Kur hidhte hapat e fundit “Nëntori i dytë”

1610
Gëzim LLOJDIA

Isha student aso kohe. Kujtimi i asaj ngjarjeje, që lëngatën nis, çdo gjë e ndërtuar shembet dhe mbeten veç gërmadhat e një bukurie, ende më trazon. Aty te rruga muze: “Justin Godard”, rrugë e njohur me banesa, kryesisht fasadat karakteristike të hershmërisë së qytetit historik të Vlorës. Rruga “Justin Godard” ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes së Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek “Sheshi i Flamurit”, kurse ana lindore në “Lagjen Partizani” në drejtim të Babicës. Dikur kjo rruga quhej: “Liria”, rruga kryesore e qytetit. Lagjja e vjetër me banesa të vjetra, përmes saj kalonte rruga e vjetër që shtrihej nën ziftin e zi. Një turmë njerëzish, rrinin në të dy anët e rrugës. Kurioz afrohem dhe pyes me zërin e mekur, çfarë prisnin aty gjithë njerëzia veshur allasoj me xhaketa të një kohe tjetër.

-Po xhirohet filmi, për ngritjen Flamurit në Vlorë.
-Aha, tunda kokën duke kuptuar mesazhin e bashkëbiseduesit, një thinjak i gjatë. 
Prita të shihja ndonjë sekuencë të filmit, kur kishte kushedi sa metra kishte ecur nëpër celuloid, ndërkaq nëpër bobinat. Njerëzia bënin muhabet kot së koti, dhe të gjithë ishin në pritje, të kujt? Askush nga të pranishmit aty s’e njihte, as skenarin dhe s’kishte si të njihte për rrjedhojë, as ngjarjet që do të xhiroheshin. Pas një farë kohe erdhi një turmë aktorësh shqiptarë të njohur. Bujar Lako njihej nga mustaqet. Dikush, tha se sapo kishte përfunduar një skenë te Muzeu në Skelë. Dikush tha, se ata me regjisorin Viktor Gjika sapo ishin kthyer nga Komiteti i Partisë ku kishin kërkuar ndihmë, porse askush nuk dinte gjë. Mirëpo kur mungon informacioni, nis përhapja e një thashethemnaje. Erdhi dikush, një fytyrë pak e njohur nga ekrani. Quhej Spiro Duni. Nuk e kisha idenë se cili ishte pozicionimi i tij, por ai tha: “Po ti ku e ke xhaketën, pse nuk e ke veshur?”

