“Kumari” jepet me koncesion, ja kriteret që duhet të përmbushë çdo ofertues

502
Sigal

Mbikëqyrja “online” e industrisë së kumarit do të kryhet nga një kompani private. Ministria e Financave ka çelur procedurat e tenderit dhe afati për dorëzimin e dosjes është deri në 12 janar të vitit të ardhshëm. Koncesioni do të jepet për 30 vite dhe tarifat për mbikëqyrjen ‘online’ të bizneseve të lojërave të fatit do të paguhen nga kompanitë që monitorohen.
Tenderi 
Sipas njoftimit, data përfundimtare e dorëzimit të ofertave do të jetë 12 janari i vitit të ardhshëm, ndërsa afati i kontratës është 30 vite. Më parë, qeveria ka përcaktuar edhe kriteret për kompanitë që lejohen të marrin pjesë në tender. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, shoqëritë që kërkojnë të marrin këtë shërbim duhet të plotësojnë disa kushte, si të mos jenë në proces falimentimi dhe ndaj kapitaleve të tyre të mos ketë proces ekzekutimi përmbarimor. Paralelisht, administratori i kompanisë fituese duhet të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykatat dhe nuk duhet të ketë detyrime tatimore të pashlyera. Në njoftim, Ministria e Financave ka bërë publike edhe kriteret se si do të zgjidhet kompania fituese. Sipas tyre, 30 për qind e pikëve do të varen nga kriteret profesionale, 40 për qind nga kriteret teknike dhe 30 për qind të tjera lidhen me ofertën financiare. Qeveria thotë se përmes kalimit tek privati të këtij shërbimi, ajo synon të realizojë një kontroll më të fortë të qarkullimit të parave në industrinë e bixhozit, me qëllim vjeljen e taksave dhe shmangien e evazionit fiskal.
Tarifa 
Tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licencuara të lojërave të fatit përmban vlerën fikse për çdo pajisje/lojë fati për mirëmbajtjen e sistemit, si dhe vlerën në përqindje mbi të ardhurat bruto nga lojërat e fatit për shlyerjen e investimit dhe për ngritjen e përditësimin e sistemit SQMO. Formula, e cila do të shërbejë për llogaritjen e tarifës, do të jetë pjesë e dokumenteve standarde të tenderit.
3. Tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licencuara të lojërave të fatit, e propozuar nga subjekti i shpallur fitues, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Kriteret
Kriteret administrativo-ligjore që duhet të përmbushë çdo kandidat/ofertues për t’u kualifikuar në procedurat e vlerësimit janë si më poshtë vijon: të mos jetë në proces falimentimi dhe kapitalet e tij të mos jenë në proces ekzekutimi nga përmbaruesit. Të mos jetë subjekt i procedurave për deklarimin e falimentimit dhe të mos ketë një urdhër likuidimi të detyruar ose administrimi nga gjykata, ose të mos ketë një marrëveshje me kreditorët, ose ndonjë procedurë tjetër të ngjashme. Të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra që lidhen me veprimtarinë profesionale. Të ketë përmbushur detyrimet për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës. Kandidati/ofertuesi i huaj duhet të vërtetojë se i plotëson të gjitha kërkesat e renditura më sipër. Nëse dokumentet e sipërpërmendura nuk i lëshohen në shtetin e origjinës, atëherë kandidati/ ofertuesi lejohet t’i paraqesë ato në formën e deklaratave me shkrim, nën përgjegjësinë e tij të plotë. Çdo e dhënë e deklaruar dhe që rezulton e rreme përbën një kusht të mjaftueshëm për të skualifikuar aplikantin.