Kur Dritëroi me Eqrem Canaj në Mesaplik vendosën se do pinin raki gjithë natën dhe do shkruanin gjithë ditën

692
Gëzim Llojdia
-Kur u ktheva në fshat, Dritëroi më përcolli këtë haber: “Do të vij në Mesaplik se ke një roman të mirë, unë kam një ide të fuqishme për një roman të quajtur “Labëria”, gjithë ditën do të pimë dhe gjithë natën do të shkruajmë ose gjithë natën do të pimë dhe gjithë ditën do të shkruajmë”.

-Ndërsa pritej botimi i romanit, një letër anonime nga fshati ynë i ishte adresuar S. K drejtorit të entit të vetëm botues. “Eqrem Canaj ka një të kaluar jo të përshtatshme nga i ati”…., që ishte dënuar 99 ditë burgim, sepse në stanin e tij i kishin zënë derën dy të arratisur
-Shkrimtarët ndryshe nga muzikantët apo këngëtarët që bëjnë para, nuk e kanë këtë mundësi financiare, ana tjetër; unë përballoj ironinë e popullit tim

Pariku ka mbetur atje dhe larg, por ende i pashuar si vegim në kujtesën e shkrimtarit. Pika e vesës përmbi drurë në parik është pika e lotit, ku ndizen tufa agimesh. Nga lënda e Parikut shkrimtari Eqerem Canaj, materializoi mijëra fletë duke i kthyer në libra. Ashtu si kamina që zbërthen gurët nën flakën e madhe, e uji i lumit e shurdhëron gëlqeren, shkrimtari Canaj e gjeti këtu universin e një jete, që diçka brenda saj përmbante edhe mistiken. Zgjoheshin, zogjtë tufa-tufa dhe shegët binin në vjeshtë, era e ftohur e malit vinte dhe zhegu që ndizte gurët. Pariku ishte shpirti dhe lënda e një jete. Pa të priteshin gjunjët, hëna e re, aromë mjalti dhe pa të yjet nuk pikonin më pikë pikë. Në muzg varej bagëtia nga shtegtimi zbrisnin në Parik. Mori lopatën dhe hapi një gropë në parik. Mbolli një shelg. Shelgu tanim është një pemë që shërben si hije dhe brenda rrathëve të tij të qelq ka vitet e jetës, ata shënojnë jetësimin e shelgut dhe kohën e krijimtarisë së shkrimtarit. Kur filluam të shkruanin në fletë, shelgu bisqe-butë lëkundej në dallgët e tij. U rrit shelgu, u madhua gjetheria u rit në numër e cilësi krijimtaria e shkrimtarit. Mirëpo një ditë ndërsa shelgu frynte një puhizë në parik, shkrimtari bëri gati valixhet. Shkoi tek shelgu. “Tani do të them lamtumirë miku im i mirë! Mirë mbetsh!.Unë po iki, po zbres tek deti. Ti aty, do të presësh erërat, do të ndjesh vetminë dhe vdekjen të lehtë do ta gjesh. Mirë mbetsh!” Këtu është një rrëfim i thjeshtë, por gati i vërtetë, për shkrimtarin tonë Eqrem. Kur në perëndim muzgu, mbriti posta në katundin e largët të Labërisë, fshatarët u befasuan nga një lajm që kishte dërguar shkrimtari Dritëro Agolli, për mësuesin e letërsisë të fshatit. Dritëroi kishte shkruar se: “Ke bërë një roman të mirë!” Duke dalë nga nata e ëndrrave të këqija, banorët e atij fshati në zemër të Labërisë, nën lartësitë e malit të Cipinit, atë mëngjes filluan të pëshpëritin: “Mësuesit tonë i ka dërguar haber Dritëroi…” Një rrëfim të këtillë shkrimtari, Eqrem Canaj e solli në kujtesë në mëngjesin e djeshëm tek bari në qendër të qytetit tim dhe ndërsa heshti pak u kujtua të shtojë: “Nga dera e famshme e Cane Myftarit. Nën çastet e hidhura të pushtimit, kur stomaku i labit nuk e treste dot pushtimin, ishte dimërimi i vitit ’44, kur erdha në jetë, në fshatin tim në Mesaplik. Duke gjurmuar nëpër librat e kohës, për trungun familjar ose ndërtimin e një peme të tillë, kjo ishte një garë me kohën tonë, tek libri i Nexhip Kokalarit, “Trimat e kryengritjes popullore” zbulova faqe të shumta për degën tonë, që i përkiste Cane Myftar Smokthinës. Cane Myftari ka marrë pjesë në kryengritjet anti-osmane të viteve 1838-40. Si të gjithë shqiptarët e mirë, fundi tragjik, ishte shkuarja i helmuar në një han të qytetit nga osmanlinjtë. Varri si shenjë treguese ka qenë tek lulishtja e qytetit. Një gjurmë e këtij luftëtari është edhe vargëzimi i gdhendur si një pjesëz e vogël e tij: 

“Ngrehu Meto shah vëllanë
të shkosh me Cane Myftar
se Cane Myftari shkoi
i nguli bajrakun e shkoi…
“Në Cipinë/përmbi Smokthinë….

