Kujtimet e internimit të Simon Mirakajt

590
Sigal

Historia e
dhimbshme e të përndjekurve dhe qëndrimi jo human i diktaturës komuniste


Simon Mirakaj:
20 Gusht 1983, koha kur nuk na lejohej të merrnim pjesë në varrime!


Gazeta Telegraf/



Atë ditë të nxehtë Gushti po punoja në hapje kanali.
Kanali shkonte deri në dy metra thellësi. Puna ishte e rëndë, por paguheshe
mirë. Djersët kishin mbuluar gjithë trupin. Nga ora dhjetë filluan gjunjët të
dridhen, çaji i mëngjesit nuk të mbante. Nuk e zgjata, ngula lopatën e dola në
krye drejtë e te çanta e bukës. U ula e fillova të ha pak bukë me gjizë, lashë
edhe ca për drekë. Mbylla çantën e ju drejtova bidonit me ujë. Bidoni ishte
nxehur ,ishte në mes të diellit që të përvëlonte! S’kishte hije ku ta vendosje.
Fillova të pi ujë të valuar. Barku mu bë daulle nga uji kur ngrita bidonin për
të pirë pashë që po vinte drejt meje Bilbili. Kishte hedhur lopatën krahëve e
po ecte kokë ulur… Qëndrova në këmbë, kur u afrua ju drejtova:

       
Çfarë ke Bilbil je sëmurë? Ai ngriti
kokën e me lot në sy më tha:

       
Jo nuk jam i sëmurë, por ka vdek lala
Tasim.

U trondita dhe unë nga ky lajm i hidhur.

– Mos u mërzit, kështu e ka jeta, me zor i nxora
këto fjalë. – Prit dy minuta sa të vesh pantallonat e po ikim bashkë. U vesha
mora lopatën e çantën e bukës e ashtu në heshtje po ecnim duke sjellë në
kujtesë Tasimin. Tasimi kishte mbaruar studimet në Itali, mbas çlirimit ishte
arrestuar si shumë intelektualë. Kishte bërë disa vjet burg në famëkeqin burg
të Burrelit. Mbas burgut ishte internuar në Savër. Ai ishte simboli i
qëndresës, i ndershmërisë, i trimërisë e i mençurisë. Njeri me një kurajë të
jashtëzakonshme. Për ne më të rinjtë ë asaj kohe, ishte burim frymëzimi. Vinte
shpesh në Gjazë te Ismaili kushëriri i tij që ishte një tjetër njeri fisnik i
fisit të Spahive të Kolesjanit. Shpesh rrugën për në Gjaze, nga Savra ku
jetonte e bënte në këmbë. Operativi i kishte porositur që makinat apo karrocat
që vinin në Gjazë të mos e merrnin. Sa herë që vinte për vizitë dhe te ne, na
mbushte me optimizëm. – Ju mos u mërzitni se ka mundësi që ju ta shihni
Shqipnin e Lirë, prandaj kurajë. – Ky ishte ushqimi ma i mirë për ne. Kur
mbërrita në shtëpi, gjeta dhe Sokolin vëllain tim. – Si t’ia bëjmë – më tha dhe
vazhdoi – më duket se e pashë operativin në zonë. Të shkojmë e t’i kërkojmë
leje nja dy-tre orë sa të mbarojë ceremonia e varrimit. Dolëm nga shtëpia dhe
operativi Pëllumbi po qëndronte te caku ku bënim apelin.

       
Mirdita – ju drejtua Sokoli duke
vazhduar – Ju lutem a mund të na jepni leje që të marrim pjesë në varrimin e
Tasim Spahisë në Savër?

         
Jo nuk ka leje. Leje ka vetëm kur të vdesë
nëna dhe babai.

         
Ne na kishin vdekur
prindërit. Për ne nuk kishte më leje. Kur u larguam, Sokoli më tha se këta nuk
janë njerëz, nuk kanë asgjë të përbashkët me njeriun. Ne u larguam duke iu
lutur Zotit që të prehet në paqe Tahsim Spahija. Këtyre burrave të mëdhenj do t’u
jemi mirënjohës për jetë, sepse luajtën një rol të rëndësishëm në formimin e
karakterit tonë.