Kumbaro kundër Dakos: Shatërvani në qendër s’do të prishet!

541
Sigal

Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro ka dalë hapur kundër pretendimeve dhe projektit të Bashkisë së Durrësit, për të shkatërruar shatërvanin 85- vjeçar, që ndodhet në qendër të qytetit. Këshilli Kombëtar i Restaurimeve pranë MK, ka rrëzuar dje vendimin e Bashkisë së Durrësit për heqjen nga qendra e qytetit të shatërvanit , simbol i qytetit bregdetar. Një projekt i miratuar për rehabilitimin e sheshit “Liria” parashikonte heqjen prej aty të shatërvanit të 1929, i shpallur monument kulture qysh në vitin 1964. Meqenëse ky monument kulture mbrohet nga shteti, miratimi për lëvizjen e tij duhet të jepet nga Ministria e Kulturës. Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Restaurimit ka zgjatur pothuaj tri orë, dhe gjatë debateve shumica e specialistëve të monumenteve të kulturës kanë kundërshtuar zhvendosjen e objektit nga sheshi. Ata kanë vendosur t’i kërkojnë Bashkisë së Durrësit të ruajë objektin dhe memorien historike të qytetit. Debatet ishin konstruktive, por specialist e KKR vendosën t’i kërkojnë bashkisë të mos heqë prej aty shatërvanin 85 –vjeçar dhe pse ai nuk mund të integrohet edhe në projektin e ri për sheshin ‘Liria’. Modernizimi sheshit, nuk bashkëjeton me memorien historike, por shatërvani nuk duhet larguar. Mbledhjen e ardhshme të KKR-së do të diskutohet çështja, duke dëgjuar edhe palën e bashkisë, duke argumentuar se çështja nuk shtrohet për zhvendosjen e shatërvanit, pasi ai nuk është objekt që mund të vendoset kudo, pasi shkon me kontekstin ku gjendet. Heqja e shatërvanit të 1929 u kundërshtua me forcë në 2009, pasi ngjalli shumë reagime mes aktivistëve të trashëgimisë kulturore dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile. Edhe atë kohë u zhvillua një protestë kundër vendimit të Bashkisë së Durrësit dhe u kërkua ndërhyrja e Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, që drejtohej nga Ferdinand Xhaferaj. Shatërvani është ndërtuar në vitin 1930. Në vitin 1929 përfundoi së ndërtuari bashkia dhe një vit më pas u ndërtua shatërvani. Ai është në stilin e ndërtimeve të viteve 1920-1930. Shatërvani është pjesë e kompleksit të qendrës së Durrësit dhe Rrugës Tregtare. Shatërvani është një vepër e rrallë dhe simbol i qytetit të Durrësit, ndaj kjo vepër mund të ruhet dhe me një shesh të rindërtuar. Qytetarët e Durrësit dolën kundër zhvendosjes së shatërvanit, duke u bashkuar rreth tyre intelektualë, njohës të trashëgimisë kulturore shqiptare, sidomos në fushën e monumenteve, në mbrojtje të sajteve arkeologjike dhe monumenteve që rrezikonin dëmin nga vendime shtetërore, ose edhe nga dhunues të zakonshëm. Qytetarët e Durrësit kanë dalë kundër projektit të Bashkisë dhe kreut të saj, Dako për lëvizjen e shatërvanit, dhe kanë protestuar për 3 javë rresht. Pranë sheshit, ku ka nisur investimi i bashkisë qindra qytetarë bënë thirrje për nënshkrimin e peticionit dhe ndalimin e shkatërrimit të shatërvanit, të cilin e konsiderojnë një objekt historik. Peticioni i firmosur i ka shkuar Ministrisë së Kulturës. Artur AJAZI