Kur ke dëshirë, dashuri dhe përkushtim, ambicia kthehet realitet

743
Sigal

Finiqi, një shembull përkushtimi

Ndërkohë që Saranda është ende larg për të pritur pritshmëritë e sezonit turistik, bashkitë e tjera në jug të vendit po bëjnë përpjekjet modeste dhe serioze për sezonin 2018. Në Sarandë, si për çudi, sa herë vjen sezoni turistik, nisin punime nëpër rrugë dhe shëtitore. Nuk jemi kundër investimeve dhe rregullimit të infrastrukturës së qytetit në standardet bashkëkohore, por ndërtimet ristrukturuese në sezon “nuk vënë vetulla, por nxjerrin sytë”, aq sa sot Saranda i ngjan një kantieri të një guroreje ku dëgjohet zhurma e mjeteve prerëse të gurëve dhe ndotja mjedisore e me pluhurat që lëshon kjo prerje mermeri. Dhe si të mos mjaftojnë këto, Saranda pretenduese e metropolit turistik në rajon, nuk ka zyrë turistike në bashki, por thjeshtë një inspektor të degdisur në një cep të zyrës së shërbimeve publike në një karrige me tre këmbë. Përballë kësaj situate të Sarandës, bashkitë e tjera të jugut po përpiqen me seriozitetin më të madh për krijimin e një strukture të mirëfilltë të menaxhimit të turizmit. Pikërisht ditën e shtunë të 12 majit, drejtoria e programim-zhvillimit, turizmit dhe projekteve të BE-së në bashkinë Finiq, ka prezantuar për shqyrtim në një takim me Komitetin për menaxhimin e Turizmit e shoqëruar edhe me panairin e traditës së zonës. Zoti Leonidha Kristo, kryebashkiak i Finiqit ka përshëndetur të pranishmit dhe ka nënvizuar se ky është një plan –veprimi dy vjeçar i mbështetur në objektiva strategjike dhe reket të përcaktojë atë që bashkia Finiq si destinacion turistik planifikon të bëjë për të ndikuar dhe orientuar rritjet në këtë sektor të ekonomisë lokale. Ndërsa drejtori i kësaj drejtorie, Gjergji Mano ka zbardhur detajet e kësaj strategjie turistike se përgjegjëse për drejtimin e masave dhe veprimeve të planit afatshkurtër dhe, në bashkëpunim me struktura të reja që do të krijohen për orientimin e politikave të turizmit në këtë bashki, do të inkurajojë individët, ekonomitë familjare, bizneset, komunitetet lokale, organizata të tjera nga grupet e interesit për t’u angazhuar në një poçes një vjeçar planifikimi, diskutimi, miratimi dhe në vazhdim zbatimi dhe monitorimi për hartimin e Strategjisë së Turizmit për Bashkinë Finiq 2020-2025. Objektivat e kësaj strategjie të ndarë në tre projekte, zoti Mano i ka detajuar para të pranishmëve me synimin që ti jap zhvillimit dhe menaxhimit të produktit turistik në këtë bashki si destinacion turistik një qasje vizionare turistike dhe të fokusuara tek pritshmëritë e vizitorit. Është parashikuar ndërmarrja e masave të qarta, prioritare të koordinuara të cilat do të përmirësojnë në mënyrë thelbësore standardet e mikpritjes dhe përvojat e vizitorëve pas vizitës në sitet dhe atraksionet e Finiqit. Detaj tjetër që bie në sy është synimi që të nxisë dhe përfshijë grupet e interesit dhe sipërmarrjet në turizëm në një partneritet të qenësishëm produktiv, në shërbim të interesave të tyre dhe që përdorë në mënyrën më të mirë të mundshme vullnetin e mirë, buxhetet dhe skemat e financimit si dhe kapacitetet njerëzore. Kjo do ti jap shtytje biznesit të turizmit në këtë bashki, por edhe rritje të performancës së tij vit pas viti. Natyrisht që synimi kryesor është rritja e kontributit ekonomik, mjedisor dhe social të industrisë së pritjes së vizitorëve në një mënyrë dëftore të përgjegjshmërisë dhe ndjeshmërisë ndaj nevojave të banorëve rezidentë dhe vizitorëve pa dallim. Këto dhe detaje të tjera janë prezantuar në takim me orientimin kontribuues që në mënyrë të konsiderueshme të ndikojë në aspiratat e zhvillimit ekonomik vendor duke përdorur si duhet resurset dhe potencialet natyrore, kulturore dhe historike, si dhe traditat dhe trashëgiminë kulturore të zonës.

Agron MEMA