Ndërtuesi i këtij vargëzimi rapsodik ishte një farë Perlat Hasani. Ai ka qenë rapsod i njohur i zonës, intelektual. Edhe ambasador në Romë. Por e theu rakia, ka punuar në muze, bibliotekë, ka qenë drejtues i revistës “Zegali”, ka shkruar dhe nxjerrë një libër me poezi. Këtu zë fill edhe historia ime. Fshati Shalës, Mesaplik është i ndërtuar nga 2 lagje të mëdha dikur të populluara. Shalësi, në të vërtetë ishte i zbritur nga Bashajt, ku shtëpia e Cane Myftarit, ruhet ende monument kulture. Fshat buzë dy lumenjve, Shushicës në perëndim dhe buzë lumit të Smokthinës në veri. Shtëpia ime është në Parik. Ka qenë një qendër e vjetër administrative. Ku vetë Vlora është administruar nga tre parik.

1- Radhimë-Dukatit,
2- Nartës,
3- Mesaplikut.

Përtej çdo përfytyrimi, në Parik e më gjerë, në çdo vend po të gërmosh do të zbulosh mbeturina të lashtësisë, që shqyrtojnë një kulturë të hershme të mbetur nëpër qytetërimet tona jo shumë të zbuluara, ku thesaret popullojnë ende nëntokën tonë. Në afërsi të këtij vendi janë evidentuar 2 mozaikë të rrallë. Mozaiku i kishës së Murraj. Ndërtimi i tij përbëhet nga një shtresë llaçi, elementëve gëlqere dhe rërë u është hedhur edhe tullë e shtypur. Gurët e kubikëve janë me madhësi 10-15 mm më ngjyrë të bardhë, okër, rozë, gri të errtë. Në qendër mozaiku ka një portret burri që në kokë mban një kësulë, në pjesën e djathtë janë inicialet Aparkeas. Ky mozaik u ekspozua në Tiranë dhe do të vendoset në vendin e gjetjes në fshatin e Mesaplikut. “Ftohtësia e fatit” e priti mozaikun e Kacorit. Ndanë lumit tek shelgjishtet në kohën e kooperativës i vunë traktorin dhe e punuan mozaikun, copërat shkuan në lumë,ndërsa një pjesë e objekteve u ekspozuan në muze e Mesaplikut, por deri në vitin 2000 edhe ato copëra u zhdukën. 

Frymëzuesi Ali Asllani dhe Gani Iliazi. 
