo vizitë mbaj mend ende pamjen e një murgu të letrave, që çuditërisht vinte nga bota e epërme hyjnore. Dua të shqyrtoj, se ai ishte një: “punëtor i letrave”, që e gdhinte dhe ngryste kohën me letërsinë. Nën syrin tim ky ishte mendimi i parë. Mirëpo, edhe pse Kadare njihej ndërkaq tej kufirit të këtij vendi dhe botohej nëpër botë (në bibliotekën e tij në shtëpinë e tij, librat me kopertina të ndryshme ishin botimet në gjuhët e ndryshme të botës), shkrimtarin e godisnin me forma dhe mënyra të ndryshme dhe më çuditërisht e më tepër të përhapura aso kohe ishin letrat, që mbrinin nëpër redaksi gazetash apo kritikat që i bënin jo në pak raste: “lexuesit që në disa raste shfaqen si lexues të porositur”. Mirëpo ndërkaq kishte edhe lexues të cilët shfaqnin edhe bindjet e tyre, të pandikuar gjë që të bën të mendosh se kjo kategori nuk mund të futet te “lexuesit e porositur”. Kadare dhe Agolli po ngjisnin shkallët e letrave shqipe fuqishëm,shpesh edhe ata në shtypin e letrar të kohës binin pre e goditjeve, të qëllimshme ose thjesht të kritikave të pandikuara. Në këtë rast do të sjellim dy prej tyre, që mendoj se nuk ishin kritika të qëllimshme, por që në kontekst të kohës, ishin në favor të vijës politike për letërsinë dhe artin, që sigurisht duhej zhvilluar nën frymën e partishmërisë. Mjafton që të shfletohet e përjavshmja: “Drita”, letrare-artistike të 10 korrikut 1966, për të kuptuar qartësisht si bëhej kritika nga lexuesit në shtypin letrar. Në dukje qartësisht kritika e ndershme, po në thelb a ishte e tillë? Le ta gjykojë lexuesi 

“Një tregim me shumë pikë-pyetje,shkruan (B. Myftari, punëtor në stabilimentin:”M. Duri” Tiranë.) Ku midis të tjerave shkruan: Unë do bëj fjalë në këtë shkrim për një tregim të tillë, për tregimin: “Zbërthimi” të Ismail Kadaresë, që është botuar nga fundi i vitit të kaluar në gazetën: “Drita”. Ja përmbajtja më dy fjalë: “Një fshatar nga një fshat i humbur, që nuk e ka parë luftën me sy gjen një natë në bregdet një minë, të cilën e merr për fuçi vaji dhe duke e rrokullisur e çon në shtëpi. Kur kupton se është minë jep alarmin në të gjithë fshatin. Fshatarët të trembur nga kjo e papritur sikur t’u kishte rënë kolera braktisin shtëpitë dhe dalin jashtë fshatit. Duke vijuar me tregimin, autori shkruan se, djali i madh i fshatarit shkon në qytet për të mësuar si zbërthej mina. Fshatarët kërkojnë një mjeshtër, por as ai nuk e zbërthen dhe shpëtojnë vetëm kur vijnë partizanët. Mbasi përfundon së lexuari këtë tregim të lindin këto pyetje:” Ç’ka dashur të thotë autori me këtë tregim?.

Ku ndodhet ky fshat i “humbur” që s’ka parë luftë me sy?
Ç’janë këta fshatarë që tremben kaq shumë nga mina?

Armikun. Ne qoftë se mina përfaqëson armikun, po ushtarët fashistë të postës çfarë përfaqësojnë? Autori ka dashur të thotë diçka, por nuk ia ka dalë. Një fshat i tillë nuk ndodhet asgjëkund në Shqipëri. Vetëm në fantazinë e autorit. Fshatrat tona janë djegur e zhuritur nga fashistat e nazistat. Fshatarët, që përshkruhen në tregim nuk janë shqiptarë. Shqiptarët nuk tremben. Këtë e dinë shumë mirë edhe armiqtë. Pra janë krijuar nga autori. E marrin minën për një moment si simbol, që përfaqëson armikun. Por, autori e rrëzon vetë këtë si simbol kur thotë se aty afër ndodhej një postë me ushtarë fashistë .Pra u rrëzua simboli e bashkë me simbolikën edhe tregimi, sepse ky tregim është bazuar në simbol. Ky tregim mund të mbetet si legjendë, por të edukon për keq. Fshatarët simbas autorit tremben nga mina (armiku) braktisin shtëpitë dhe largohen të tmerruar. Por legjendat e bukura të popullit na tregojnë të kundërtën.

