Kulla e TEC-it, e vetmja shenjë e mbetur e industrisë së naftës në Kuçovë

1470
Sigal

NOSTALGJI/ Flet për “Telegraf”, ish -drejtuesi i ish-Uzinës së Përpunimit të Naftës, Hekuran Rrogu

Shenjë e vetme që ka mbetur nga industria e naftës në qytetin e Kuçovës është kulla që ndodhet në mes të qytetit të naftëtarëve. Kjo kullë sot, tregon gjurmët e ndërtimeve të industrisë së naftës pasi ishte e vetmja që furnizonte uzinat me avull, që çlirohej nga TEC-i gjigand, ku aktualisht sot ka mbetur një gërmadhë, pasi të gjitha pajisjet dhe makineritë që ishin me përbërje bakri  u çmontuan dhe më pas u shiten nga firma të ndryshme për skrap në Metalurgjikun e Elbasanit. Naftëtarët nostalgjikë, që kanë punuar një jetë të tërë në këtë industri nxjerrin mallin vetëm me kullën, se të tjerat nuk u gjendet asnjë gjurmë, pasi të gjitha u vodhën dhe më pas për të humbur gjurmët u shkatërruan nga themelet në vitet e trazirave të ‘97-ës. Por edhe një pjesë tjetër u la sa u degraduan dhe i blenë një grusht njerëzish. E vetmja ndërmarrje që i shpëtoi vjedhjeve dhe shkatërrimeve kanë qenë vetëm dy ndërmarrje, ajo e Uzinës Mekanike e Naftës dhe Prodhimi i Naftës që u ruajtën nga vetë punëtorët dhe drejtuesit e këtyre  ndërmarrjeve.

Shkatërrimi

Ndërsa 10 ndërmarrje të tjera pushuan së ekzistuari, ku qindra punonjës u hodhën në rrugë edhe pse ishin armata më e vjetër e naftës në këtë qytet. Uzina e Përpunimit të Naftës që punonin 450 punëtorë nuk ekzistojnë as themelet. Madje, edhe tullat e ndërtesave të laboratorit kimik u vodhën dhe më pas u përdorën për ndërtime shtëpie. Në një kohë që këto tulla në përbërje të tyre mbartin një rrezik të madhe pasi kanë lëndë kimike të laboratorëve. Sipas specialistëve mësohet se, këto tulla çlirojnë gjatë kohës lëndët kimike që kanë marrë gjatë punimeve që kryheshin në laboratorët e kësaj ndërmarrjeje. Naftëtarët veteranë shprehen se, tashmë vetëm një objekt ka mbetur që tregon se këtu ka patur një industri nafte dhe që kryheshin përpunimi i naftës duke dërguar avullin nga TEC-i me tubacione në Uzinën e Përpunimit të Naftës, e cila nga përpunimi i naftës bruto prodhonte nën produktet me cilësi të lartë europiane si benzina, graso, vajra të markave të ndryshme dhe shumë nën produkte të tjerë të rëndësishme.

Reagimi

Naftëtari veteran dhe ish -drejtuesi i ish-Uzinës së Përpunimit të Naftës, Hekuran Rrogu, 80 vjeç shprehet për gazetën: “Ne sot ngushëllohemi kur shikojmë të vetmen “nishan” të naftës që ka mbetur dhe që është kulla e TEC- it, e cila ndodhet në mes të qytetit. Ndërsa “nishane” të tjera përveç Uzinës Mekanike të Naftës dhe ndërmarrjes së Prodhimit të Naftës nuk kanë mbetur më. Është një krim i madh, të shesësh një thesar siç ishte TEC-i. Ai ishte gjaku dhe djersa e këtij populli që punuan një jetë të tërë, por ja që vijnë këto ditë dhe pajisjet apo makineritë shiten nga një grusht njerëzish pa gjë të keqe në mes të ditës. S’e di kur i iku koha këtij TEC-i gjigand që prej një kohe të gjatë mbajti me prodhimin e energjisë Kombinatin Tekstil të Beratit, Industrinë e Naftës në Kuçovë, Kombinatin Ushtarak të Poliçanit dhe furnizoi me energji të gjithë Qarkun e Beratit dhe më gjerë. Tashmë ky TEC ka mbetur vetëm një gërmadhë, që kur kalon pranë tij të fut tmerrin”, tha Rrogu.