Kujtime nga luftimet e Brigades së Pestë gjatë operacionit gjerman të qershorit 1944

746
Abaz T. Hoxha

21 Janari, 74-vjetori i inaugurimit të Brigadës së Pestë “Heroinë e Popullit”
Natën e 6 qershorit/1944/ të gjitha forcat partizane zunë në luftë e sipër të gjithë sektorët e caktuar. Forcat tona nuk e pritën armikun të afrohej por filluan menjëherë të kundërsulmonin në mënyrë të befasishme kundër një force të madhe gjermane të divizionit 297 të përforcuar me të gjitha llojet e armëve. Drejtimin e kësaj ofensive gjermanët ia ngarkuan gjeneralit Loher, i cili grumbulloi për këtë qëllim forcat e Korpusit të 21-të dhe 22-të. Edhe bashkëpuntorët e tij, forcat reaksionare dhe mercenare vendase, grumbulluan për këtë ofensivë disa mijëra mercenarë që vepronin në bashkëveprim me gjermanët Kjo ishte përleshja më e madhe dhe më e ashpëra në historinë e rrugës luftarake të brigadës së pestë dhe veçanërisht të batalionit të parë dhe të tretë që ishin në qëndër të sulmit gjerman. Kjo ishte edhe pjesëmarrja ime e parë në luftë kundër trupave pushtuese. Gjermanët bënë një rezistencë të egër në një terren gjysmë pyjor duke kaluar edhe në përleshje trup me trup në disa sektorë të batalionit të parë kur partizanët e tij kishin ecur aq përpara sa që ishin përzier me formacionet luftarake të armikut. Në sajë të kësaj rezistence të vendosur gjermanët u detyruan të tërhiqen në drejtim të Moglicës. Më 7 qershor komanda gjermane duke futur në luftim forca të reja të mbështetura edhe nga zjarri i fuqishëm dhe i përqëndruar i artilerisë bëri përpjekje të reja për të çarë përpara në drejtim të Qafës së Gjarpërit dhe Gurit të Prerë. Më në fund armiku arrijti të avancojë me shumë ngadalësi në drejtim të malit të Devries por me humbje shumë të mëdha. Isha ende pa përvojë. Akoma nuk e dija frikën por i tërhequr nga tregimet e trimërisë partizane vrapoja përpara në këmbë duke shtënë në drejtim të armikut me pushkën time të shkurtër qe lëshonte një flakë të madhe. Komisari i kompanisë Vasil Nerënxi më kapi nga mbrapa dhe më uli me forcë për tokë. -Ej, ç’farë bën kështu! Ku po shkon në këmbë, në dasëm, se do vritesh. Sa më rrallë qëllo edhe me atë topçiun tënd se bën shumë flakë dhe do të zbulohesh nga armiku (ishte natë) Kur ai më uli për tokë një breshëri plumbash goditën dheun mu para meje dhe pluhuri e balta më mbuluan fytyrën. Aty fillova ta ndieja frikën dhe nën shembullin e shokëve më të rritur fillova të zvarritesha dhe duke bërë dredha që t’u shpëtoja plumbave. Në një çast dëgjova pak më poshtë një ‘Oh!’ Kur u afrova pashë se ishte partizania me trupin lastar nga Tragjasi, që ende nuk i kish mbushur të njëzet vjetët, Raime Stepa (Imeraj). Gjermanin e vramë por edhe Raimeja ra heroikisht në krye të detyrës. Në anën e djathtë tonën po luftonte Nysret Xhelua, djali i patriotit Halim Xhelo nga Tërbaçi që në atë kohë kryente detyrën e përgjegjësit të rinisë së kompanisë sonë. Ai ishte futur thellë në radhët e armikut por një granatë gjermane e rrëzoi për tokë. Ai thirri dhe një partizan rreth 50 vjeçar, që ne e quanim plak, i vajti në ndihmë e mori në krahë për ta trasportuar lart drejt kodrës në prapavijë ku ishin partizanët e rinj që ende nuk kishin armë. Por kur ai e mori në krahë një plumb tjetër e goditi në tëmth dhe Nysreti ndrroi jetë. Pa arritur ende tek kodra u godit nga një plumb edhe partizani që e kish marrë në krahë dhe ai u rrëzua për tokë pa arrijtur t’ua dorzonte shokëve shokun e vrarë. Nuk më harrohet ajo skenë. Granata gjermane Nysretit i kishte shkëputur gjithë mishin e kofshës dhe i kish mbetur kocka e gjakosur. Për pantallonat nuk bëhesh fjalë….Aty nga ora tre e mëngjesit luftimet u ndërprenë dhe gjermanët me humbje të mëdha u tërhoqën. Gjermanët zakonisht e kishin shumë të vështirë të luftonin natën, kjo ishte taktika jonë. U kthyem në majën e kodrës ku fillimisht ishin pozicionet e mitralozave tanë para sulmit. Të lodhur mbasi kishim udhëtuar gjithë ditën dhe përleshur