Bazën e krijimit e kam filluar nga studimi. Duke lexuar, kam studiuar mënyrën për të kuptuar sekretin e të shkruarit. Por njohjet e para i kam nga shkrimet e Sh. Musarajt të viteve ’30. Shkollimin, që kreva në familjen e Gani Abazit në Skelë njeri i shkolluar, nënprefekt dhe sekretar në luftën e 20-s. Në këtë familje njoha poezitë e Ali Asllanit. “Kërkoja të shkruaja, por nuk dija të shkruaja, shprehet shkrimtari Canaj.Pas shkollimit atje në Parik më nxiti dëshira për letrat shqipe. Tek shtëpitë e vjetra nisa faqet e para të romanit: “Njeriu me nofulla të hekurta”. Kur fillova romanin isha mësues në fshat dhe fletët e para i hodha tek shelgu, që ishte një bistajë, tani është bërë goxha ai shelg. Për dy vjet gjezdisa galaktikën e shkrimit shqip,kërkoja qiellin e kthjelltë pranveror nëpër natë.Pas dy vitesh ishin nxirë 156 faqe dhe sigla roman. Me këtë broshurë në duar gjeta në Tiranë, diku në hyrje të rrugës së Kavajës Lidhjen e Shkrimtarëve. Kërkova Dritëron, ngase ishte i lexuar në fshat. “Jam mësues në një fshat të Labërisë” dhe i dhashë romanin. Kur u ktheva në fshat, Dritëroi më përcolli këtë haber: “Do të vij në Mesaplik se ke një roman të mirë, unë kam një ide të fuqishme për një roman të quajtur “Labëria”, gjithë ditën do të pimë dhe gjithë natën do të shkruajmë ose gjithë natën do të pimë dhe gjithë ditën do të shkruajmë”. Në revistën, “Nëntori” botova ,”Labi i vogël” kushtuar Halim Xhelos, i biri tij Sazani më ka kërkuar ditë të tëra. Por si shkoi filli i romanit? Dritëroi ia përcolli Sh.Musarait, që ishte nga zona jonë dhe ky ia kaloi H. Petrelës, në vjeshtën e vitit ’79 Sh.Musaraj erdhi në Mesaplik, ku qëndruam në shtëpinë time në Parik. Romani u vlerësua se nuk ishte i ndërtuar mbi një personazh të vetëm apo mbi disa personazhe, por të gjithë personazhet në qendër kanë një luftëtar të vetëm dhe ai është: “Njeriu me nofulla të hekurta”, ky personazh nuk ishte Kanan Mazja, siç u përfol as Zigur Lelo, as Selam Musaj, por të gjithë prezantohen me një personazh të vetëm. Vlerësimin, që bënte Sh. Musaraja ishin: Ai vlerësonte mësuesin H, (Halim Xhelo),që ka patur rol në luftën e ’20-s ,si protagonist dhe drejtues. Ai vlerësonte laben, vajzën labe nëpërmjet saj shprehej rritja shkallë-shkallë e personalitet të vajzës shqiptare. Labja merr përmasa sa reale dhe po aq shpresëdhënëse. Kur romani u ripunua, Musaraj iku nga kjo jetë një ditë, mirëpo romanin ia kishte përcjellë L,Qafëzezit, që e redaktoi dhe e përcolli në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Këtë roman e paraqita në konkurrimin kombëtar të Shpalljes së Pavarësisë, u zhvillua në Vlorë dhe fitoi vendin e dytë. Ndërsa pritej botimi i romanit, një letër anonime nga fshati ynë i ishte adresuar S. K drejtorit të entit të vetëm botues. “Eqrem Canaj ka një të kaluar jo të përshtatshme nga i ati”…., që ishte dënuar 99 ditë burgim, sepse në stanin e tij i kishin zënë derën dy të arratisur. Romani mbeti i bllokuar nën gjuhën e heshtjes së madhe prej më shumë se 10 vjet. Ndërsa heshtja qëndronte varur përmbi romanin më dhanë leje krijuese 6 muaj. Në fshatin tim nuk e njohin fjalën ‘leje krijuese’ dhe më thoshin: “Eqrem, shko në punë se do të heqin nga puna, ç’janë këto marrëzira ‘leje krijuese’, po nuk punove s’ka para…” Në gazetën “Drita” nxora poemën “Mesapliku në luginë”, që ka vargëzime si: “Djep gjigant që përkund shekuj thinjosh me plagë luftërash…”. Romani, “Njeriu me nofulla të hekurta” me 318 faqe ka parë syrin e