Kujtimet për Babë Myslymin dhe Konferencën e Pezës

2976
Nga Xheladin ÇELMETA

Vijon nga numri i kaluar
INTERVISTA/ Flet Gani Peza, oficeri personal i Myslym Pezës, që shërbeu 24 vjet pranë Heroit 
“Myslym Peza kishte cilësitë më të mira të një udhëheqësi popullor: mjaft i vendosur, i pa kompromentueshëm, guximtar, kurajoz, i aftë për të zgjidhur edhe situatat më të vështira në luftë”. Gani Peza, oficeri shoqërues i heroit për dy dekada e ca pranë tij, vazhdon rrëfimin e tij për gazetën “Telegraf” dhe jep me imtësi momentet e vështira që ka kapërxyer Çeta e Pezës, dhe kjo; në saje të aftësive të rralla luftarake të Babë Myslymit. 

Çfarë ndodhi më pas me çetën e Pezës? 
-Çfarë pati për të bërë, e bëri Qemal Deliallisi. Ai iku nga çeta, madje vetë i katërt. Dhe u vendos tek “4 Rrugët e Shijakut”. Por, duke mos qenë i rregullt as me vetë jetën e tij personale, në komunitetin ku banonte, dimë që ai atëherë është denoncuar tek një post-komandë aty, nga një grua. Dhe pastaj aty për aty ai është rrethuar nga forcat italiane dhe aty u vra. Gjërat duhen thënë ashtu siç kanë ndodhur. Qemal Deliallisi nuk është vrarë duke luftuar për Shqipërinë, por për hesape të veta, për punë jo të pastra. Kurse dy vëllezërit e tjerë të Qemal Deliallisit; Murat Deliallisi dhe Enver Deliallisi ishin patriotë. Se ata erdhën partizanë në njësitin e Pezës dhe luftuan si patriotë e luftëtarë të vërtetë. Për këta burra, duhen thënë fjalët më të mira, se luftuan si trima. Por jo për Qemalin, vëllanë e tyre. Duhet bërë ndryshimi mes atyre që kanë kontribuar për Luftën dhe atyre që i bënë bisht asaj, aq më keq akoma, duke u bërë bashkëpunëtorë të kuislingëve e fashistëve. Se e di ç’ndodhi më pas? Shumë vite më vonë pas Çlirimit përmes deklaratave është tentuar në komisionin shtetëror të statusit të dëshmorit që Qemal Deliallisi të quhej “dëshmor”(!). E lajmërojnë Babë Myslymin dhe i thonë “kështu e ashtu” për këtë rast. E mbaj mend si tani, se isha oficer shoqërues i tij. Më kujtohet, që ka qenë ditë e hënë pasdite dhe makinat e eskortës qeveritare u nisën për në Durrës. Sapo mbërrijmë atje, vjen Rita Marko. Babë Myslymi shkon menjëherë tek zyra ku ishte Sali Verdha, një figurë e shquar e Luftës dhe me funksione të larta pas çlirimit. Më pyet Rita Marko: “Ku është Myslymi?”. I tregova me dorë zyrën ku ishte Baba me Sali Verdhën. “Eja, më shoqëro”, më tha Rita. Ka qenë një takim rreth një orë. Babë Myslymi iu tregoi me detaje gjithë historinë e Qemal Deliallisit. Myslim Peza ishte i prerë në arsyetimin e tij. “Ai ka tradhtuar luftën, ka tradhtuar çetën e Pezës. Dhe tradhtarët nuk bëhen dëshmorë”. Kaq tha Baba. Dhe këtë gjë e ka thënë edhe më pas kur vinte në përvjetorët e Konferencës së Pezës. Madje Baba, pas lufte, ka kritikuar edhe një ish partizan shumë të mirë, Sherbet Harizin, por edhe djalin e tij Skënder Pezën, të cilët, po ashtu kishin lëshuar deklarata për ta bërë “dëshmor” Qemal Deliallisin. “Tradhtari nuk mund të quhet dëshmor, asnjëherë”, tha prerë Myslym Peza atëhere. 

E gjithë familja e Myslym Pezës, pjesëtare në luftë; një koment për këtë fakt?
-Po, të gjithë pjestarët e familjes Peza kanë qenë efektivisht pjesëtarë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Po jo vetëm familja Peza. Në të gjitha shtëpitë e Pezës njerëzit u angazhuan të gjithë në luftë. Por meqë po pyesni për rastin konkret, për familjen tonë, po pohoj që ishin të gjithë të angazhuar me Luftën. Të gjithë pa përjashtim. Dhe të veshur me rrobe partizane. Por nuk kishte shumë rëndësi uniforma; rëndësi kishte angazhimi i të gjithëve; burra e gra të familjes. Dija, Zenepja, apo Myrvetja që u vra më pas bashkë me të fejuarin, Kajo Karafilin në luftën e Lis Patrosit më 10 janar 1944. Ishin gra luftëtare me pushkë në dorë, direkt në front. Por edhe gratë e tjera të familjeve të tjera pezake luanin rol të madh në luftë; ato ishin shumë të rëndësishme në prapavijë. Ato gatuanin, ato lanin e qepnin rroba për luftëtarët në front dhe kjo ishte një punë e njëjtë me atë të llogores së luftës. Madje, unë vetë gjykoj se ka qenë e padrejtë që dikur pas lufte, u jepej 1000 lekëshi i shpërblimit vetëm burrave që kishin qenë me armë në dorë dhe jo grave që nuk kishin qenë me armë në dorë. Jo, edhe ato gra punëtore të mëdha, që nuk u lodhën kurrë e që nuk u ankuan kurrë, edhe pse i shërbyen me gjithë forcat e tyre luftës, duhej të shpërbleheshin. Mendo, që në shtëpinë tonë të madhe, hynin e dilnin 150-200 burra, luftëtarë që shpesh strehoheshin aty, e normalisht edhe hanin e pinin. Dhe ato gra heroina shërbyen pa ndërprerje, duke demonstruar fisnikërinë më të lartë të mikpritjes shqiptare. Pa përmendur tjetrën, që kur ndodhnin plaçkitjet nëpër shtëpi nga italianët, sidomos kur dyshonin se mos ishin strehuar partizanë, ato përmbysnin gjithë plaçkën e shtëpisë. Dhe ishin përsëri gratë ato që me duart e tyre, rivendosnin sërish situatën aty, me shumë mundime e lodhje. 