në betejë gjatë gjithë natës unë shkova me komisarin Idai Bejo në pozicionin e mitrolozit ku ishte edhe mitralieri partizan. Atje më zuri gjumi me kokën e mbështetur tek këmba e Idaiut. Edhe ata i zuri gjumi. Kur papritur, ende pa u zbardhur dita, u dëgjuan të shtëna të pa ndërprera të pushkëve automatikëve, mitralozave dhe predha të pa ndërprera artilerie. U ngritëm në tmerr. Për herën e parë në luftën partizane shikoja gjermanët të rrjeshtuar, të bërë gardh që marshonin përpara drejt nesh sup më sup. Ishte një sulm i befasishëm. Ne ndodheshim në majë të kodrës por marrja e kodrës nga ana e tyre do të ishte një katastrofë e vërtetë mbasi mbas nesh ishte një e tatëpjetë e madhe që shkonte poshtë deri tek një fshat në rrëzë të saj. Po të merrnin ata kodrën do të na shuanin të gjithë. U krijua një panik nga sulmi i befasishëm gjerman. Shumë partizanë ikën në panik në drejtime të ndryshme kush të shpëtonte, mitrolozat e rëndë shkoi trekëmbshi në një anë, tyta në anën tjetër dhe municioni në tjetrën anë. Ishte situatë e vështirë por që pengoi asgjësimin e plotë veprimi i shpejtë i Idaiut i cili i rrëmbeu mitrolozin mitralierit u ngrit në këmbë, pjesërisht i mbuluar nga pozicioni i mitralozit dhe filloi të qëllonte me breshëri në drejtim të gjermanëve për të frenuar marshimin e tyre. Po kështu ishte heroizmi i mitralierit tjetër, Kalem Dushani, i cili mori mitralozin e tij që ishte rreth 15 metra në krahun tonë të djathtë, prapa trupit të një gorricë që ndodhesh atje dhe qëlloi me zjarr të pa ndërprerë në drejtim të gjermanëve. Por e pashë atë që pas pak sekondash u godit nga një automatik gjerman dhe ra për tokë. Të dy këto akte heroike vonuan sulmin gjerman dhe u dhanë mundësinë partizanëve të zbrisnin me shpejtësi kodrën dhe të kalojnë lumin e Osumit dhe të fillonim ngjitjen drejt majës së malit të Tomorrit. Ndërkohë gjermanët kapën kodrën ku ndodheshim ne vendosën atje artilerinë dhe filluan të na qëllonin kur ne po i ngjiteshim Tomorrit derisa arrijtëm të merrnim veten dhe të zinim pozicione pas disa shkëmbinjve dhe t’i kundërvepronim sulmit gjerman. Kur ne po përpiqeshim t’i ngjiteshim malit thikë të Tomorrit, forcat gjermane filluan të na qëllonin me artileri të dëndur para se ne të zinim pozicionet mbrojtëse. Ishte një mrekulli kur skuadra jonë, në këtë kohë së bashku me ne ishte edhe Zonja Çurre, po i ngjitesh një faqeje zallishte një predhë ra midis nesh por çuditërisht nuk vrau ose plagosi asnjërin por vetëm se na tronditi dhe na bllokoi veshët nga shpërthimi i saj. Ata u përpoqën të kalonin Osumin për të na ndjekur por tashmë forcat tona ishin grumbulluar dhe u bëmë një rezistencë të fortë. Shumë gjermanë që u përpoqën të kapërxenin lumin gjetën vdekjen duke u rrëmbyer nga valët e lumit. Deri sa u errësua ata nuk mundën ta kapërxenin lumin për të na ndjekur dhe ne iu ngjitëm lart drejt majës malit të Tomorrit. Kur filloi të zbardhesh dita ne ende nuk e kishim arrijtur majën dhe ata filluan të na qëllonin me artileri por pa na shkaktuar humbje. Kur u ngjitëm në majë gjetëm atje disa çobenë skraparllinj të cilët na dhanë qumësht dhe djathë të njomë nape. Mbasi u qetësuam tek stanet e çobenëve skraparllinj u nisëm në kërkim të forcave të tjera të brigadës nga të cilat ishim shkëputur. Pa pritur u gjendëm para forcave të Brigadës së Parë, të cilat duke menduar se nuk kishte të tjera forca partizane prapa, qenë gati duke na sulmuar. Fatmirësisht u morëm vesh duke përdorur emrat e komandantëve dhe të komisarëve të batalionit tonë. Qafa e Gjarpërit dhe Guri i Prerë u bënë simbol i heroizmit. Ato ishin nga luftimet më të ashpra në historinë luftarake të Brigadës së Pestë. Vërtetë që në Qafën e Gjarpërit ne patëm humbje të mëdha ku ranë heroikisht 24 partizanë duke përfshirë edhe komandantin trim të kompanisë Vasil Gjiknuri si dhe rreth 20 të plagosur, por edhe gjermanëve kjo ofensivë u kushtoi akoma më shtrenjtë se lanë rreth 120 të vrarë dhe shumë të plagosur. Vetëm