botimit në vitin 2000. Në një forum shkrimtari Naun Prifti nga SHBA më kërkoi t’i thoja Eqremit, se diku nga vitet ’70 ai kishte redaktuar pikërisht një roman të tij, mirëpo si në hijen e zezë që lë druri edhe ai libër shkoi për t’u bërë karton, mirëpo në kujtesën e Eqremit ai libër ishte fshirë dhe nëpër brazdat e tij, nuk kishte mbetur asnjë kujtim i thinjur, për romanin që u përpi nga makineria për t’u hedhur në karton, ndërkaq ai i thirri kujtesës së larguar dhe pohoi se për atë libër nuk kishte marrë vesh se ku ishte fundi i tij. Kam një krijimtari të bollshme si: “Qiej të çarë” poezi 156 faqe. “Kënga e thyer”, roman 185, i dedikohet poetit, kompozitorit dhe gazetarit Kastriot Gjinit. “Romani i një njeriu” 185 faqe, seria dedikat. “Ethet e gjakut”, roman 210 faqe. “Delida” novelë. “Romani i një ortaku”. “Legjenda e Marsidës”, Triologjia e tij “Toena”, “Trologji” me 3 romane: “Qyteti i Rungjinës”, “Kështjella mbi Ujanë”, “Zonja Mëmë”, .Ai mori kredi për të nxjerrë në treg botimin e tij, ka punuar vite të tëra, që e kanë sfilitur dhe e kanë lodhur shumë më tepër, mirëpo nga pena e tij janë edhe krijimet si tregime e novela, antologjia “Tregime të zgjedhura të autorëve vlonjatë.” Romanin “Disku i artë”, kurse “Alsa” poezitë të hajkut, “Lotët e kujtesës”. Kujtohet se ca vite më parë Tv Shkupi me anë të celularit i kërkoi një intervistë ku u përqendrua te financimi i botimit, pra si ia bëni ju shkrimtarët shqiptarë për mundësinë financiare për botimin e librave, që shkruani me aq mundim. Për romanin:”Njeriu me nofulla të hekurta”, që mbeti 15 vjet labirinteve të zyrave, nxori një kredi, ndonëse banonte me qira. Triologjia, që kushton jo pak por 3.2 milionë lekë të vjetra dikush i premtoi, por ai ishte gati të shiste gjakun e trupit të tij për trilogjinë. Kështu më shprehej Eqremi, që e takoja sa herë kthehej nga fshati ku ishte mësues me çantën e zezë në dorë, e nxora me kredi trilogjinë duke u shprehur se shkrimtari bën sakrificë për veprën e tij, madje duke rrezikuar edhe përfundimisht financat familjare, ç’mund të bëjë një intelektual, me rrogat modeste dhe një njeri si Eqremi, shkruan gjithë herës nuk e këput ritmin, flet për letrat shqipe zë fillin e këputur dhe nis trajtimin e tij duke shtjelluar personazhe reale, më pas kthehet merr në telefon mikun e tij: “Aha s’kam kohë” si dikur kur do të kthente nga një gotë të vockël diku në periferi, mirëpo diabeti tashmë nuk e lejon. – Ku shkon Eqrem, e pyet e shoqja- tek shokët, do të diskutojmë për letërsinë. E gjithë koha e tij në dispozicion është dhe mbetet përkushtimi për letërsinë. Në të gjithë rrathët që kalon jeta e tij, letërsia është ngjizur pak e nga pak duke vërshuar qelizave mushti poetik. Kështu Eqremi, ky shkrimtar që ka bërë emër përtej kufijve të provincës përpiqet, që të jetë bashkëkohor. Eqremi, ndonëse ishte stoik, kur e pa se rrëpira mbuloi Parikun, fillim viteteve ’2000 u ngrit mblodhi plaçkat e shtëpisë dhe i tha Lenës: “Lenë duhet të zbresim tek deti, atje në qytet. Fëmijët ikën shkollave ne nuk mund të mbetemi të vetëm këtu si kukudh. Këtu as një llaf nuk ke me kë të këmbesh, të gjithë ikën dhe po ikin.” Ndonëse në brendi të tij, tek pjesa ku ngrihej dhe ulet kraharori ndiente një sëmbim ishte dhimbja, që do ta njihte si udhëtare poshtë maleve pranë detit ku kishte ëndërruar sa herë, që nisej me korrierën e fshatit për në Mesaplik të gjente një strehë. Ishte nevoja, që e shtynte, sepse brenda e ndjente forcën e ndalesës: