Kujtime për të madhin Dritëro

1065
Gaqo VESHI
Kur nuk e ke më pranë mikun e shokun e shtrenjtë, të madhin e të paharruarin Dritëro Agolli, pas 68 vjet shoqëri e miqësi të pandarë, kujtimet për të, vijnë e s’të ndahen orë e çast. Të duket se do takosh këtu e atje e do të përshëndetë si ngaherë me atë shikimin dashamirës e buzëqeshjen e ëmbël:

-E more Hyskë (pseudonimi im letrar) si të kam?!
I madhi Dritëro, nuk ishte Enveri i letërsisë, si duan ta etiketojnë disa lapangjozë, tani që ai sapo ka ndërruar jetë. Ishte njeriu me zëmër të madhe, poeti e shkrimtari i drejtësisë dhe i mirësisë, njeriu, jo vetëm me talent të rrallë, që dinte t’i çmonte njerëzit. Kur ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, thirri dhe mori aty për të kontribuar në shtypin e Lidhjes ngërzit e talentuar e të zotë. Zija Çelën nga Kukësi, Bardhyl London nga Përmeti, të ndjerin Teodor Laço nga Korça apo të paharruarin e talentuar Ndoc Gjetjen nga Lezha për të drejtuar revistën “Skena dhe Ekrani”.

Një jetë të tërë me të, kujtimet janë të shumta, që në bankat e gjimnazit “Asim Zeneli’ e në tavolinat e fjetoret e konviktit në Gjirokastër e deri kur ai u nda nga jeta 

Gjatë shoqërisë e miqësisë së gjatë me të vetëm dy herë e kam parë të inatosur së tepërmi, kur shihte që bëheshin padrejtësi.

Kur ishim nxënës në konviktin e gjimnazit në Gjirokastër, në vitin e dytë të shkollës, më 1950, drejtoria e konviktit vendosi t’u bënte rroba të reja konviktorëve. Nga kjo “reformë” përjashtoheshim unë, Dritëroi e disa të tjerë që vinin të veshur e të mbathur mirë në shkollë, ndërsa kishte disa, si një farë Çeçoje që në vend të këpucëve përdorte nallanet. Dritëroi u inatos, jo për veten e tij, por për ne të tjerët dhe, si anëtar i këshillit të konviktit, i tha drejtorit:

-Mos i shikoni nxënësit nga veshja, se xha Jani, babai i Gaqos dhe xha Rizaj, babaj im, si dhe prindërit e këtyre të tjerëve, që i përjashtuat nga “reforma e rrobave” e heqin bukën nga goja për të na veshur e mbathur, që të mos dukemi në shkollë si dordolecë. Pse nuk kërkoni të dhëna të sakta për ekonominë e prindërve tanë nga rrethet që vijmë ne?!

Fjala e tij zuri vend. Kur drejtoria e konviktit kërkoi të dhënat ekonomike të familjeve të konviktorëve, doli se Dritëroi, unë e disa të tjerë, e kishim ekonominë familjare më të dobët. Kurse familja e Çeços, që s’kishte këpucë por nallane, kishte 300 kokë dhen. Kjo bëri që edhe ne të “përjashtuarit” nga “reforma e veshjes”, të na çonin në rrobaqepësi, madje për Dritëronë shpejtuan, pasi atë vit, kishte fituar çmimin në konkursin letrar të shpallur nga Komiteti Qendror i Rinisë dhe duhet të vinte në Tiranë për ta marrë çmimin me kostum të ri. Me sa më kujtohet vjersha e tij mbante titullin “Gjaku i Kulluar” dhe bënte fjalë për betejat në Luftën Nacionalçlirimtare dhe dëshmorët e saj. Ajo ishte e gjatë e fillonte me këto vargje:

Rreth kasolles së vetmuar, po frynte era me tërbim,
Ngre dëborën e pashkelur, përmbi mure e përplas.
Dhe çatia vrima vrima seç gjëmon e uturin.
I madh dimër ka pllakosur gjith’ dëborë e erë pas.
Edhe brenda në kasolle, mbi një thes me lecka qepur
Po rri shtrirë i përgjakur, trup’ i njomë i një djali.
Shtrat ka thesin me xhunga dhe jastëk për të mbështetur
Gjuri nënës është bërë, Fryn prapë era që nga mali!
-Bir, po kush të ka qëlluar, kush kaq rëndë të goditi,
Bir, iu thaftë ajo dorë dhe i rëntë copa copa.
Mos e trettë kurrë gropa!
Kraharori i nënës plakë me ngadalë fjalët qiti,
Nga qepalla pik’ e lotit seç ju var më tatëpjetë
Dhe e mbushur me urrejtje, porsi rruzull vetëtiti.
Po furtuna e marrosur, rreh kasollen si të shkretë.
Vjersha ishte gjatë dhe përfundonte me vargjet:
Tatëpjetë që nga mali, erdhën shokët dhe e panë,
Ai sytë i kishte mbyllur dhe ata i rrinin pranë.
Dhe pastaj një varr i bënë, sipër kodrës me dëborë
Dimër ishte, lule s’kishte, që t’i thurnin një kurorë
Po një yll të kuq si gjaku, seç i vunë djalit trim,
As fishekë s’kishin shumë,që t’i zbraznin në varrim. 
Një rast tjetër ka ndodhur kur ishim të dy në Korçë. Në një dyqan, ku tregtohej buka, një fshatar me trastë në sup i lutej shitëses t’i jepte një bukë 
-S’ka bukë për ju fshatarët! Kemi urdhër nga drejtoria!- i foli ashpër shitësja.
Aty pashë Dritëronë që s’e mbajti dot veten dhe iu kthye shitëses:

