Kur Jacques Chirac firmoste ngritjen e “Place di Skanderbeg”, në Paris

762
Abdurahim Ashiku

Shënime sipas kujtimeve të mërgimtarit të vjetër Kristo Zharkalliu 
Është “Viti i Skënderbeut”, 550-vjetori i ikjes së tij fizike nga skena e betejave më të mëdha historike të një populli të vogël kundër një perandorie në lulëzimin e saj maksimal, një perandori që me arrogancë synonte të dilte, jo vetëm në Adriatik por edhe në Atlantik, ta vinte në tehun e shpatës gjithë Evropën. Skënderbeu me një popull të vogël arriti t’ia presë rrugën Perandorisë Osmane. Kërkoja hartën e kujtimit të Gjergjit të Gjon Kastriotit në botë. E gjeta në shumë vende, afër e larg kufijve të Shqipërisë.

E kërkova edhe tek fqinji ynë jugor. Nuk gjeta as dëshirën e shtetit që këtë hero të madh, mbrojtës i krishterimit (edhe atij ortodoks), frymëzues i revolucionit të 1821-1828 kur pushka dhe shpata e pasardhësve që ikin pas vdekjes së Tij për t’i shpëtuar hanxharit otoman, por as edhe në dëshirën e drejtuesve të mërgatës shqiptare që t’i ulet një ditë në zyrë kryetarit të bashkisë së Athinës e t’i kërkojë një shesh për të vendosur një bust apo monument të Skënderbeut. Nuk e gjeta as në bisedat “Kotzias-Bushati” në Kretë dhe Korçë…E gjeta dhe po e përcjell nëpërmjet kujtimeve të Kristo Zharkalliut që tash e 57 vjet është mërgimtar në Greqi. E gjeta në udhëtimin e tij 38 vjet të shkuara (6 maj 1980), në përurimin e “Place di Skanderbeg” në Paris, në VLERË të personalitetit publik më të madh të asaj kohe në Paris (më vonë President i Francës) Jacques Chirak. Isha në dijeni nga revista “Koha Jonë” të dibranit Isa Ndreu që më vinte me daljen në dritë të çdo numri, nga shkrime dhe letra të ndryshme se po bëheshin përpjekje të përurohej një shesh në Paris me emrin “Sheshi Skënderbeg” me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar. Krahas përpjekjeve të shumë shqiptarëve një rol parësor ka lojtar Isa Ndreu, Lec Shllaku dhe domosdo revista “Koha jonë”. Pas përpjekjeve dhjetëvjeçare më 1978, Këshilli Bashkiak i Parisit, me kryebashkiak Zhak Shirak miratoi emërtimin e sheshit “Place di Skanderbeg”. Është e vërtetë se unë nuk kisha marrë pjesë në këtë fushatë, sepse nuk kisha mundësi por as që besoja se do të realizohej. Merreni me mend habinë dhe gëzimin tim kur mora një ftesë për të marrë pjesë në përurimin solemn dhe festim të këtij sheshi. Veçse për mua ftesa të tilla merrja përditë nga të gjitha anët e botës, për mbledhje, kongrese, festa etj. nuk kishte asnjë peshë, kurrë nuk munda të udhëtoj dhe kjo për arsye të thjeshtë ekonomike. Duket se Isa Ndreu e kishte parasysh këtë “dobësi”. Bashkë me ftesën më dërgonte një letër ku më thoshte: “Bashkangjitur ju dërgoj edhe një çek për shpenzimet tuaja të para, sidomos për biletat e aeroplanit e për do shpenzime të duhuna për udhëtimin në Francë. Atje do të kini të siguruara të gjitha shpenzimet prej meje dhe e quaj nder që të të kemi mes nesh. Miku yt, Isai”.

Më thoshte gjithashtu se ceremonia solemne do të bëhej më 6 maj 1980 dhe se aty do të përfaqësohej i tërë emigracioni shqiptar në botë. Kishin ardhur përfaqësues të të gjitha partive, ngjyrave si dhe përfaqësues të klerit shqiptar. Arbëreshët kishin ardhur me një përfaqësi shumë të madhe. Unë isha i panjohuri nga të gjithë dhe në aeroport më priste Leci duke ditur orën që do të arrija në Orli. Besoj se për të parën herë në histori zbritën në atë aeroport kaq përfaqësi shqiptare. Atje dëgjoje emra bombastikë të së kaluarës që tashmë ishin shndërruar në skelete dhe pleq. Por shikoje edhe të rejat arbëreshe që përbënin korin kishtar dhe kombëtar, si dhe disa klerikë, si nga arbëreshët ashtu edhe nga mbeturinat e emigracionit. Më bëri përshtypje që shumica njiheshin ndërmjet tyre.

Fjalën solemne e mbajti inxhinieri Vasil Germnji duke pas pranë gjithnjë Isa Ndreun. Domosdo pranë tyre gjendej edhe Leci e shumë të tjerë, sidomos gjatë meshës në kishën madhështore Notre Dame. Vura re se shumica e tyre, sidomos të moshuarve të njohur mes tyre përqafoheshin e putheshin duke u krenuar me të drejtë se po arrinin që në zemër të Kryeqytetit Francez një shesh do të mbante emrin e Heroit Kombëtar Shqiptar.

Në mes të atyre njerëzve dhe të asaj atmosfere festive, unë e ndjeja veten tepër të vetmuar dhe, pse jo, të trishtuar. Të gjithë e dinim se përfaqësonim një të kaluar të perënduar dhe atëherë shpresat tona ishin krejt të paqena se dikur do të mundeshim të ktheheshim në Atdhe. Nga ana tjetër kushdo nga ne përfaqësonte një tragjedi, cilido prej nesh kishte lënë prapa njerëz të dashur dhe varre të hapura nga dora vëllavrasëse. Ndërkohë nuk kisha mundur ti afrohesha Isa Ndreut i cili ishte gjithnjë i rrethuar nga “burra me rëndësi”, (kur ka torba fiq), vetëm kisha mundur ta përshëndes duke i dhënë dorën ndërsa Leci i thoshte se kush isha. Ai kishte mundur të murmurisë “gëzohem shumë”, sepse dikush tjetër, një burrë i moshuar e tërhiqte tutje që ti tregonte diçka. Ishte burrë i pashëm atëherë Isai dhe megjithëse ishte 61 vjeç, akoma nuk ishte thinjur. Vetëm kur mbaroi ceremonia dhe njerëzit filluan të ndahen me përqafime e premtime, Leci m’u afrua dhe më tha se më kërkonte Isai. Ai më përqafoi me ngrohtësi duke thënë: “Kisha shumë kureshtje me të njoftë! Të lumtë që more mundimin me ardhë. E shikoni, këtu ishte i ftuar edhe ambasadori i Tiranës, por ai nuk e bani kabull me nderu Skënderbeun e me bisedu me emigrantët! Me thanë të vërtetën mirë bani se kishte rrezik me u krijue ndonjë gjendje e pakandëshme…”

E përcolla këtë moment historik të jetuar të një emigranti me shpresë se do ta lexojnë shtetarët e vendit tim, mërgimtarët bashkëkombës të mi në Greqi, si një mesazh për ta sjellë Skënderbeun edhe mes nesh.

Po thyhen shumë tabu.
Për mua kjo është mbase më e thjeshta.
Pak vullnet e shumë dashuri kërkon.
E këto nuk na mungojnë. 
Janë në “gjumë” e duhen “zgjuar”.


Sigal