Po ike Eqrem mbaroi letërsia, sepse edhe poezia e tij dhe krijimet e tij, lindin nga një ditë e gjelbër, por nëse buronin nga dhembja atëherë brenda tyre ishte Pariku. Pra, po e le Parikun humbe, mirëpo ai e mban brenda vetes Parikun, sepse të gjithë krijesat e tij që brenda kanë Parikun, quhen me të vërtetë – letërsi mirëfilli, por ndërsa Pariku humbet, i shfaqen pulëbardhat në muzg një rrjet me peshq, por ato janë një ëndërr, ndërsa Pariku ka brenda lëpushkën e misërt, kokrrat e shegës, erën e ftoit, jugën, shkëmbinjtë, lumin, pra janë ato janë lëndët, që ai gatuan letrat e tij dhe në afërsi të maleve ajo bukë ka më tepër vlerë se përposh në fushë, afër detit. Ndërkohë Eqremi përpunon pareshtur nga balta e Parikut, krijime që kanë ende aromën e një jetë të virgjër, ndërsa a do të fillojë zbehja. S’besoj. Flladi i Parikut e ka parfumosur për dhjetëra vite, e rriti e bëri burrë i dha fëmijë, shtëpi, katandi dhe është ai frymëzimi tij. Prandaj pena e Eqremit rrëshqet nëpër fletë, sepse si lëndë djegëse, ka vajgurin e Parikut. Buzë detit, shkrimtari nuk gjeti dritësimin e gjërave. Ata, që i dukeshin burra të mirë në fjalë, në vepra krijonin, një distancë largësie. U sistemua si mundi, diku afër periferisë, por në banesë me qira. Ngazëllehej nga premtimet, që buronin lumë, por në muzg gjithçka fashitej nga dëshpërimi, sepse mendonte ku do të shkonte të nesërmen i pa punë një shkrimtar po me dhjetëra libra, ndërsa në universitetin e qytetit atje ku të mbyste kaosi nuk gjendej një vend për shkrimtarin. As s’u gjet kurrë, as nëpër gjimnazet e këtij qyteti. Askush nuk mundi ta ndihmonte në çastet më të vështira, kur librat e tij prisnin ende pa u tharë boja nëpër shtypshkronjat e kryeqendrës më së shumti, për të sjellë pagesën e fundit. U mundua t’u shpjegonte burokratëve se ishte shkrimtar se ai dhe disa të tjerë në vend kishin lëvruar suksesshëm edhe hajkun, mirëpo pyetja e tyre ngecte çuditshëm tek injoranca: Po mirë çfarë the se e ke atë Hajkun, ku është ai në cilën ministri? Re të zeza të trasha dhe viskoze ia kishin zënë rrugëtimin. Ndërkaq që xhelozia i tmerronte, që atij t’i bënin një vend dhe për së fundi e degdisën sërish larg në një fshat, por shyqyr se atje ishte buka e gojës dhe mendonte shumë për të, sepse me kohë i duhej të mendonte për krijimtarinë dhe të ardhurat, që ajo kërkon për t’u botuar nëpër shtëpitë botuese shqiptare që punojnë ende me parat e shkrimtarëve, pra shesin me parat e tyre dhe jo të blejnë krijimtarinë dhe ta shesin duke ua bërë shkrimtarëve shqiptarë. A nuk do të ishte mirë, krijimtaria e tyre të blihej ndërsa shkrimtari të fitonte një përqindje nga krijimtaria e tij. Mirëpo kjo logjikë në Shqipëri ka të paktën 25 vite, që kështu funksionon dhe nuk dihet sesa do të zgjasë koha, deri sa ndonjë shtëpi botuese e sojit “zengjin” të marrë përsipër, krijimet e shkrimtarëve shqiptarë duke i blerë ato dhe atëherë do të duket se çfarë është cilësia dhe sa do të kushtojë realisht ajo. Ndërsa lidhur me pyetjen se sot ka një shumicë shkrimtarësh dhe sa pak, që gjenden lexues Eqremi përgjigjet: “Në vrapimin kalorësiak, jo të gjithë e kanë kaluar urën e Mifolit, unë do ta kapërcej këtë pengesë. Shkrimtarët ndryshe nga muzikantët apo këngëtarët që bëjnë para, nuk e kanë këtë mundësi financiare, ana tjetër; unë përballoj ironinë e popullit tim. Ka nga ata që kanë bërë këtë pyetje: “Eqrem i çmendur je, që shkruan ende?” Por kjo mua më jep forcë, rezistencë dhe përkushtim…
Sigal