-Moj buzëkuqe, që i ke llangosur buzët vesh më vesh. Mos kërkon, që kur fshatari zbret në qytet për ndonjë hall, ta marrë bukën në trastë?! Bukën që ha ti, drejtori yt, unë dhe ky miku im e shumë të tjerë si ne, nuk e prodhon drejtori në zyrë e ti në dyqan, por ky fshatar me shokët e tij.

Pas mbarimit të shkollës së mesme Dritëroi shkoi për studime në Leningrad (Shën Petersburgu i sotëm) të ish-Bashkimit Sovjetik, ndërsa unë në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë. Edhe pse ishim shumë kilometra larg me njëri tjetrin, nuk e harruam miqësinë tonë. Nga larg Dritëroi do më dërgonte letra të mbushura me humor. Në njërën prej tyre më tregonte se kishte parë në cirk që majmunët ngisnin motoçikletat. Kurse ti- më thoshte ai,- nuk e nget mirë edhe biçikletën e rrëzohesh kur dikush të thërret, po vërtitet rrota me gjithë tela. Në një letër tjetër të mbushur me plot qyfyre më kishte futur brenda dhe një fotografi, ku pozonte me dy vajza, njëra ruse e tjetra gjermane. Prapa saj më shkruante: “Eh, more Ush (Vesh, rusisht), më shikon mua me dy dama, kurse ti s’ke asnjë!?” Në Institut, në fakultetin e e gjuhë-letërsisë, ku bëja pjesë unë, ishin dymbëdhjetë vajza dhe vetëm dy djem, unë dhe Niko Dhima. Kur vajzat e fakultetit panë fotografinë e mikut tim Dritëro, në mes të dy vajzave, u mblodhën të dymbëdhjeta, më futën mua në mes tyre, thirrën një fotograf që na fotografoi. Foton ia nisa mikut tim me diçiturën nga prapa: “Ti me dy e unë me dymbëdhjetë!”

Pas kthimit të tij nga studimet do takoheshim përsëri si miq të vjetër. Sa herë vija nga fshati im apo nga Maliqi në Tiranë, të parin që doja të takoja ishte miku im, Dritëro. Nëse s’e gjeja në zyrë, frymën do ta mbaja në shtëpinë e tij hanedane e mikpritëse, ku do më priste me krahë hapur, nëna e tij e veçantë, e ndjera Hatixhe, e mira Sadije, bashkëshortja dhe fëmijët e tij, që te Elona e me radhë. Shtëpia e tij rrallë herë mund të ishte pa miq, jo vetëm nga vendi ynë, por edhe të huaj. Një nga miqtë e tij ishte edhe shkrimtari i madh turk, Azis Nesimi. Kur revista jonë “Hosteni” e ftoi humoristin e satirikun e rrallë në Tiranë, vendosëm ta prisnim në një lokal në parkun e madh të kryeqytetit. Azis Nesimi erdhi bashkë me Dritëronë, pasi kishin bërë një vizitë në Krujë. Gjatë darkës Dritëroi ngriti një dolli për të, duke i thënë:

-Asis bej, dy sulltanë të mëdhenj të Turqisë, me ushtri të madhe e armatime të rënda, nuk hynë dot në Krujë, ndërsa ti me armën e humorit e të satirës e “pushtove” kryeqendrën e Skënderbeut!

Dritëroi kishte miqësi me Azis Nesimin. Ky i fundit e kishte ftuar në Stamboll disa herë. Dritëroi më tregonte, kur ishin ulur në një lokal për të pirë çaj, një burrë i bëshëm i thoshte shkrimtarit:

-Më fal Azis bej!
Këtë “më fal” s’e thoshte njëherë e dy, por disa herë me radhë aq sa po na mërziste.
-Pse të kërkon falje me kaq këmbëngulje? – e kishte pyetur Dritëroi Aziz Nesimin.
-Kur isha në burg, ky ishte gardiani që më ka torturuar më shumë! -i qe përgjigjur ai.