Marrim shembull: “Gjergj Elez Alia”, Bajlozi i zi që ka dalë nga deti përfaqëson armikun…Me tej ky autor shkruan: Gjuha në tregim është e thatë. Ajo nuk është bazuar në pasurinë e folklorit tonë, megjithëse autori përmend shpesh fjalët “tmerr”, “llahtarë” etj. Tregime të tilla nuk dëshiroj të lexoj. Presim nga shokët shkrimtarë të na shkruajnë vepra të bukura, të bazuara në gjuhën popullit, ku pasqyrohen bukuritë e vendit tonë, shpirti i popullit tonë, vetëmohimi i popullit tonë për ndërtimin e shoqërisë sonë të re, për ndërtimin e socializmit, vrullit revolucionar, që ka pushtuar masat tona punonjëse. Besoj se shkrimtarët do të na e plotësojnë dëshirën, sepse tani, ata janë më afër me masat dhe do t’i njohin më mirë ato, përfundon letra e punëtorit të stabilimenit M. Duri” të Tiranës. Po në faqen dy të kësaj gazete letrare-artistike shfaqet edhe shkrimi i M. Zeqo, nxënës,Durrës. Duke folur për edukimin komunist revolucionar të brezit të ri, ai merr në analizë, disa tregime të disa autorëve shqiptarë. Në fillim ai analizon tregimin e A. Cergës: “Ne ishim tetë” duke shqyrtuar fjalët se ky ishte një tregim i mirë. Ndërsa tregimi tjetër: “Ujqërit” i Agim Cergës, shkruan M. Z është i zbehtë dhe ka tinguj false. Në këtë tregim vihet re një tendencë humanizmi të sëmurë. Autori me anë të këtij tregimi e zbut figurën e oficerit fashistë, i cili ka ardhur në vendin tonë. Ky oficer ka lëkundje shpirtërore dhe nuk do, që të luftoj kundër shqiptarëve. Autori e justifikon këtë duke thënë se është arbëresh. Pra oficeri nuk do të luftoj kundër shqiptarëve se është arbëresh, por sikur ky oficer të ishte në një shtet tjetër, a do të luftonte? Dua të theksoj se ky oficer duhej të kish merita në ushtrinë fashiste, përderisa kishte gradën oficer. Nëpërmjet tregimit ky njeri me merita fashiste na del njerëzor dhe i dhembshur. Më poshtë autori analizon tregimin e autorit T. Laço “Larashi” duke quajtur një tregim të mirë. Duke analizuar D. Agollin, ai shkruan: “Tregim i dobët dhe pa vlerë është tregimi “Kamerad, kamerad” i D. Agollit. S’e kuptoj ç’e ka shqetësuar D. Agollin të shkruante këtë tregim. Një doktor italian dezerton nga ushtria e tij dhe vjen tek partizanët. A nuk kishte ndonjë cilësi të shquar. S’ish trim, por nga ana tjetër ish i dhënë mjaft mbas dashurisë, megjithëse në një moment autori e ngre doktorin kur ky ndodhet pranë një gruaje, që po lindte, prapë se prapë figura e doktorit është e zbehtë. Ku qëndron fabula e këtij tregimi? Duke mbyllur këto shënime dua të theksoj edhe njëherë se ne të rinjtë, duam të lexojmë tregime, që na mësojnë, duam të gjejmë në letërsi heronj, që të mund t’i marrim shembull në punën e jetën tonë. Mbyllet po me këto fjalë letra e nxënësit nga Durrësi.
Sigal