Sigal

14 vjet, Drejtor i teatrit të Vlorës 

Prej 3 vjetësh është edhe drejtor i Artit dhe Kulturës në bashkinë e Vlorës, që ka në administrim 2 muze, bibliotekën, galerinë e arteve, teatrin e kukullave. Prej 8 vjetësh është edhe kryetar i Kryqit të Kuq të Vlorës, ndërkohë që ka bllokuar dhe nuk lejon që të bëhen zgjedhjet e reja për drejtuesit e rinj të degës së Vlorës.
Ky është Dhimtraq Furxhi, i cili është drejtori më jetëgjatë në institucionet e bashkisë e të shtetit në Vlorë. Merita e tij e vetme është se është kunati i Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro. Konsiderohet në rrethet artistike të Vlorës si njeriu që është duke i bërë dëmin më të madh deri në zhdukje të shumë vlerave artit e kulturës në qytet.
Në drejtimin e tij institucionet janë në ditët më të vështira.

Për herë të parë, Estrada e Vlorës nuk pati një premierë në këtë fund viti, rast i rrallë ky që nga dita e krijimit të trupës, 63 vjet më parë.
Teatri profesionist, edhe ky në krizë aktorësh e pjesësh për të vënë në skenë, I pavlerësuar në festival të ndryshme që organizohen. Drejtor i Teatrit pranon vetëm shfaqje klienteliste, ku përmenden ajo e vëllait të Ministres së kulturës apo dhe shfaqja e fundit e një komedie e financuar nga një projekt, të cilat drejtori i ka për zemër. Në teatër ka aktorë që paguhen, edhe pse nuk jetojnë në Vlorë apo nuk marrin role në teatër, por janë të preferuarit e drejtorit. Ndërkohë, skena e teatrit rrezikon shembjen nga moment në moment si pasojë e lagështirës që ka krijuar gropa me ujëra të zeza që ndodhet poshtë skenës. Me probleme janë edhe aparaturat e fonisë e të ndriçimit, edhe pse për blerjen e tyre janë zhvilluar më shumë se dy herë tenderë. Skandali më i fundit i drejtorit të teatrit, artit e kulturës Dhimitrq Furxhi, është ai i pak ditëve më parë kur ka tentuar të godasë fizikisht aktorin e regjisorin e mirënjohur Jorgaq Tushe, vetëm pse ky i kërkoi firmosjen e një kontrate për një shfaqje që do trupa e teatrit do të jepte në Rumani. Vetëm ndërhyrja e aktorëve të tjerë ka shmangur goditjen ndaj aktorit, ndërkohë që drejtor Furxhiu e ka ofenduar atë me fjalorin më të ulët.
Në dy muzetë e qytetit, muzeun historik e etnografik, nuk ka stenda, nuk ka ndriçim, as ngrohje e deri as ujë në banjo, të cilat janë në kushte higjienike të mjerueshme.
Biblioteka e qytetit nuk ka salla të mirëfillta leximi, nuk ka ujë dhe banjat janë të mbushura me bidonë e bolierë që mbajnë ujin në raste nevoje.

Pallati i Kulturës është krejtësisht jashtë funksionit të tij dhe sallat e tij shërbejnë për mbledhje partish, këshilli bashkiak apo dhe aktivitete të tjera që jepen me qira nga drejtori. Salla e madhe e Pallatit të Kulturës është e amortizuar dhe çfarë bie jashtë bie brenda, duke rrezikuar dhe jetën e fëmijëve në rastet kur jepet ndonjë shfaqje nga Teatri i kukullave. Nuk flitet pastaj për ngrohje, ndriçim e stola për t’u ulur.
Në krye të 14 vjetëve në postin drejtues të teatrit e Artit e Kulturës në bashkisë e Vlorës, Furxhiu e konsideron veten të pazëvendësueshëm dhe deklaron me mburrje, se do të dalë në pension si drejtor. Flagrant është edhe fakti që familja e tij jeton e punon në Tiranë dhe drejtori Furxhi punon part-time në Vlorë dhe niset që të premten kthehet për të jetuar pranë familjes për t’u kthyer në Vlorë të hënën ose të martën.
Vetë aktorët e teatrit dhe artistët e qytetit shprehen me rezerva për menaxhimin që drejtori i bën artit e kulturës së Vlorës, por askush nuk e thotë me zë e me figurë, sepse drejtori është kunati i ministres dhe për këtë arsye është edhe i preferuari i kryetarit të bashkisë së Vlorës.

Rasti i Furxhiut në Vlorë është rasti tipik i abuzimit me pushtetin, i nepotizmit që nuk njeh kufij, i mosndryshimit të kuadrit, edhe pse problematikat janë të shumta dhe arti e kultura në Vlorë janë në krizë, jo për shkak të mungesës së vlerave e artistëve, por për shkak të faktit se një njeri që ka 14 vjet në drejtim nuk ka se çfarë të japë më.
Në numrat e ardhshëm do të publikojmë dhe shembuj të tjerë në lidhje me shkatërrimin që po i bëhet teatrit të Vlorës, Estradës, artit e kulturës në Vlorë.