gjatë përpjekjeve të tyre për kalimin e lumit Osum u vranë mbi 15 ushtarë dhe oficerë, trupat e të cilëve i rrëmbente lumi i Osumit. Nga analiza që u bë më vonë për këtë veprimtari luftarake doli se humbjet tona të rënda ishin kryesisht pasojë e taktikës së gabuar duke u angazhuar drejt për drejt në luftë frontale me armikun dhe duke iu shmangur taktikës së luftës partizane të befasisë dhe marrjes së shpinës së armikut. Në 15 qershor batalioni ynë u angazhua në veprime të tjera luftarake në krahinën e Skraparit. Ne shpartalluam një force mercenare që vepronte në bashkëpunim me gjermanët në katundin Mali i Bardhë. Në veprime të tilla për asgjësimin e trupave mercenare u përfshinë edhe batalionet e tjera si në Mollas, Zerec, Dushar e Protopapë duke i spastruar ato nga mercenarët dhe duke ngritur atje këshillat nacionalçlirimtare. Batalioni i tretë organizoi disa sulme të befasishme në qytetin e Gramshit dhe në fshatrat e tjera të krahinës së Shpatit duke i detyruar forcat tradhëtare të tërhiqeshin në panik në drejtim të Elbasanit. Mbasi sulmuam forcat reaksionare që vepronin në fshatrat dhe veçanërisht në Zavalan, ato u larguan në panik duke kaluar në fshatrat e tjera për rreth. Në mbrëmje u krijua një vijë kufitare midis nesh dhe atyre kundërshtare. Kur morëm Zavalanin m’u kujtua spikeri i Radio Londrës, Tajar Zavalani, me atë zërin e tij kumbues që jepte lajmet çdo mbrëmje dhe ato i ndiqnin me kureshtje në shtëpinë tonë babai me shokët e tij. Por pikërisht aty, në Zavalan, për herë të parë gjatë Luftës e ndjeva vehten para vdekjes të sigurtë. U vendosën rojet. Mbas orës 12 të natës më erdhi mua radha të bëja roje në faqen e kodrës, poshtë majës së saj ku ndodheshin trupat tona. Isha në një tension të pa ndërprerë gjatë dy orëve të shërbimit. Prisja i shqetësuar se mos ata fillonin sulmin kundër nesh. Dhe në qoftë se ata do ta bënin këtë për ne që shërbenim si roje ishte një vdekje e sigurt se na duhej të ngjiteshim lart kodrës dhe vendi ishte pothuajse i zhveshur ku nuk kishte mundësi të mbroheshe. Qëllimi ynë ishte të jepnim alarmin për sulmin eventual të tyre mbasi forcat tona të lodhura dhe të raskapitura kishin rënë në gjumë. Por fatmirësisht nuk ndodhi asgjë. Nga sulmi ynë i besfasishëm i një dite më parë, ku ata lanë disa të vrarë dhe disa robër, shumica e të cilëve u bashkua me ne, ata ishin tmerruar dhe as që u shkonte ndërmend të sulmonin por të largoheshin sa më parë për t’i shpëtuar asgjësimit të plotë. Më kujtohet vrasja e Qemal Hetemit. Sa kishte rënë nata. Batalioni u mblodh në majën e kodrës në Qafën e Gjarpërit dhe komisari i batalionit, Kadri Hazbiu, po na fliste për betejën e afërt me gjermanët. Pas fjalës së tij filloi mbledhja dhe riorganizimi i kompanive dhe skuadrave. Në skuadrën ku bëja pjesë edhe unë ishte edhe Qemal Hetemi, partizani 16 vjeçar nga Bolena. Qemali disa ditë më parë kishte marrë një pallto të madhe ushtarake nga ato që na kishin hedhur me parashutë anglezët. Ishte një gëzim i madh të kishe një pallto të tillë në kushtet kur shumica e jonë ishin të zhveshur dhe me tesha zhele-zhele, prandaj kush e kishte atë fat e ruante si një gjë të shënjtë njëlloj sikurse edhe armët e ndiente veten të privilegjuar dhe të nderuar. Qemali para se ne të niseshim në sulmin kundër gjermanëve e hoqi pallton dhe ia dha komandantit të togës duke i thënë:- Shoku komandant merreni këtë pallton dhe ta mbajnë këtu shokët që nuk do marrin pjesë në luftë. Se mos vritem e bëhet me gjak. Ishte fjala për partizanët e rinj që do mbeteshin në prapavijë se ende nuk kishin armë. Kjo ishte bërë si rregull që sendet e rënda gjatë veprimeve luftarake liheshin në prapavijë për të qënë sa më të lirë. Dhe sikur ai e kishte parandjerë. Në atë përleshje Qemali u vra.Trupin e tij e prunë në kodër dhe e vendosën pranë Raimes, Nusretit dhe partizanit tjetër që u përpoq të shpëtonte shokun e tij të plagosur dhe u vra edhe vetë. 
Ish partizan i Brigadës së Pestë
Sigal