Miqësia jonë vazhdoi për 68 vjet me radhë, deri sa ai ma bëri me të pabesë. Edhe pse ishte një vit më i vogël se unë, “nxitoi” e shkoi më parë në banesën e përjetshme..

Me Dritëro Agollin kemi qenë të pandarë, në ditë të mira e të këqija. Ndoshta është rasti unikal që në gazetarinë e shkruar e letërsinë shqipe do të përdornim letërkëmbimet tona, Bamkë Çomaga (Drtëro Agolli) e Hyskë Borobojka (Gaqo Veshi) i shkruajnë njëri tjetrit faqe të tëra letrash me humor e satirë për probleme të ndryshme negative që i hasnin në shoqërinë e shtetin shqiptar. Dhe këto letra e fejtone do të gjenin hapësira botimi në gazetat e revistat e kohës. Ato janë të shumta, por po përmend vetëm disa. Në gazetën “Drita” më 1968 Bamkë Çomaga i shkruan Hyskë Borobojkës se ç’kishte hequr e si ishte torturuar një krijim i tij në Shtëpinë Botuese nga redaktorët e paaftë e kallëpsëzë, duke ia kthyer me një sërë vërejtjesh e me shënimin “Vepra juaj duhet ndrequr”. Hyska i përgjigjet nga faqet e revistës “Hosteni”, se si ishte katandisur një skeç i tij në trupën e estradës, aq sa kur u shfaq në skenë, autori i tij, Hyska i gjorë s’e njohu fare, ishte apo s’ishte pjella e mendjes së tij. Në mesin e vitit 1971, Banka i dërgon Hyskës një letër në faqet e revistës “Hosteni”, ku i rrëfen mikut të tij se ç’ka hequr në Agjencinë e Riparim Shërbimeve ne Tiranë, kur Lulushja çoi kostumin e tij për pastrim. Kostumi e tij në vend të pastrohej u katandis në atë ditë aq sa Bamka të mos i shëmbëllente vetes Në faqet e të njëjtës reviste, Hyska i përgjigjet se ç’ka hequr e sa është lodhur në dyqanet e rrobave të gatshme për të siguruar një kostum për shtatin e tij, që të vinte te Bamka me kostum të ri, për t’i uruar Vitin e Ri. Bamkë Çomaga i shkruan Hyskë Borobojkës në faqet e revistës “Hosteni” duke i shprehur dëshirën për të shkruar vjersha liriko-satirike e për t’i botuar në revistën “Hosteni” në të hyrë të Vitit të Ri. Ndërsa Hyska i përgjigjet në faqet e gazetës “Drita”, duke i dhënë mikut të tij disa këshilla të urta për mbarëvajtjen e kopshteve të poezisë. 

Letërkëmbimi në shtyp ndërmjet meje dhe të paharruarit Dritëro Agolli vazhdoi ndër vite. Dhe brenda tyre do të mbeten ata nxënës gazmorë e hokatarë, autorë të “Revolucionit të preshit e lakrës” në Konviktin e shkollës së mesme “Asim Zeneli” në Gjirokastër, ashtu si do të thoshte miku im i madh, Dritëro Agolli në vjershën “Pjepri, që më dërgonte, kur ne ishim bërë dyzet vjeçarë;

Erë e jonxhës vjen nga ara,
Erë e jonxhës aq e mirë,
Dhe në fushën lara lara,
Prehet pjepri i arrirë
Ne t ë dy sa kemi zbritur
Nga kolltukët e veturës, 
Pimë filtër të mërzitur, 
Pimë NISH- cigare Durrës.
Ne t ë dy sa kemi ardhur,
Ku lëruan gjyshërit tanë, 
Koha flokët na ka zbardhur
Dhe mbi supe na vu dhjamë. 
Koha shefa na ka bërë, 
Shefa të ashpër e të mirë, 
Por servilë na ka lënë,
Ndaj një pjepri të arrirë.
Dhe i flakim republikat,
Çajme kallëzat e thekrit. 
Dhe nga xhepat nxjerrim thikat,
I përulemi xha pjeprit.

Në 55-vjetorin e mbarimit të shkollës së mesme “Asim Zeneli” në Gjirokastër, do të mblidheshin edhe një herë si dikur, shokët e shoqet vjetër, Dritëro Agolli bashkë me “Lulushen” (Sadijen) unë me “Nafijen (Antonetën), Hulusi Hako, Mevlan Kabo, Harito Fanilo me Rozën, Selfo Kuka, Niko Ligori, Eli Karalliu, Nebo Kokona e ndonjë tjetër që tani s’më bie ndërmend,, për t’u çmallur e për të kujtuar vitet e bukura të shkollës së mesme.

Sigal