Kukës, Shoqëria Civile në protestë: Po shkatërrohet parku me pisha

155
Anëtarë të Shoqërisë Civile në Kukës kanë protestuar ndaj shkatërrimit të hapësirave të gjelbëruara nga zbatimi i projektit që parashikon rehabilitimin urban të qendrës, fasadave, ndriçimit dhe lulishtes, projekt që ka nisur së zbatuari ditët e fundit.
Protestuesit kanë deklaruar se pemët që nuk janë më shumë se 15 vjeçare, nuk duhen prerë, por spostuar për tu mbjellë diku tjetër. ata shtojnë se nëse nuk ndalet shkatërrimi i parkut do të përshkallëzojnë veprimet e tyre duke njoftuar edhe Komisionin Europian, me qëllim që projekti të rishqyrtohet.
Përfaqësues të shoqërisë civile: “Jemi këtu për të mbështetur parkun që mos të pritet asnjë pemë e vetme. Kërkojmë transparencësepse janë anashkaluar dhe kërkojmë të mbrojmë çdo jetë në këtë park sepse pema është një jetë, është parku i vetëm pa u cënuar, prandaj asnjë metër nuk duhet të preket”.
Aksioni qytetar i nisur nuk është kundër ndërtimit dhe rehabilitimit të qendrës urbane, por është kundër tjetërsimit të parkut dhe prerjen e pemëve.
Përfaqësues të shoqërisë civile kanë kërkuar që të ulen në tryezën e bisedimeve për të bërë të mundura disa ndryshime në projekt, duke synuar mosprerjen e pemëve, mosngushtimin e aprkut, rrugicave etj. Projekti për rehabilitimin e sheshit është financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit të Rajoneve dhe kap vlerën e 2 milion dollarëve.