Kumbaro, përgjigje për Robert Ndrenikën

670
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, i është përgjigjur me një letër të hapur aktorit të mirënjohur Robert Ndrenika, i cili kundërshtoi zhvendosjen e Teatrit Kombëtar. “Unë mendoj njësoj si ju që artistët dhe skena shqiptare e Teatrit, nuk mund të liheshin mbi 60 vjet në një godinë të ndërtuar për të rezistuar jo më shumë se 15 vjet, siç është ajo ngrehinë e ushtrisë musoliniane. Unë mendoj njësoj si ju me dhimbje se Teatri Kombëtar u la pa investim, pa rehabilitim për dekada, derisa degradimi i tij mbërriti në kufijtë e skajshëm saqë është i parikuperueshëm. Unë mendoj si ju sot se ne, të gjithë bashkë, kemi nevojë më shumë se kurrë për një skenë të re, për kushte të reja dhe të shëndetshme për aktorët, për auditor dinjitoz dhe shërbim cilësor për publikun, për teknologji bashkëkohore të skenës”, shprehet Kumbaro. Sipas saj, komuniteti i aktorëve dhe shoqëria jonë nuk duhej ta kishin lejuar që teatri të kthehej në lokal me tym lojërash fati e bingoje, që thithte klientë por jo artdashës. “Nuk di ç’mendoni ju për këtë i dashur Robert. Unë mendoj se komuniteti i aktorëve dhe shoqëria jonë duhej të kishte reaguar fort kur qeveria në vitin 2008-2009 vendosi të investojë rreth 6 milionë dollarë për të ndërtuar një teatër brenda Piramidës, dhe ku pasi shpenzoi gjysmën e kësaj shume e braktisi atë projekt për ta shkatërruar krejt piramidën në përfitim të një projekti tjetër për parlament, duke na lënë sot një ngrehinë të dëmtuar rëndë nga këto ndërhyrje dhe për çka duhen të paktën 20 milionë euro për ta rehabilituar e rifunksionalizuar. Nuk kujtoj që aktorët të kenë reaguar asokohe për paratë e groposura për dreq, gjynah! për të mos thënë kriminale!”, vlerësoi Kumbaro. Sipas ministres, komuniteti i aktorëve ka pasur të drejtë kur mërzitej ndonëse nuk u ngrit në protestë kur aktorët në Teatër Kombëtar dhe muzikantët në TOB emëroheshin pa kurrfarë konkursi, me një telefonatë politike nga lart, dhe kur aktorë të rinj nuk e arrinin dot skenën, ndonëse në Teatrin Kombëtar kishte jo pak aktorë që prej vitesh merrnin rrogën pa hipur një herë në skenë. “Mendoj se ishte shumë e trishtuar kur Teatri Kombëtar u katandis me 2 premiera në vit dhe me javë të tëra ku s’jepej asnjë shfaqje, por nuk kujtoj ndonjë protestë për këtë, ndonëse me shumë të drejtë të gjithë qaheshin nëpër kafene”, u shpreh Kumbaro.
Sigal