Dalim te Konferenca e Pezës, 16 shtator 1942. Kush e garantonte sigurinë dhe ruajtjen e pjesëmarrësve të Konferencës ato ditë? 
-Çeta e Pezës ishte e ngarkuar me këtë detyrë të vështirë luftarake. Siç dihet, Enver Hoxha takoi Myslym Pezën në Tiranë dhe bisedoi për punën e Konferencës. “Duam të bëjmë një mbledhje me rëndësi të madhe për kombin tonë”, i tha Enveri. “Babë; a na siguron neve që këtë mbledhje ta bëjmë në Pezë?”. Myslymi ishte zhytur në mendime në ato momente. “Fillimisht, tha Myslymi, mendova t’i çoj në Fjollje, meqë ishte vend i fshehur”. Por, atje nuk kishte kushte. Kushtet më të mira logjistike ishin pikërisht te shtëpia jonë; e Myslymit e Shyqyriut. Me tavane të mira, por dhe me shtresë e mbulesë. Do vinin miq nga Tirana për të mbështetur Luftën. Ishin dy shtëpi dhe kishin kapacitete për të mbajtur shumë vetë. U tha, u bë! Myslym Peza, e miraton kërkesën e Enverit dhe e garanton se gjithçka do shkojë mirë. Dhe ngarkon çetën për ruajtjen e sigurinë e punimeve. Se konferenca ka zgjatur rreth 10 ditë. Caktohen pikat dhe grupet e vrojtimit me partizanë; njëra në kodrën afër lagjes Çiflig. Tjetra në kodrën përballë, në anën tjetër të lumit; në Kasibre. Po ashtu 10 partizanë në Kodrën e Zgurjes; 10 partizanë në Kodrën e Postës; 10 partizanë të tjerë, po kaq edhe edhe në Qafë-Shkozë, në Bazharr, etj. Ҫeta e Pezës e kishte mbuluar kështu me vrojtim të gjithë zonën përqark shtëpisë ku zhvillohej Konferenca e Pezës. Duhet thënë që në këto moment Çeta e Pezës ishte rritur e forcuar shumë; ajo kishte mbi 300 luftëtarë në përbërje. Si komandant i grupit të luftëtarëve të çetës që do merrej me ruajtjen e Konferencës u caktua trimi i paepur Kajo Karafili. Kështu, luftëtarët e caktuar për ruajtjen e saj rrinin në pozicione natë e ditë aty; aty iu ҫohej ushqimi, aty edhe dremisnin sado pak me radhë. Babë Myslymi tregonte se këto masa u morën në mënyrë perfekt qysh tre-katër ditë para konferencës dhe po ashtu edhe 3-4 ditë më pas konferencës masat vazhduan. Dhe asnjë partizan nuk lëvizi nga pozicioni në ato kohë, përveç Nako Spiros, që iku në qejfin e vet, duke thyer disiplinën e Luftës. Këtu çeta tregoi aftësi të mrekullueshme mbrojtëse dhe kompaktësie. 

Pjesëmarrësit në Konferencën e Pezës
Pjesëmarrësit vinin nga rryma të ndryshme politike. Ndërmjet tyre ishin: Abaz Kupi, Aziz Çami, Halim Begeja, Haxhi Lleshi, Ismail Petrela, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Skënder Jegeni, Skënder Muço. Nga PKSh morën pjesë Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini. Kryetar i konferencës u zgjodh Ndoc Çoba dhe sekretar Mustafa Gjinishi.

Ja platforma e Konferencës së Pezës: 
1 – Luftë pa kompromis kundër pushtuesve fashistë dhe tradhtarëve, për një Shqipëri të lirë, të pavarur dhe demokratike.
2 – Organizimi i të gjithë shqiptarëve në një Front për çlirimin Kombëtar, pa dallim feje, klase, bindje politike e krahine.
3 – Këshillat nacionalçlirimtarë të ngriheshin kudo si organe të bashkimit e të mobilizimit të popullit me luftë dhe si organe të pushtetit popullor.
4 – Kryengritja popullore e armatosur duhej të popullarizohej e të përgatitej për fazën e saj të fundit, si rrjedhojë logjike të luftës partizane.
Reformat shoqërore nuk përmendeshin me synim që kjo platformë të mbështetej nga masat popullore.
(vijon)
Sigal