-Sapo erdha, i thashë, kalova rastësisht këtej dhe ….
Ai shkoi përqark, mori një xhaketë dhe ma dha. Isha aktor?! Jo kurrsesi, isha thjesht një figurant i rastësishëm. E kisha pritur dhe ëndërruar këtë moment. Aty nga vitet ’80 kur studioja në Tiranë hipa në një autobus, mirëpo aty xhirohej filmi televiziv: “Era e ngrohtë e thellësive” i V. Priftit. Na hipën dhe zbritën nga urbani, që kthehej nga Valiasi 5-6 herë, bënim një xhiro dhe ktheheshim tek pastiçeri “Flora”, mirëpo kur filmi u shfaq në televizion ngase ishte një film televiziv, rolet tona prej figuranti ndonëse qëndruan aty prej disa orësh, nuk u shfaqën kurrë në ekran. Figurantë si ne, dukej se na kishin “asgjësuar” me gërshërët e montazhierit në kohën e montimit, në studion e të vetmit TV Shqiptar. Thashë se tani kështu më në fund po më jepej rasti. Kjo drita që m’u shfaq gati papritur, më erdhi si mirazh i pritur i një ndjesie plot jetë, shkëndija yjesh nisen drejt meje duke më pushtuar krahëve të tyre, ah sa mall paskam për këtë prani, që më mbush me shpresë. Drita e hënës më thërret të shkrihem me ato të ndriçimit të pashtershëm, syve të mi hapet një strehë e vogël ku mund të struket padurimi dhe ëndja ime, në hapat e mi gjej ecjen e pashmangshme drejt thellësive të një oqeani të pafund. Erdhi dikush, që bërtiti: “Motor!” dhe ndërkaq u shfaqën një turmë kalorësish me kuaj, që vinin nga hyrja e rrugës së Muradies, drejt “Sheshit të Flamurit”. Disa herë u stopuan dhe ndërsa rrinin e prisnin nuk kuptonin asgjë, se përse ishin kaq të gjatë këto ndalesa në xhirimin e një filmi. Skena, që pritej ishte ajo e ardhjes së Isës, vërtetë erdhi vonë sepse i ishte në burg-kalanë i mbyllur nga serbët por erdhi me 300 kalorës. Në godinën e vjetër hyri një djalosh, siç dukej ishte postieri. Dhe më pas pamë Marigonë, qëndistaren Flamurit. Përtej asaj, që shihet dhe preket Marigoja e filmit ishte një vashë e bukur, nuk i kishte flokët me kosta (gërsheta), por kur hoqi parukën u shfaq një tjetër bukuroshe, që frymoi një qenie e kudondodhur, në çdo gjë është e shkrirë si pjesë përbërëse e së tërës, nuk ka mbarim dhe nuk kufizohet me asgjë e vetme llojit të vet. Marigoja edhe në film ishte emocionuese. Në muzg unë doja të ikja dhe i thashë Spiros, se jam student e do të kthehesha në Kotë, por ai më tha se do të xhironin në urën e Bratit, një skenë që bënte llaf për ardhjen e kalorësve. Ura e Bratit, një monument kulture me harqet e saj të bukur dhe me ujët e shumtë në dimër që vërshonte nën gurët e saj ishte një mrekulli e ndërtuar nga mjeshtërit, veç ca shekuj më parë. Spiro më tha, se nesër në mesditë do të kalonin për në Brataj, prandaj donin rreth 10 bluza me ngjyrë të kuqe. Të nesërmen e prita aty në qendër të Kotës, i dhashë bluzat dhe ai më dha të hollat për shpenzimin e bërë. Ndërsa makinat dhe mjetet e tjera, që duheshin për filmin grahnin drejt rrugës së lumit të Vlorës. Në gjuhën poetike kam përdorur disa simbole për urat. Dielloret-ura, që mbajnë copëra fatesh në pjesë. Të bëhemi më realistë dhe të sjellim në kujtesë se në trojet tona, urat kanë qenë nevojë për të lidhur brigjet. Ura e Bratit është ura me dy harqe. Hapësira e madhe është pjesa ku kalon edhe lumi ndërsa pjesët e tjera janë dritare për kur fryhen ujërat në stinën e dimrit, ujërat shkarkohen. Ura e Bratit qëndron aty prej më shumë se 6 shekujsh. Një profil të plotë të urës së Brate shqiptarët e kanë parë tek filmat “Nëntori i dytë” dhe filmi :”Udha e shkronjave”.Ura e Brate në stinën e dimrit pasqyron edhe fortësinë e saj. Shushica është lumi që ka 76 km gjatësi, ndërsa kokën e ka në Kuç. Bashkimi i lumenjve quhet vendi ku përzihen lumenjtë. Kjo urë daton në shekullin e XV-XVI dhe ndodhet në afërsi të fshatit Brataj. Prej mese 5 shekuj ajo është funksionale. Si urë kalimi ajo lidh dy anët e lumit Shushicë, rrugën e vjetër të Karvanëve me atë të Rrëzës. Ajo është e lartë mbi 9 metra dhe e gjatë afërsisht 30 m. Ajo lidh fshatin Brataj me fushën e Brate dhe Smokthinën. Për të shkuar në këtë objekt kulture që i ka shërbyer zonës për shekujsh udhëtimi zgjatet në luginë të lumit. Kur u shfaq në ekran për ne si figurantë nuk kishte vend dhe ishte i kuptueshëm, çdo gjë që bëhej dhe xhirohej kalonte nëpërmjet proceseve të tjera të rrepta vëzhgimi. Jo vetëm ne, ngase rastësisht u gjendem figurantë, por edhe artistë të tjerë ndonëse kanë pasur role, shpesh e kanë parë veten në ekran të gjysmuar, jo gjithçka që xhirohej nëpër bobinat e L. Konomit do të shfaqej në ekran. Rikujtoj çdo detaj të mundimeve të mia ku krahët marrin çastet, të ëmblat meditime si diell përflaken ndriçimit të tyre, por gjithsesi ato mbesin veç ca copëra të vogla të fshira në bobinat ku mbështillej celuloidi. E nis udhëtimin tim të gjithhershëm drejt “tokës së premtuar”, pas meje mbeten hijet e zeza të dyshimit dhe mosarritjes, i dua këto hapa të pa shmangshëm, që kurrë nuk ndiejnë lodhje.

CV e filmit: “Nëntori i dytë”.
• Kinostudio – Shqipëria e Re
• Vendi i Prodhimit – Shqipëri
• Viti i Prodhimit – 1982
• Gjuha – Shqip
• Regjisor – Viktor Gjika
• Skenari – Kiço Blushi & Dhimitër Shuteriqi
• Muzika – Kujtim Laro
• Kameramani – Lionel Konomi
• Aktorët Kryesorë:
• Sander Prosi………Ismail Qemali
• Reshat Arbana……Isa Boletini
• Mario Ashiku…….Shpend Dragobia
• Sulejman Dibra…..Gjenerali turk
• Demir Hyskja……..Mytesarifi
• Bujar Lako………….Luigj Gurakuqi
• Robert Ndrenika….Hakiu
• Petrit Malaj…………Adem Boletini
• Luan Qerimi……….Sali Drenica
• Guljelm Radoja……Lym Kepi
• Hajrie Rondo………Gruaja e Lym Kepit
• Ilia Shyti…………….Mullai i Beratit
• Pandi Raidhi……….Demir Arbana
• Spiro Urumi………..Xhaferr Bej Kadena
Sigal